Në një intervistë për Ilva Taren në Euronews Albania, e para që jep në mediat shqiptare, ambasadorja e USA, Yuri Kim, ka folur për shumë tema, por ka vendosur theksin tek llogaridhënia dhe transparenca e përdorimit të fondeve.
Kim thotë se është detyrë e qytetarëve të kërkojnë llogari si përdoren fondet, të pyesin, të ushtrojnë presion, e të marrin përgjigje. Kim tha se ajo është në gjendje në çdo moment të shpjegojë se si përdoren paratë e taksapaguesve amerikanë në Shqipëri, dhe të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe qeveria. Më poshtë, një pjesë nga intervista me Ilva Taren, sot pasdite, e ambasadores së USA në Tiranë.
Ilva Tare: Ka ndihmë por ka edhe llogaridhënie dhe këtë kanë dashur shqiptarët nga SHBA, kanë pritur nga ju, nga ambasadori amerikan këtu që të thotë të vëretetën për Shqipërinë, për llogaridhënien e qeverive ndaj, më lejoni t’ju pyes për vlerësimin se si është sjellë qeveria për sa i përket masave të marra, faktit që gjendja e fatkeqësisë natyrore u zgjat deri më 23 qershor dhe që Kodi Penal u ashpërsua për të ndëshkuar personat e infektuar që shkelin vetëizolimin, çka shkaktoi shqetësime për rreth 30 organizata të të drejtave të njeriut. Për ta, ishte diçka joproporcionale dhe shkelje e të drejtave dhe lirive themelore.
Ambasadorja Kim: Mendoj se rezultatet flasin vetë për sa i përket mënyrës se si qeveria e ka trajtuar çështjen e koronavirusit. Do të thoja se qeverisë i takon meritë, por iu takon edhe të tjerëve, përfshi qytetarët shqiptarë. Sepse nuk do të kishte ndodhur nëse shumica dërrmuese e njerëzve nuk do t’iu ishin përmbajtur masave shumë shtrënguese. Prandaj, si rezultat i kontributit të secilit, niveli i infektimeve dhe numri i vdekjeve u mbajt në nivel mjaft të ulët.
Për sa i përket llogaridhënies, mendoj se ajo qendron në zemër të një demokracie dhe sundimit të ligjit dhe keni të drejtë që përqendroheni tek ajo. Nuk është detyrë e Ambasadës së SHBA apo Qeverisë së SHBA që t’ia kërkojë këtë qeverisë shqiptare. Është diçka që duhet ta kërkojë populli shqiptar.
Për mua, si përfaqësuese e Qeverisë së SHBA këtu në ambasadë, në çdo çast jam e përgatitur të përgjigjem se si i shpenzojmë dollarët e taksapaguesve amerikanë në ambasadë, dhe mendoj se populli shqiptar duhet të ketë të njëjtën pritshmëri nga qeveria e vet. Duhet të kërkoni përgjigje, duhet të bëni pyetje dhe…
Ilva Tare: Problemi është të marrim përgjigje, Zonja Ambasadore dhe…
Ambasadorja Kim: Duhet të ushtroni presion për të …
Ilva Tare: Duhen institucione të forta që punojnë dhe vlerësojnë transparencën..
Ambasadorja Kim: E saktë…
Ilva Tare: Mendoni se është ky rasti në Shqipëri?
Ambasadorja Kim: Mendoj se ka gjithmonë hapësirë për përmirësim dhe mendoj se ka disa hapa pozitive që po merren dhe pritshmëria është që kjo do të vazhdojë dhe sigurisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i mbështesin këto përpjekje.
Ilva Tare: Shpresoj të ndodhë kjo dhe që do të flasim për bashkëpunimin për reformat pak më vonë në këtë intervistë. Organi anti-korrupsion dhe anti-krim i organizuar SPAK u ngrit më në fund, me vonesa të konsiderueshme dhe aktualisht po heton Ministren e Mbrojtjes dhe Ministren e Shëndetësisë për ato që opozita i quan tendera sekretë edhe pse qeveria pretendon se nuk ekzistojnë tendera sekretë. Çfarë mendoni për transparencën e vendimeve të qeverisë në këtë krizë, gjatë Covid19 dhe transparencën mbi shpenzimet publike?
Ambasadorja Kim: Siç e përmenda më parë, qeveritë kanë detyrimin të jenë në gjendje t’iu shpjegojnë taksapaguesve pikërisht se si përdoren taksat e tyre.
Ilva Tare: A mendoni se ky detyrim është përmbushur nga qeveria shqiptare?
Ambasadorja Kim: Këtë e vendos SPAK. Ata do të shohin faktet dhe pres me kënaqësi, ashtu si kushdo tjetër në Shqipëri, se cilat do të jenë rezultatet. Por ekziston një proces dhe është gjëja e duhur që SPAK ta vendosë këtë çështje. Jo unë.