Perspektiva e një valë të dytë të epidemisë së korona virusit në të gjithë Evropën nuk është më një teori e largët, sipas drejtorit të agjencisë së BE-së për kontrollin e sëmundjeve, e cila ka qenë këto kohë përgjegjëse për këshillimin e qeverive.
“Pyetja më e saktë është kur do vijë dhe sa e madhe do të jetë,” tha Dr Andrea Ammon, drejtoreshë e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC). Ka qenë detyra e shkencëtarëve për t’i thënë gjërat ashtu siç janë gjatë pandemisë së korona virusit. Ndërsa politikanët janë munduar të tregohen optimistë, epidemiologët janë shfaqur si rrëfyesit e drejtpërdrejtë të krizës.
“Duke parë karakteristikat e virusit, duke parë ato që dalin tani nga vendet e ndryshme përsa i përket imunitetit të popullatës, i cili është midis 2% dhe 14%, virusi është rreth nesh, duke qarkulluar shumë më tepër se janar dhe shkurt … Mendoj se duhet të jemi realist. Se nuk është koha tani për t’u relaksuar plotësisht”, thotë Ammon.
Në fillim të këtij muaji ajo njoftoi se në 2 maj, Evropa në tërësi e kishte kaluar pikun e epidemisë. Vetëm Polonia jo”, tha ajo.
Qeveritë evropiane kanë filluar të lehtësojnë kufizimet e tyre, disa në masën që kanë rihapur baret dhe restorantet. Madje disa vende do të dërgojnë nxënësit përsëri në shkolla brenda dy javësh.
Detyra e Amonit është të shqyrtojë pasojat dhe të parashikojnë fuqizimin e epidemisë më herët. Duke folur në një intervistë përmes Skype nga kuzhina e saj në shtëpi, nga ku ka punuar në distancë për dy muajt e fundit, ajo këmbëngul se një valë e dytë katastrofike nuk është e pashmangshme nëse njerëzit i përmbahen rregullave dhe mbajnë distancën.
Por ajo thotë se ka një dobësim të vendosmërisë së publikut për t’u mbrojtur nga virusi.
“Ajo që ne shohim është që, nga njëra anë qytetarët nuk janë në gjendje të ushtrojnë të gjitha liritë që normalisht kemi: të shkojmë atje ku na pëlqen, të jemi me kë ne duam te jemi. Dhe ky është një ndryshim mjaft thelbësor në mënyrën tonë normale të të jetuarit. Por megjithatë, njerëzit mendojnë se ka mbaruar”, thotë ajo.
“Nëse vala e re nuk është shfaqur deri tani, është sepse heqja e këtyre masave është bërë në mënyrë të kujdesshme. Ajo që ne po shohim nga afër është se çfarë po ndodh pas gjithë këtyre masave ”, tregon Ammon. Deri të mërkurën 158.134 njerëz kanë vdekur nga Covid-19 në Evropë.
Mbretëria e Bashkuar ka nivelin më të lartë të vdekjeve në Evropë, me 35.341 viktima, e ndjekur nga Italia (32,169) dhe Franca (28.022).
“Unë mendoj se ajo që doli është se qeveritë e nënvlerësuan, sipas mendimit tim, shpejtësinë me të cilën erdhi epidemia në Evropë.
“Mbaj mend kur Kina e mbylli Ëuhan-in, njerëzit më thanë: ‘shiko se nuk do të ishte e mundur në Evropë.’ Por e paimagjinueshmja ndodhi. Bllokimet ishin aq të ashpra sa lodhën publikun, tha ajo.
Vala e parë e Covid-19 ka sjellë pranë kolapsit mjaft spitale në BE duke zbuluar mungesën në pajisjet e testimeve, ventilatorët dhe pajisjet mbrojtëse për punonjësit e kujdesit shëndetësor.
Por kur mund të vijë kjo valë e dytë?
Edhe pse gati të gjitha vendet po ecin përpara me planet për të rihapur ekonomitë e tyre, Drejtori i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA paralajmëroi të se një valë e dytë e korona virusit do të jetë shumë më e keqe, sepse ka të ngjarë të përkojë me fillimin e sezonit të gripit, shkruan gazeta SI.
“Ekziston mundësia që sulmi i virusit dimrin e ardhshëm në të vërtetë do të jetë edhe më i vështirë sesa ai që po kalojmë,” tha drejtori i CDC Robert Redfield. “Ne do të kemi njëkohësisht epideminë e gripit dhe epideminë e korona virusit” tha ai. “Të kesh dy shpërthime të njëkohshme të frymëmarrjes do të sillte një tendosje të paimagjinueshme në sistemin e kujdesit shëndetësor” theksoi ai.
Në një intervist Redfield tha që zyrtarët duhet të përdorin muajt e ardhshëm për t’u përgatitur për atë që valën e re.
“Zyrtarët gjithashtu duhet të përmirësojnë aftësinë e tyre për të identifikuar të infektuarit përmes testimit dhe të gjejnë të gjithë ata që ndërveprojnë përmes gjurmimit të kontakteve” tha ai.