Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti dyshime për mungesë burimesh të ligjshme dhe kontratë fiktive me një kredi të butë, por gjyqtarja Kondi kundërshtoi gjetjet dhe kërkoi hapjen e hetimeve për dy kriteret e tjera.
Gjyqtarja Bernina Kondi e Gjykatës Administrative të Apelit u përball të premten me probleme në kriterin e pasurisë gjatë seancës dëgjimore të KPK-së. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Kondi përbëhet nga Xhensila Pine kryesuese, Brunilda Bekteshi relatore dhe Olsi Komici anëtar. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte Elka Ermenkova.
Bernina Kondi ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Beratit. Në vitin 2011, ajo u emërua kryetare e Gjykatës së Beratit, ndërsa në vitin 2013 u dekretua si gjyqtare e Gjykatës Administrative të Tiranës.
Relatorja e çështjes, Brunilda Bekteshi tha në fillim të seancës se Komisioni e ka përfunduar hetimin administrativ për gjyqtaren Bernina Kondi vetëm për kriterin e pasurisë. Bekteshi renditi gjetjet e KPK për dy apartamente në Tiranë që zotëron familja e gjyqtares Kondi; një hua; një kredi të butë të përfituar si e pastrehë si dhe për të ardhura të tjera.
Për një apartament në Tiranë të porositur në vitin 2004 në vlerën 39 mijë euro, Kondi ka deklaruar si burime dy kredi, një në vlerën 2.5 milionë lekë dhe tjetra 500 mijë lekë, të ardhura nga shitja e dy librave të saj dhe ndihmë nga familja e origjinës.
Sipas Komisionit, Kondi nuk ka pasqyruar në vitin 2006 dhe në deklaratën veting pagesën e këstit të fundit prej 4 mijë eurosh. Bekteshi tha se subjekti ka shpjeguar se kjo mund të ishte një pasaktësi dhe jo fshehje, pasi në atë periudhë i ka kërkuar ndërtuesit që t’i kthejë 8 mijë euro nga kësti 23 mijë euro që kishte paguar në vitin 2005, pasi i nevojiteshin për kurimin e gjyshes, e cila kishte gjendje të rënduar shëndetësore.
“Subjekti ka deklaruar se për këtë arsye, shuma e mbetur pa paguar në vitin 2006 ishte 8 mijë euro. Ajo ka depozituar dokumentacion nga spitali për shtrimin e gjyshes së sëmurë,” tha Bekteshi.
Për kredinë 2.5 milionë lekë që ka shërbyer për shlyerjen e këstit të dytë, Komisioni ka konstatuar se ka pasur dy transaksione pa destinacion dhe përfitues, ndërkohë që pagesat e shoqërisë ndërtuese nuk janë kryer nëpërmjet bankës.
Për vlerën 1 milionë lekë të fituar nga shitja e dy librave të Kondit, KPK evidenton se nuk provohet pagesa e tatimit të fitimit. Në përfundim të analizës financiare, Komisioni evidenton mungesë të burimeve të ligjshme në vlerën 94 mijë lekë për blerjen e apartamentit.
Gjyqtarja Bernina Kondi tha në seancë se nuk kishte gënjyer asnjëherë për vlerën e apartamentit, ndërsa shpjegoi se paratë që ia kishte marrë ndërtuesit për kurimin e gjyshes ia kishte kthyer sërish pas. Ajo kundërshtoi gjithashtu analizën financiare që e nxirrte me mungesë burimesh prej 94 mijë lekësh.
“Ju thoni se nuk kam pasur rreth 90 mijë lekë për blerjen e apartamentit në vitin 2004. Në momentin e lidhjes së kontratës, kreva pagesën e këstit të parë me të ardhura të përfituara nga shitja e librit dhe nga ndihma e dhënë prej familjarëve. Është paguar kësti i dytë 23 mijë euro dhe transaksionet janë kryer me akt-mandatimi tek noteri, jo në bankë” sqaroi gjyqtarja Kondi.
Lidhur me pretendimin se nuk vërtetohej pagesa e tatimeve për të ardhurat e siguruara nga librat, Kondi tha se sipas marrëveshjes me shtëpinë botuese, i takonte kësaj të fundit që të kryente pagesën e tatimit.
Gjyqtarja kërkoi që vlera prej 1 milionë lekësh e përfituar nga shitja e librave të konsiderohej si burim i ligjshëm.
Burimi i një huaje
Një tjetër problem i evidentuar në seancën dëgjimore ishte një hua me vlerë 1.2 milionë lekësh, e marrë nga vajza e tezes me qëllim likujdimin e një kredie bankare. Sipas KPK-së, nga hetimi ka rezultuar se vajza e tezes së gjyqtares Kondi nuk ka pasur mundësi financiare nga burime të ligjshme për dhënien e kësaj huaje.
Nisur nga kjo gjetje, Komisioni argumenton se Kondi nuk ka pasur mundësi financiare për shlyerjen e kredisë para afatit në vlerën 1.7 milionë lekë. Sipas shpjegimeve të Kondit, kredinë 2.5 milionë lekë e kishte mbyllur, pasi kishte aplikuar për një kredi tjetër të butë si e pastrehë.
Gjatë seancës dëgjimore, Kondi shpjegoi se huadhënësja e kishte marrë vetë hua vlerën 1.2 milionë lekë tek djali i tezes që jeton në Itali. Sipas saj, djali i tezes që gëzon nënshtetësinë italiane dhe kontratë pune të përhershme, kishte të ardhura të mjaftueshme për huanë 1.2 milionë lekë dhe pretendoi se kjo provohet nga dokumentet e dorëzuara.
“Ju keni thënë se nuk ka logjikë ekonomike marrja e huasë, kur bashkëshoti ka në gjendje 2.5 milionë lekë. Por kjo gjendje është shumë individuale, pasi ai e ka krijuar para martesës. Kredinë e kisha marrë kur isha beqare. Nuk kisha të drejtë morale e ligjore ta përdorja këtë gjendje cash të bashkëshortit. Unë nuk kam shkelur ndonjë dispozitë ligjore, duke marrë hua në një kohë që bashkëshorti ka pasur gjendje,” tha Kondi në seancë.
Apartamenti tjetër në Tiranë
Për blerjen e një apartamenti në vitin 2011 në Tiranë në bashkëpronësi me bashkëshortin, prokurorin Ervin Karanxha, gjyqtarja Kondi ka deklaruar si burime një kredi të butë në vlerën 5 milionë lekë të marrë në vitin 2010 dhe kursime familjare. Sipas Bekteshit, ILDKPKI ka konstatuar se subjekti i rivlerësimit ka shmangur transaksionet bankare për pagesat e kryera për apartamentin.
Komisioni ka gjetur se kredia e butë e përfituar si e pastrehë ka shërbyer fillimisht për blerjen e një apartamenti në Berat në vlerën 6 milionë lekë. Por disa muaj më vonë, është revokuar kontrata e shit-blerjes së apartamentit dhe me vlerën e kredisë së butë prej 5 milionë lekësh është plotësuar shuma 8.2 milionë lekë për blerjen e një apartamenti në Tiranë.
“Duket që kontrata për blerjen e apartamentit në Berat është fiktive me qëllim përfitimin e kredisë së butë, pasi edhe pagesat janë kryer në cash dhe jo nëpërmjet transaksioneve bankare,” tha Bekteshi.
Por Kondi e kundërshtoi këtë pretendim.
“Për kredinë e butë thoni se ka ndërruar destinacion dhe e quani veprim fiktiv. Për shkak se jetoja në Berat dhe përshkruaja 240 km në ditë vajtje-ardhje, vendosëm që të blinim shtëpi atje dhe të udhëtonte bashkëshorti, ngaqë isha shtatëzënë. Shtëpinë e blemë 6 milionë lekë dhe u bë funksionale për dy muaj, pasi jetuam aty. Ndërkohë, KLD më kishte planifikuar për transferim në Tiranë. Nëse thua që ka ndryshuar destinacioni, do të thotë të blesh një dyqan. Unë bleva shtëpinë ku banoj,” tha gjyqtarja.
Kondi u pyet edhe nga vëzhguesja ndërkombëtare Elka Ermenkova mbi destinacionin e kredisë së butë dhe mohoi që kontrata e revokuar të ishte fiktive.
“Ne kemi jetuar rreth dy muaj aty. Veprimet e mia janë diktuar vetëm nga nevoja njerëzore,” u përgjigj ajo.
Komisioni identifikoi mungesë të burimeve financiare në vlerën 1 milion lekë edhe për gjendjen cash të bashkëshortit në shumën 2.5 milionë lekë, e deklaruar se ka shërbyer si një prej burimeve për blerjen e apartamentit në vitin 2011. Relatorja tha gjithashtu se nuk ishte provuar me dokumente shitja e një makine në vlerën e 600 mijë lekëve.
Sa i përket kursimeve cash të bashkëshortit, Kondi tha se nuk mund të përgjigjej për të ardhurat e tij para martese.
“Bashkëshorti im është subjekt rivlerësimi dhe ai ka detyrim të japë llogari vetë. Gjithësesi, bashkëshorti ka pasur mundësi për krijimin e vlerës 2.5 milionë lekë,” tha ajo.
Në përfundim të seancës, gjyqtarja Kondi e konsideroi përfundimin e hetimit vetëm në një kriter si cënim të një procesi të rregullt ligjor dhe kërkoi hapjen e hetimeve edhe për figurën dhe profesionalizmin. Ajo kërkoi gjithashtu që të merreshin parasysh burimet e deklaruara, duke përmendur shembuj të mëparshëm, që sipas saj janë justifikuar nga KPK.
Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtarja e Apelit Administrativ Bernina Kondi kërkoi konfirmimin në detyrë. Ndërsa kryesuesja e trupës gjykuese tha se do të shqyrtoheshin provat e reja dhe se seanca e radhës do të njoftohej në faqen online të KPK-së.