Nga Boldnews.al
Teksa në emisionin investigativ “STOP”, u transmetua një video-rryshfet ku përmendej emri i prokurorit Ardian Braho, dyshime të forta ngrihen për një kurth të mirëorganizuar.
Sipas burimeve të Boldnews.al, mësohet se pas gjithë kësaj historie qëndrojnë struktura të errëta policisë së shtetit që kanë kryer filmimin e fshehtë. Mënyra e vendosjes së kamerave në trup dhe makinë dyshohet se janë kryer nga policia dhe më konkretisht nga seksioni kundër pastrimit të parave në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Video është realizuar në muajin korrik ndërsa transmetimi është bërë sot, më 28 shtator, ngre një tjetër pistë dyshimi. Burime konfidenciale konfirmojnë për Boldnews.al se Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri teksa ka darkuar me një drejtues të një media të rëndësishme në vend, ka diskutuar edhe për arrestimin e një prokurori për rryshfet.
Nga ana tjetër emisioni investigativ “STOP” e përcolli këtë denoncim si të mbërritur në redaksi nga qytetari. Ndërsa i çuditshëm është fakti se përse ky qytetar duhet të paguante 18 mijë euro rryshfet për të zhbllokuar paratë që i kishte të pastra.
Heshtja e zyrës së shtypit në Policinë e Shtetit duke mos dërguar asnjë njoftim për shtyp për arrestimin e zyrtarit është një tjetër provë që i implikon uniformat blu në këtë ngjarje. Gjithashtu, sipas Kodit Penal, qytetari në video duhej të arrestohej për nxitje të korrupsionit aktiv.
Ky infiltrim i policisë për të dërguar në burg prokurorin dhe oficerin e policisë gjyqësore ka një prapavijë hakmarrjeje të nisur disa muaj më parë.
Kjo pasi oficeri i Policisë Gjyqësore, Fatos Lusha ka në dorë edhe çështjen e famshme të pajisjes italiane të përgjimit IMSI Catchet të përdorur nga policia e shtetit dhe për të cilën është vënë në përgjegjësi kreu i policisë së shtetit Haki Çako.
Por edhe prokurori Ardian Braho dukej se ishte në shënjestrën e policisë. Ai po hetonte kush e ka përgjuar ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri pas gjetjes në paradhomën e zyrës së tij të një çimke.
Përplasjet prokurori-polici
Të dy këto institucionet kanë krijuar një hendek të madh bashkëpunimi mes tyre. Kulmi përplasjes shënoi me pajisjen e përgjimit Mc-Catcher, ku prokuroria u desh të hetonte dhe merrte në pyetje Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çakon.
Arrestimi i Emiljano Shullazit, ishte një moment kur prokuroria dhe policia u “ndezën” mes tyre. Teksa uniformat blu bënin me dije se ata kishin ndaluar për verifikim eksponentin e botës së krimit, nga ana tjetër organi i akuzës kishte përgatitur fletën e arrestit në fshehtësi. Kjo tregonte se mes tyre kishte një mungesë të theksuar besimi dhe bashkëpunimi.
Edhe arrestimi i biznesmenit Arben Reli, e detyroi prokurorinë të rrëzoj policinë duke e cilësuar si të paligjshëm. Prokuroria e Tiranës urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm, pa mbushur 48 orë nga deklarata zyrtare e uniformave blu, që njoftuan prangosjen e biznesmenit në kushtet e flagrancës.