Deputeti Ben Blushi është treguar mjaft i ashpër sot në Parlament, ku akuzoi qeverinë për ligjin e mbetjeve se po shet jetën e qytetarëve për të fituar para nga plehrat.
“Kë mbron ky ligj interesin publik apo privat. Ky mbron interesin privat. Nuk mbrojti interesin publik që kërkon pastërti. Kush e qeveris Shqipërinë, një grup biznesmenësh që dje ishin me PD-në dhe sot kaloi me Rilindjen. Ky ligj u fut në Kuvend nga këta biznesmenë. Kush e qeveris Shqipërinë? Një grup biznesi që sjell ligje në parlament dhe ju përdor të dy palëve”, tha Blushi.
Blushi akuzoi mazhorancën se ka sjellë për të votuar një ligj të sponsorizuar, duke iu referuar atij të mbetjeve.
“Ky është një ligj i blerë e i sponsorizuar që nuk vjen për shkak të vullnetit për të hapur vende pune, apo për të nxitur industrinë e riciklimit. Rilindja në 3 vjet ndërtoi tregun e ligjeve. Një ligj sot mund të blihet dhe vjen në Parlament e votohet. Nëse je biznesmen e blen, nëse nuk ke para, jo”, ka deklaruar Blushi.
Ai shtoi edhe më tej tonin e akuzave kur tha se: “Rilindja i hoqi kufijtë brenda PS-së për të futur mbetjet e krimit, injorancës. Dhe shtatë deputetë erdhën këtu. Ishin mbetje po votojnë për mbetje. Nëse fitojmë një lekë do të humbim 10 lekë. Pse kostoja e jetës së një njeriu është më e lirë se kostoja e një ton plehrave. Ky parlament do të marrë një mëkat shumë të madh nëse e kalon sot.
Ndërkohë Blushi shtroi edhe pyetjen se pse nuk importojnë mbetjet vendet e tjera të Ballkanit si Sllovenia apo Mali i Zi.
“Pse gjithmonë ne?! Sepse nuk ka qeveri që mbron interesin publik, kjo është arsyeja pse jemi të parët në listë”, tha Blushi.
Blushi akuzoi kolegët e tij të mazhorancës, por edhe ata të opozitës, se në këtë mënyrë po marrin përsipër dëmtimin e shëndetit të qytetarëve shqiptarë.
“Me helmet që do të vijnë në Shqipëri a e dini çfarë merrni përsipër? Ju që qeshni sot, edhe ju të opozitës, po helmoni shëndetin e shoqërisë. Sa vatra kanceri do të hapen në Shqipëri? Sa fëmijë si Arditi i Sharrës do të punojnë atje? Fëmijë të sëmurë ose të vrarë, për fat të keq. Sepse fëmijët e të varfërve do të mbledhin këto mbetje për t’i ricikluar, siç thoni ju”, tha Blushi.
Ai ka theksuar se, ky ligj nuk ka arsye as industriale e as morale, “por vetëm arsye tregu dhe Rilindja këtë nuk e fsheh më”.
“Nuk foli askush nga ju për shëndetin, por vetëm për industrinë. Përfaqësuesit e kujt jeni ju? Sigurisht që jeni të biznesit. Ky është vendi më i ndotur i Europës dhe ju keni ndërmend ta mbysni me plehra? Bilancin po e rëndojmë më shumë duke hequr kufijtë e helmeve që do të hyjnë në Shqipëri. Ky është një manual se si të jetoni në kazanë plehrash. Ju do ta votoni këtë ligj si robotë, sepse nuk keni ndërgjegje”, theksoi deputeti socialist.
Në fund ai ka bërë edhe një propozim për qytetarët. Ai ka kërkuar që deputetëve që do të votojnë pro ligjit, t’u shkruhet emri në një kazan plehrash të lagjes.