Afërdita, ish-edukatore kopshti, e cila u shkëput nga profesioni dhe vendosi të merret me një biznes të vogël me shitje të rrobave për fëmijë ankohet se në dyqanin e saj nuk hyn askush. Puna nuk ekziston më dhe të vetmen xhiro që bën ka ndonjë blerje në shifrat e 200 apo 300 lekëve për ndonjë aksesor fëmijësh. Dyqani i saj është në zonën e Freskut në Tiranë, në një rrugë që edhe në kohë normale nuk ka lëvizje të madhe, ndërsa tani merret me mend cilat janë shanset e saj për të shërbyer ndonjë klient.
Afërdita nuk ka shitje online, nuk ka infrastrukturë të blerjeve me kartë bankare, nuk ka faqe interneti që të reklamojë rrobat që shet dhe as mundet që të përdorë Facebook apo Instagram për të marketuar shërbimin e saj. Ajo është në një moshë që nuk i kushton kohë dhe energji rrjeteve sociale. Dhe Afërdita nuk është e vetmja. Si ajo janë me qindra dhe me mijëra biznese të vogla në vend.
Sjellja e konsumatorit për blerjet e rrobave që ajo tregton është barometër i një fenomeni që tregon vështirësinë e kthimit në normalitet të biznesit në periudhën e pas COVID-19.
Sjellja e konsumatorëve pritet të ndryshojë, e pritur drejt produkteve bazë, të paktën në afatin e shkutër, duke ndikuar në mijëra biznese të vogla që varen nga blerjet e veshjeve, produkteve të tjera, shërbimeve, apo shpenzimi i kohës në bare e restorante.
Genti Çela, drejtor i shitjeve në kompaninë “Marketing & Distribution”, është i bindur se konsumatori i djeshëm nuk do të jetë më i njëjti pas COVID-19. Përparësitë e tij do të jenë ushqimet më cilësore, pastruesit, dezinfektuesit dhe produktet e kujdesit shëndetësor. Higjiena personale do të luajë një rol të rëndësishëm gjithashtu, ndërsa gjërat e luksit, udhëtimet, pushimet, mobilimi i shtëpive dhe blerja e elektroshtëpiakeve do të jenë “viktimat” e shtrëngimit të shpenzimeve konsumatore.
Zoti Çela thotë se reduktimi i të ardhurave familjare për shkak të ndërprerjes së punës në disa sektorë të ekonomisë do të ndikojë edhe në strukturën e shpenzimeve familjare. “Ndikimin e parë do ta ketë te konsumi i produkteve apo shërbimeve të luksit, ristrukturimi i shpenzimeve të parashikuara për pushime dhe udhëtime, blerjet e pajisjeve elektroshtëpiake, mobilim, etj.
Ndërkohë që ka edhe një segment tjetër konsumatorësh që qëndrojnë indiferentë ndaj pandemisë dhe po vazhdojnë jetën apo bizneset e tyre, sikur të mos ketë ndodhur asgjë, madje edhe duke mos i marrë në konsideratë rekomandimet e qeverisë dhe profesionistëve të shëndetësisë. Periudha në vijim do të na tregojë nëse ky segment do të ndikohet/përshtatet apo jo nga këto zhvillime”, shprehet zoti Çela.
Elfrida Manoku, pedagoge te Departamenti i Marketing–Turizmit, FEUT, shpjegon se pas pandemisë, sjellja e konsumatorit do të orientohet në dy drejtime. Kategoria që ka humbur punën dhe u janë reduktuar të ardhurat do të rrisin kursimet, ndërsa shpenzimet do të fokusohen vetëm për produktet bazike. Pjesa tjetër, pavarësisht se nuk ka ulje të ardhurash, do të rrisë kursimet, për shkak të pasigurisë dhe frikës për të ardhmen. Zonja Manoku thekson se kujdesi për shëndetin, higjienën do të kthehet në një zakon të qëndrueshëm dhe do të vazhdohet të shpenzohet për produktet që përmbushin këto nevoja.
“Segmenti i konsumatorëve, i cili është përballur direkt me humbjen e përkohshme apo të vazhdueshme të punës do të vazhdojë me shkurtime të thella të të gjitha shpenzimeve duke u fokusuar në blerjen e produkteve bazë të konsumit të përditshëm. Duke qenë se është rritur pasiguria për të ardhmen, kjo do të pasqyrohet në normën e kursimit, duke sakrifikuar sidomos blerjet në produktet e luksit, të argëtimit, udhëtimeve apo produkteve jo esenciale. Segmentet konsumatore, që përveç izolimit nuk kanë përjetuar ulje të të ardhurave të tyre, parashikohet se do të kthehen më shpejt në normalitet, por duke qenë të kujdesshëm për të kursyer për periudha të vështira që mund të pasojnë. Gjithsesi, disa zakone dhe sjellje kanë ndryshuar tashmë dhe nuk ka më kthim prapa.”
Armand Mala, kontabilist, ekspert në legjislacionin tatimor, mendon ndryshe mbi sjelljen e konsumatorit pas situatës së pandemisë. Sipas tij, goditja nuk është e pariparueshme, konsumi do të kthehet në normalitet pas 3 muajsh. “Pas rikthimit të normalitetit mendoj që do të ketë një dyndje tek ato gjëra që konsumatorëve u munguan më shumë në periudhën e izolimit e më pas, çdo gjë do të shkojë duke u normalizuar.”
Mala pohon se ai grup qytetarësh, që tashmë frekuentimin e bar-kafeneve e kanë stil jetese, do t’i kthehen shumë shpejt frekuentimit normal. Po ashtu do të ketë shitje të produkteve kozmetike dhe bukurisë, ndërsa shitjet për artikujt e luksit dhe veshjeve të shtrenjta do të pësojnë rënie. Në të ardhmen, për shkak të frikës së rikthimit të virusit dhe përhapjes të tij, zoti Mala nënvizon se frekuentimi i muzeve, kinemave dhe diskove do të minimizohet.
Blerina Bombaj, dietologe, sipërmarrëse e dy restoranteve në Tiranë, shprehet se periudha e izolimit do të vlejë si reflektim që konsumatorët të mos shpërdorojnë ushqimin, sidomos ata që kanë një mirëqenie të mirë jetese. Zonja Bombaj thotë se konsumatorët në fillim do të kenë kujdes në rritje për prodhimet e shëndetshme, por më pas vigjilenca do të ulet sidomos nga shtresat e varfra, që do të kenë tendencën të kursejnë.
“Kjo periudhë do të vlejë si reflektim për të kuptuar që ushqimi nuk duhet të shpërdorohet, sepse të gjithë e panë se sa i rëndësishëm është ushqimi dhe mënyra e sigurimit të tij. Po edhe buxheti i familjeve që ka një mirëqenie ekonomike nuk do të shpërdorohet për produkte jocilësore, më shumë do të vlerësohet konsumi i prodhimeve vendase.
Do t’i kushtohet më shumë vëmendje konsumit të produkteve të shëndetshme për të ruajtur imunitetin e trupit, sepse më të rrezikuar nga infeksioni janë njerëzit mbi peshë dhe ata të kequshqyer. Vigjilenca për mënyrën e të ushqyerit do të jetë më e lartë. Por nuk mendoj se kjo do të zgjasë shumë, do ta harrojnë dhe do të kthehen sërish në normalitet. Kjo pasi shtresa e varfër do të kenë tendencën të kursejnë, sidomos te produktet shtazore, vaji i ullirit, djathi apo peshku që janë të kushtueshme.”
Si do të strukturohet ekonomia
Bujqësia në vend zë peshën më të madhe në ekonomi. Për vitin 2017, bujqësia zuri 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, krahasuar me vendet e rajonit, pesha e bujqësisë është shumë e lartë, në Kosovë zë 9% të PBB-së, në Maqedoni 7,9% dhe Mal të Zi 6,8%. Industria e shërbimeve zë peshën më të ulët në ekonominë tonë në krahasim me vendet e rajonit.
Në vend, kjo industri zë 51% të PBB-së, ndërkohë në Malin e Zi, për shkak të zhvillimit të turizmit, zë 74%, në Kosovë 57,4%. Manifaktura zë vetëm 5.6% të peshës në ekonomi, ndërsa në Bosnjë 13.2%; në Kosovë 13.2%; në Maqedoni 11.8% të ekonomisë; në Malin e Zi, 4.9%. Serbia ka peshën më të lartë të manifakturës në ekonomi, me 19.1%.
Sipas Selami Xhepës, president i Universitetit Europian të Tiranës, ndryshimet strukturore kërkojnë vite që të përvijohen në treg, por interesi për bujqësinë dhe ushqimin do të jetë më i fortë. Zoti Xhepa nënvizon se mbijetesa e bizneseve në periudhën e pas COVID-19 do të jetë e lidhur me ndryshimin strukturor të tyre, bazuar në aftësinë dhe zgjuarsinë e investimeve në teknologji. Alokimet e investimeve private do të jenë të shumta, ndërsa uron që edhe investimet publike të mbështesin funksionimin e kësaj infrastrukture.
“Manifaktura dhe kompanitë prodhuese të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, në qoftë se kanë interesa serioze për t’i bërë ballë gjendjes së re që ka krijuar tregu dhe ambientit të ri të konkurrencës, nuk do të kenë tjetër alternativë shpëtimi përveç investimit në teknologji. Ndryshimi tjetër strukturor, që mendoj se duhet të ndodhë, do të jetë përmirësimi i teknologjisë i industrive ekzistuese, pasi kjo do të ishte mundësia e vetme e ekonomisë për t’u bërë ballë situatave të tjera që do të ndeshen edhe në të ardhmen”, sqaron Xhepa.
Ai pohon se bizneset duhet të përshtaten me një model të ri në raport me lëndët e para dhe komponentë të tjerë. Nëse më parë, filozofia e zero inventarëve ishte dominuese, pra sa më pak inventarë, sepse në fakt shpejtësia e mbërritjes të dërgesave në kushtet e transportit të sotëm nuk përbënte ndonjë problem, tani e tutje bizneset duhet të jenë më të kujdesshme në këtë pikë, duke krijuar stoqe, rezerva në imputet e tjera për të garantuar funksionimin e tyre në këtë periudhë.
“Kjo periudhë përshtatje është në afatmesëm. Mendoj se njerëzit dhe bizneset duhet të fillojnë të reflektojnë dhe duhet që të nxiten. Prirjen e parë e shoh të motivuar në ndryshimet e sjelljes të stilit të konsumatorit, ku kërkesa për produkte bujqësore, ushqimore, etj., do të vazhdojë të mbetet e fortë. Ndryshimet që po ndodhin në sistemin global të tregtisë, të cilat kërcënojnë herë pas here me bllokimin, siç po ndodh aktualisht, ku Rusia kërcënon me import-eksport të grurit.
Të gjitha këto motivojnë këtë lloj sjellje. Për sa i përket sjelljes tjetër për teknologjinë e shoh si proces përshtatje për firmat në periudhe afatmesme, pasi kjo nuk është një gjë që realizohet brenda natës. Por sipërmarrësit që do të jenë të suksesshëm dhe do të mbijetojnë, do të jenë vetëm ata që do të kuptojnë rëndësinë e investimit në teknologji. Nevoja për më shumë rezerva sigurie dhe inventarë më të fuqishëm është një çështje praktike, e cila mund të funksionojë edhe tani në afatshkurtër”, deklaron Xhepa.
Bizneset e vogla, Baret dhe restorantet, drejt falimentimit
Sot, 87% e bizneseve në vend kanë 1 deri në 4 të punësuar. Pjesa dërrmuese e tyre, ose rreth 82 mijë subjekte të vogla janë në aktivitetin e tregtisë, shërbimeve, bareve e restoranteve dhe për fat të keq do të përballen me vështirësi të mëdha mbijetese. Në to janë të punësuar gjithsej rreth 120 mijë persona.
Baret, restorantet dhe klubet e natës janë aktivitetet më të rrezikuara për shkak të pandemisë. Ekspertë të ekonomisë, të shitjeve në treg, si dhe përfaqësues të shoqatës konfirmojnë riskun e lartë për falimentim të biznesit të vogël, për shkak të rritjes së kostove, mospërshtatjes me masat e reja dhe pamundësisë për të adaptuar risi teknologjie. Numri i bareve dhe restoranteve në vend është i konsiderueshëm. Sipas shifrave të INSTAT, për vitin 2018, në vendin tonë janë 14,776 bare dhe 3,215 restorante, ose rreth 17% e totalit të bizneseve në vend, që kanë mbi 10% të të punësuarve në sektorin privat. Vetëm në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka 18% të të punësuarve në biznesin e vogël.
Enri Jahaj, anëtar i bordit drejtues të Shoqatës të Bareve, Restoranteve dhe Klubeve, pohon se rregullat strikte për distancimin fizik dhe orari i reduktuar deri në 17:30 për klientët do të falimentojnë biznesin e bareve dhe restoranteve. Për të, të hysh në një bar tashmë do të thotë të hysh në një stacion ushtarak.
“Në sektorin tonë, 50 deri në 60% e bareve, restoranteve, klubeve janë të goditura nga kriza, janë në prag të falimentimit. Po flasim për një katastrofë reale financiare dhe sipas parashikimeve me normat e distancimit social dhe lehtësimit të masave, stina e verës do të ikë pa u ndier, po me ardhjen e dimrit, nëse pandemia do të riaktivizohet, rreziku do të jetë shumë i lartë”, shprehet Jahaj.
Ai pohon se të gjithë në këtë sektor janë të frikësuar, pasi ka biznese që përqindjen më të madhe të xhiros e kanë në orët e pasdites dhe kjo i shton më shumë koston se sa i lehtëson. “P.sh., një strukturë bosh sot një X biznesi i kushton 100 mijë lekë, duke përfshirë shpenzimet e dritës, ujit, taksave të bashkive. Në momentin që kjo strukturë bëhet gati për punë, shpenzimet shkojnë nga 250 mijë lekë në 500 mijë lekë, për shkak të shpenzimeve për furnizime ku një pjesë e produkteve kanë shkuar dëm.
Në momentin që kemi xhiro prej 200 mijë lekësh, humbjet janë 300 mijë lekë. (500.000 lekë shpenzimet-200.000 lekë xhiro=300.000 humbje). 30 deri në 40% të pronarëve janë të frikësuar nëse ia vlen ta hapësh, apo t’i mbajmë mbyllur bizneset deri në një moment të dytë të lehtësimit të masave. Ne nuk jemi kundër masave dhe nuk kërkojmë të jemi shkaktarë të përhapjes të epidemisë. Për ne është dita zero, pavarësisht viteve që kemi në biznes. Është njësoj sikur po hapim bizneset nga fillimi dhe nuk dimë se çfarë do të ndodhë të nesërmen” deklaron Enri Jahaj.
Për të, perceptimi i përgjithshëm është që qytetarët kanë ndryshuar sjelljen sociale dhe takimet me njerëzit janë jonormale për shkak të distancimit. Imagjinoni – thotë ai – se sa ka ndryshuar perceptimi te një biznese ku 50% e zë produkti dhe 50% shërbimi.
“Ne si shoqatë parashikojmë që do të ketë një falimentim në masë, sidomos bizneset familjare të ngritura me investime minimaliste nuk do t’i mbijetojnë dot krizës dhe sjelljes sonë ndryshe. Po flasim që tashmë klientët do të hyjnë në një ambient që në fillim do t’i matet temperatura, ku do të jesh i detyruar të respektosh distancën dhe nëse klienti këtë e harron, do t’i rikujtohet nga stafi pasi struktura penalizohet”, pohon Jahaj.
Nga të dhënat e shoqatës, parashikimi për klubet e natës është shumë i zymtë. “Nëse qeveria nuk ndërhyn me grante apo subvencionim të qirasë, këto biznese do të falimentojnë. Flasim për struktura që kanë kushtuar me qindra apo mijëra euro dhe me kosto të lartë në mirëmbajtje”, pohon Jahaj.
Edhe Selami Xhepa nënvizon se jo të gjithë bizneset e vogla do të mbijetojnë për shkak të rritjes të kostove. “Për biznesin e vogël, kjo situatë krijon presion për reduktim klientele, sepse me masat e reja të mbrojtjes së shëndetit edhe në vazhdimësi njerëzit nuk do të preferojnë të sillen si më parë, por do të duan të qëndrojnë në tavolina të shkëputura. Por e gjitha kjo është një kosto më e lartë, çka nënkupton që jo të gjithë i bëjnë ballë. Mendoj se edhe te bizneset e vogla, ky proces do të shoqërohet me falimentim, por ata që do të mbijetojnë do të gëzojnë”.
Rritja e kostove për baret dhe bizneset e vogla dhe përgjithësisht ato familjare do të bëjë që ato të kalojnë një situatë shumë të vështirë në këtë periudhë, sipas Genti Çelës, drejtor i shitjeve në kompaninë “Marketing & Distribution”.
“Kjo pasi aftësia e tyre financiare nuk i mundëson përshtatjen me situatën. Në këtë kategori hyjnë edhe baret. Kjo për disa arsye:
së pari, jo të gjitha kanë hapësirë jashtë ambientit për t’u shërbyer klientëve;
së dyti, zvogëlimi i hapësirës me minimumi 30% për shkak të distancimit të klientëve nga njëri- tjetri do të zvogëlojë të ardhurat e lokalit;
së treti, jo të gjithë klientët do t’i kthehen zakonit të tyre të vjetër të konsumit në bare për shkak të frikës nga përhapja e virusit; së katërti, orari i funksionimit të lokaleve deri në 17:30 do të reduktojë konsumatorët që janë në marrëdhënie pune gjatë kësaj fashe orare. Kostot e operimit do të jenë më të larta se më parë.
Dy herë në ditë dezinfektim, kontrolli shëndetësor i personelit, pastruesit dhe dezinfektuesit për klientët etj. Ndërkohë që nuk dihet nëse ‘paga e luftës’ do të vijojë të jepet në të ardhmen, por edhe nëse jepet, nuk besoj se do jetë pjesë e shpenzimeve për baret dhe restorantet”, pohon Çela.
Mbyllja e bizneseve dhe rritja e vështirësive të tyre për të punuar pritet të rrisë shifrat e papunësisë. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, janë rreth 61 mijë persona të dalë nga skema e sigurimeve, dhe ku një pjesë e punonjësve, ende nuk e kanë marrë ndihmën financiare në llogarinë e tyre bankare. Po ashtu, siç pohuan ekspertët, blerjet janë përqendruar vetëm në produktet bazë, ndërsa për shërbimet dhe produktet e luksit, kërkesa është në rënie.
Shqipëria, edhe sipas Bankës Botërore, është më e rrezikuara nga kriza e COVID-19 te punësimë, për shkak të nivelit të lartë të vetëpunësimit, me 35% të totalit. Siç vëren Banka Botërore, shumica e vendeve të punës janë informale dhe të përkohshme. Të punësuarit informalë zënë 61% të totalit të të punësuarve në vend, ndërsa 9,7% e zënë të punësuarit e përkohshëm apo ata që kanë një punë sezonale.
“Me përhapjen e krizës së COVID-19, ka gjasa që këto vende pune të shkatërrohen, duke përmbysur arritjet e viteve të fundit në këtë drejtim. Ç’është më e keqja, shumë prej këtyre punëtorëve mund të mos kenë akses në rrjetat e sigurisë shoqërore”, thekson Banka Botërore në raportin e Rregullt Ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor. /Monitor/