Pas 4 orë diskutimesh ka përfunduar mbledhja Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore, mesa duket pa konsensus dhe pa dakordësi, për një pikë kyce, që është elementi i sigurisë për votën. Identifikimi bioometrik. Përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi tha se qeveria nuk heq dorë nga modeli i ’30 Qershorit’. Sipas Opozitës, mazhoranca kërkon të caktojë komisionerë pikërisht administratën publike që ka nën urdhër, cka është ajo që ndodhi në zgjedhjet e kontestuara dhe të palavdishme të 30 Qershorit.
Bylykbashi sqaroi se teknologjia në zgjedhje ishte gjithashtu pjesë e debatit, ku PD kërkon përfshirjen e identifikimit biometrik në të gjithë territorin si garanci kundër falsifikimit të votës dhe votimit familjar. Bylykbashi shtoi se Partia Socialiste ka refuzuar çdo propozim që PD ka bërë.
“Kemi bërë propozime për të garantuar votën e zgjedhësve shqiptarë, dhe kjo të numërohet e paprekur. Rotacioni politik ndodh me votë. Të gjitha propozimet tona janë refuzuar. Ne jemi përballur me refuzimin e të gjitha çështjeve që garantojnë procesin zgjedhor. Partia Socialiste do të krijojë alibi, të krijojë gjërat pa konsensus. Partia Socialiste ka refuzuar çdo kërkesë të Partisë Demokratike.”-tha Bylykbashi.
Në axhendë është dhe diskutimi mbi Administratën Zgjedhore, fushatën zgjedhore, çështjen e trajtimit të ankimimeve dhe çështjet e tjera te mbetura të hapura, ku dita e diel 31 maj (nesër) shënon dhe fundin e afatit për të arritur konsensusin.
Gjiknuri i PS, fajësoi Opozitën që po tregohet bllokuese. Ai pranoi se teknologjia dhe përbërja e komisioneve zgjedhore, janë çështjet që po i mbajnë larg palët.
Përfaqësuesi i qeverisë, u shpreh se nuk është kundër teknologjisë në zgjedhje, por zbatimi i asaj në praktikë ngelet problem. Sipas tij, për këtë duhet pyetur ODIHR, pasi futja e kësaj praktike mund të vërë në rrezik zgjedhjet dhe është një përgjegjësi e qeverisë. Dëshira është e madhe, tha Gjiknuri, por kjo duhet parë në vijim.
Sa i përket administratës, Gjiknuri tha se PS i qendron depolitizimit të saj, dhe që partitë të kenë mundësi të vëzhgojnë. Gjiknuri tha se ata kanë propozuar një mekanizëm, që është hapja e çdo kutie me kërkesë të partive, dhe kjo do të ndalonte çdo komisioner të kryente shkelje dhe manipulime. Po ashtu, Gjiknuri tha se çdo qendër votimi do të jetë nën monitorim me kamera, dhe për çdo rast të dyshimtë, do të jetë e mundur transparenca.
Përfaqësuesi i mazhorancës, u shpreh se shumë kërkesa të Opozitës janë marrë në konsideratë dhe janë pranuar. Dhe solli si shembull, kufizimin e rolit të qeverisë dhe reduktimin e propagandës së saj, 4 muaj para zgjedhjeve.
Rudina Hajdari, bashkëkryetarja e Komisionit për Reformën Zgjedhore, në përfundim të tryezës së Këshillit Politik, tha para mediave se propozimi i saj ishte ndryshimi i sistemit zgjedhor duke shtuar se iu ka kërkuar palëve të qëndrojnë sonte për të përfunduar të gjitha çështjet e diskutimit por nuk pati dakordësi.
“Nuk ramë dakord për të qendruar këtu sonte dhe ti përfundonim çështjet. Erdha me synimin për të ndryshuar sistemin zgjedhor. Erdha me dëshirën për të gjetur një formulë kompromisi dhe propozova një formulë që është mbështetur nga ndërkombëtarët. E kuptoj fare mirë Edi Ramën që e do këtë sistem. Ai i ka dhënë koncesione gjith Shqipërisë. Dua që në zgjedhjet e 2021 të shkojmë me një sistem tjetër. Por nuk ranë dakord. Në atë parlament të futen ata që e meritojnë.”-tha Hajdari.