“Arkitektura formon fytyrën e botës. Ajo asnjëherë nuk ka përcaktuar ndarje, nuk ka krijuar territore. Është fryma e gjithë njerëzimit. Kush e do këtë profesion, duhet të betohet para natyrës dhe jo para politikanëve. Arkitekti duhet të betohet para një mali, para një pylli, para një lumi: Do jem si ju, aq i pastër, aq harmonik, aq gurgullues, aq i qetë. Do t’u jap njerëzve hapësirë dhe dritë…”
Ishte kjo porosia e Maks Velos për brezin e rinj të arkitektëve. E ndau me ta një vit më parë në konferencën ndërkombëtare të “Share”, ndërsa rrëfente se Shoqata e Arkitektëve me Armand Vokshin ka nisur të funksionojë.
Sot, me keqardhjen që një nga personalitet që e frymëzoi dhe atë vetë është ndarë fizikisht nga kjo botë, Vokshi tregon se e ardhmja e këtij profesioni për të rinjtë në Shqipëri ishte një shqetësim që e brente. “Gjithmonë e thoshte që arkitektët mund e po bëjnë gjëmën me veprat e tyre të shëmtuara e pa ide në qytetet tona”, tregon arkitekti për Gazetën “Panorama”.
Me Velon, krahas aktiviteteve, ku Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë i ka dhënë vend nderi, e bashkojnë edhe mjaft qëndrime mbi trashëgiminë arkitektonike, siç është edhe rasti i Teatrit Kombëtar, ku janë shprehur kundër shembjes së godinës, pasi mbart vlera të trashëgimisë kulturore e historike për vendin. “Rasti i Teatrit, së fundmi, por edhe çdo dalje e mëhershme publike e tij ka qenë tejet e pastër, e pakontaminuar nga politika, përfitimi ekonomik apo nga çdo ideologji tjetër, përpos së mirës publike dhe të konservimit të vlerave të qyteteve tona”, shton Vokshi, duke folur edhe për projektet që kishin në dorë me Velon e që “Shash” po punon për t’i çuar deri në fund.
Zoti Vokshi, ndahet nga jeta një nga mjeshtrit e arkitekturës shqiptare (si dhe pjesë e enciklopedisë botërore të arkitekturës), me të cilin ju keni bashkëpunuar vitet e fundit dhe gëzonit stimën e tij. Si e pritët këtë lajm dhe çfarë humbet sot arkitektura shqiptare me largimin e një figure të tillë?
Lajmi për humbjen e papritur të Maks Velos na hidhëroi. Ai është një nga figurat më interesante në të gjithë historinë e arkitekturës shqiptare. Për këtë, Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë e vlerësoi vjet si arkitektin e parë të vlerësuar me çmimin “Mjeshtër në Arkitekturë”. Personalisht, Velo më ka frymëzuar jashtë mase me dinamizmin dhe thellësinë e mendimit që ai kishte për arkitekturën, urbanistikën, artin, por edhe me temat e ndryshme kulturore në përgjithësi. Jeta e Maksit është e denjë për një skenar filmi të suksesshëm botërisht, pasi ai kaloi momentet ekstreme më të paimagjinueshme për çdo realitet normal të një bote normale. Pavarësisht asaj që u detyrua ta kalonte, në çdo moment ia ka arritur të qëndrojë në maja, falë mendjes së ndritur e personalitetit të fortë.
Zoti Velo ishte edhe pjesë e “Share arkitekt” një vit më parë, ku mbajti edhe një fjalim-porosi për arkitektët e rinj, si dhe në aktivitete të tjera kombëtare e ndërkombëtare, që shoqata ka organizuar. Çfarë veçoni prej tyre?
Në “Share”, por edhe në aktivitete të tjera, ai vëmendjen e ka pasur te brezi i ri. Ka qenë gjithmonë kritik në mënyrën dhe mbi cilësinë që ata formohen në Tiranë, duke kërkuar të bëhet më shumë e më mirë. Ai gjithmonë e thoshte që arkitektët mund e po bëjnë gjëmën me veprat e tyre të shëmtuara e pa ide në qytetet tona. Në librat që ka shkruar në vitet e fundit, nuk ka ngurruar të jetë i ashpër me çdo prezencë arkitektonike në kundërshtim me rregullat bazë të kompozimit. Parimet mbi arkitekturën i vendoste mbi ato shoqërore, duke krijuar edhe fërkime me miqtë e tij. Këto ishin disa nga karakteristikat e forta të këtij njeriu të madh.
Nga “pallati i Kadaresë”, tek ish-kinema “Pionieri”, godina e ATSH-së, shkolla “Emin Duraku”, ish-hotel “Arbana” etj., cila është vepra e Velos që ju keni më për zemër dhe çfarë e bën atë të veçantë?
Kontributi i tij në arkitekturë është atipik në raport me kohën dhe vendin ku janë ndërtuar projektet. Kjo veçanti e veprave të tij do të bëhej edhe guri i rëndë, të cilin regjimi ia ngarkoi mbi shpinë, duke e përndjekur vite rresht. Unë mendoj se ka shumë vepra interesante dhe të gjitha janë të goditura për nga mënyra e kompozimit. Imagjinoni që pas vitit 1973, në kulmin e prodhimtarisë, atij iu ndalua të bënte atë që dinte të bënte më mirë, të kompozonte arkitekturë poetike. Mua me pëlqejnë, sidomos bisetkat e bëra te Parku i Madh i Liqenit Artificial. Ato janë një poezi në natyrë.
Me të ju bashkonte edhe kauza e mbrojtjes së godinës së Teatrit Kombëtar, si e keni parë qëndrimin e Velos ndaj kësaj çështje?
Maks Velo ka qenë gjithmonë, në çdo diskutim, tejet largpamës dhe mjaft i saktë në qëndrimet e tij, për sa u përket mendimeve mbi trashëgiminë arkitektonike, vlerat kulturore, si dhe mbi urbanistikën e qyteteve tona. Rasti i Teatrit, së fundmi, por edhe çdo dalje e mëhershme publike e tij, ka qenë tejet e pastër, e pakontaminuar nga politika, përfitimi ekonomik apo nga çdo ideologji tjetër, përpos së mirës publike dhe të konservimit të vlerave të qyteteve tona. Mendoj se do duhet akoma shumë kohë që të kemi mes nesh një figurë të tillë kaq brilante të këtij dimensioni dhe një zë të fuqishëm ku çdokush bënte pas kur e dëgjonte. Në emër të Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë ngushëllojmë përzemërsisht të gjithë të dashurit dhe miqtë e tij. Arkitektët shqiptarë janë në zi. /Panorama/