Në Francë është zbuluar që një qytetar ka qenë i infektuar me Covid-19, një muaj përpara se Franca të zyrtarizonte pacientin e saj të parë me koronavirus.
Ky rast është pjesë e provave të vazhdueshme që COVID-19 ka qenë mes nesh më përpara se sa mendojmë. Analizat gjenetike sugjerojnë se virusi u shfaq në Kinë në fund të nëntorit deri në fillim të dhjetorit 2019. Ndërsa paraqitja zyrtare e Kinës në Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH) thotë se infeksioni i parë u regjistrua në 8 dhjetor, të dhënat e qeverisë të zbuluara nga South China Morning Post tregojnë që rasti i parë i njohur u vërejt në 17 nëntor.
Në fakt, të gjithë kemi dëgjuar histori të miqve ose të afërmve që kanë pasur grip të fortë gjatë dimrit, duke paraqitur shumë nga simptomat që tani shoqërohen me koronavirusin; por shumica e tyre ende nuk janë testuar.
Por nëse kjo dëshmi konfirmohet, ajo ngre një pyetje të qartë: Përse, papritmas kemi parë një kulm rastesh, në periudha të ndryshme, në vende të ndryshme?
Hipotezat janë të shumta. Njëra është se jo të gjithë janë njësoj infektivë dhe kështu njerëzit nuk kanë aftësinë ta përhapin virusin në mënyrë të barabartë. Gjithashtu, ka të ngjarë që shumica e atyre rasteve të hershme do të kenë qenë aq të sëmurë sa janë shtruar në spital, duke u izoluar dhe duke ngadalësuar përhapjen e sëmundjes.
Një mundësi tjetër, thotë Nathalie MacDermott, lektore klinike për sëmundjet infektive në King’s College London, është që virusi ishte “duke u shkrirë nën sipërfaqe për një kohë të gjatë dhe ne nuk mund ta identifikonim atë “.
Në fund të fundit, edhe sikur të ketë pasur transmetim më herët seç e mendojmë, kjo nuk do të thotë se shumica prej nesh kanë qenë të infektuar ose, janë imun ndaj tij. Ka akoma kaq shumë gjëra që nuk dimë për këtë virus të ri, dhe për transmetimin e tij, por duke u përpjekur të kuptojmë rastet e para dhe përhapjen e tyre, ne mund të parandalojmë efektivisht atë që mund të ndodhë në të ardhmen.