Debatet dhe mosmarrveshjet e vazhdueshme në një çift në disa raste mund t’i çojnë drejt divorcit. Secili nga ish-partnerët pas ndarjes, mundohen të krijojnë një jetë të re dhe pse jo të rimartohen përsëri. E tillë ishte dhe historia e Suzanës që u trajtua mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur”. Suzana nga martesa e parë kishte sjellë në jetë një djalë dhe pas ndarjes kishte vendosur të martohej me Izetin, i cili kishte 5 fëmijë nga martesa e mëparshme.
Në studio kishte ardhur, Shqipja vajza e Suzanës dhe Izetit e cila rrëfeu historinë e nënës së saj. Sipas Shqipes, Suzana nuk ishte pritur mirë nga familjarët e tjerë të Izetit dhe nga debatet e vazhdueshme ajo ishte detyruar që të linte djalin e saj nga martesa e parë. Shqipja tregoi se ajo nuk e kishte mbrojtur kurrë nënën në këto debate, madje i kishte dalë kundër duke mbajtur anën e Izetit.
Vajza i kërkon falje të ëmës për dhimbjet e shkaktuara:
Për këtë arsye, Shqipja kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për t’i kërkuar falje nënës së saj për çdo dhimbje që i kishte shkaktuar ndër vite, por edhe për t’i premtuar se do të bënte të pamundurën që Suzana të vendoste një urë komunikimi me djalin nga martesa e parë. “Mama të thirra për të të kërkuar falje për çdo gjë që, tani vonë e kam kuptuar se ti nuk ke pasur kurrë faj. Më fal që nuk të mbrojta më parë!”,- u shpreh Shqipja.
Suzana rrëfeu se sa e vështirë kishte qenë për të që të përballej e vetme çdo ditë me debatet e panumërta edhe pse nuk kishte faj. Ajo gjithashtu shprehu dëshirën që të krijonte një urë komunikimi me djalin e saj që ishte detyruar ta braktiste, për t’i kërkuar falje për veprimet që kishte bërë.