Nga Boldnews.al
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) është përfshirë në një tjetër skandal të rëndë. Bëhet fjalë për një skemë mashtrimi dhe korrupsioni të ushtruar nga zyrtarë të OSHEE.
Emisioni investigativ “STOP” nëxorri në dritë sesi punonjës të OSHEE arrinin të fshihnin detyrimet e prapambetura. Përballë kamerës së fshehtë, punonjësi i OSHEE i kërkon 350 mijë lekë (të vjetra) debitorit në këmbim për fshirjen e 1.27 milion lekë (të vjetra) detyrime të prapambetura.
E gjithë skema do të relizohej nëpërmjet vërtetimeve të invaliditetit, ku OSHEE me anë të një vendimi të mëparshëm fal çdo detyrim të prapambetur ndaj kësaj shtrese të shoqërisë. Sekseri i kësaj afere korruptive është punonjësi i një firme private sigurimi Emirjon Lluka, i cili falë njohjeve që kishte me dy specialistë të Kujdesit ndaj Klientit në OSHEE, siguronte fshirjen e debive madje edhe të shumave të larta.
Në bisedime, Lluka i premton qytetarit se do t’i fshijë 1.27 milion lekë (të vjetra) në këmbim të një kafeje që do t’ia jepte shefit. Ai i kërkon qytetarit 350 mijë lekë (të vjetra) rryshfet për tia kthyer borxhin nga 1.27 milion lekë (të vjetra) në 12 mijë lekë ( të vjetra).
Në diskutime, Lluka tregon se drejtuesi i OSHEE i ka udhëzuar vartësit e tij që të “punojnë” në maksimum për të mbushur xhepat e tyre. Edhe pse është një roje private, Emirjon Lluka tregon se vetëm ai ka bërë mbi 15 falje detyrimesh të prapambetura falë njohjes që ka me specialistët dhe drejtuesit e OSHEE.
Lluka tregon se ka arritur të fshijë edhe borxhe me 5-6 milion lekë (të vjetra) nëpërmjet skemës së ligjit të invaliditetit. Ai tregon se e ka tepër të lehtë të sigurojë libreza invaliditeti, ndërsa shton se në këtë skemë është i përfshirë supervizori i degës së OSHEE dhe një drejtues i lartë i qendrës së OSHEE.
Por teksa shteti refuzoi të falë borxhet ndaj OSHEE, nga ana tjetër indirekt është ngritur një megaskemë korruptive që jo vetëm dëmton buxhetin e shtetit por gjithashtu varfëron edhe më tej qytetarët.
Ndërkohë Policia e Shtetit ka arrestuar punonjësin e firmës private Emirjon Lluka, ndërsa është treguar e butë me dy zyrtarët e lartë të OSHEE që dyshohen për korrupsion. Shtetasit E. M., 27 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist të Kujdesit Ndaj Klientit OSHEE dhe M. B., 30 vjeçe, banues në Tiranë, me detyrë specialiste të Kujdesit Ndaj Klientit OSHEE, janë proceduar në gjendje të lirë.
Qindra qytetarë janë arrestuar për lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, ndërsa policia po vepron me dy standarde në rastin konkrret duke toleruar grabitësit e veshur me pushtet. Edhe prokuroria ka treguar neglizhencë ndaj këtij rasti, duke mos urdhëruar masë arresti me burg për dy zyrtarët e OSHEE.