Nga Matt Ridley, Spectator
Ne dimë gjithçka për Sars-CoV-2 dhe asgjë për të. Ne mund të lexojmë secilën nga 29.903 gërmat e gjenomit të tij dhe e dimë saktësisht se si 15 gjenet e tij janë transkriptuar në udhëzime për të prodhuar proteinat e duhura. Por nuk mund të kuptojmë se si përhapet në detaje, për të treguar se cilat pjesë të izolimit të shoqërisë janë të nevojshme dhe cilat janë të kota. Disa muaj në krizë dhe akoma jemi në një mjegull injorance duke bërë gabime. Nuk ka diçka të tillë si ‘shkenca’.
Kjo nuk është për t’u habitur apo e turpshme: injoranca është gjendje natyrore e gjërave. Çdo sëmundje e re është e ndryshme dhe epidemiologjia e saj bëhet e qartë vetëm gradualisht dhe në retrospektivë. A transmetohet më shumë Covid-19 nga fryma apo nga e prekura? A e kalojnë fëmijët pa u sëmurë? Pse është më keq Britania se Japonia? Pse obezët janë më të rrezikuar? Sa njerëz e kanë pasur infeksionin? A janë të nevojshëm ventilatorët te e fundit? Përse nuk ka shpërthime në Indi dhe Afrikë? A do ketë një valë të dytë? Ne ende nuk kemi nisur të kemi përgjigje për këto pyetje.
Si rezultat nuk e dimë se çfarë funksionon në të vërtetë. Është e mundur që larja e duarve dhe mos-shtrëngimi i duarve me të tjerë, mos-grumbullimi në turma të mëdha, si dhe mbajtja e maskës në publik, të jenë më shumë se të mjaftueshme, siç sugjeron rasti i Suedisë. Mbyllja e shkollave dhe dyqaneve dhe policimi agresiv nëpër parqet me diell mund të ketë ndikuar pak në zvogëlimin e shkallës së përhapjes.
Por ka një fakt vital që del nga mjegulla. Vendet që kanë bërë më shumë testime që nga fillimi, ia kanë dalë shumë më mirë se vendet që kanë bërë pak testime. Kjo është e vërtetë jo vetëm për shumë vende aziatike, siç është Koreja e Jugut, por edhe brenda Europës. Deri në mesin e muajit të kaluar, Islanda, Lituania, Estonia dhe Gjermania kishin bërë shumë më tepër testime për 1 milion banorë dhe kishin regjistruar shumë më pak vdekje për 1 milionë njerëz se Belgjika, Britania, Italia dhe Suedia. Siç thotë Max Roser i faqes ‘Bota në të dhëna’: Vendet me shkallën më të lartë të vdekshmërisë arritën atje duke pasur shkallën më të ulët të testimit.
Kjo është e vërtetë edhe për rajonet brenda vendeve. Në Groningen në veri Holandës, niveli i vdekjeve u rrit me 4 përqind, kurse në jug të vendit në Brabant, niveli i vdekjeve u dyfishua. Dallimi varet nga testimi.
Megjithatë nuk është e qartë se pse testimi bën ndryshimin, veçanërisht në numrin e vdekjeve. Testimi nuk kuron sëmundjen. Arritja befasuese e Gjermanisë me një normë vazhdimisht të ulët vdekjesh duket e çuditshme- derisa mendon se ku janë gjetur shumica e rasteve të hershme: në spitale. Duke bërë shumë testime, vende si Gjermania e kanë mbajtur pjesërisht përhapjen e virusit brenda sistemit të kujdesit shëndetësor. Gjermania, Japonia, dhe Hong Kongu kishin protokolle të ndryshme dhe më efektive në vend që nga dita e parë për të parandaluar përhapjen e virusit brenda azileve dhe spitaleve.
E vërteta e tmerrshme është se tani duket se në shumë prej rasteve të hershme, sëmundja ndoshta merrej në spitale dhe në sallat e operacioneve. Pikërisht aty virusi po vazhdon të rikthehet, në mushkëritë e njerëzve, dhe pikërisht aty e merr personi tjetër, përfshirë shumë punonjës të kujdesit shëndetësor. Shumë nga këta mund të mos e kenë kuptuar se e kishin virusin, ose kanë menduar se kishin një ftohje të butë. Më pas ia kaluan shumë prej pacientëve të sëmurë që ishin në spital dhe për arsye të tjerë, disa prej tyre u dërguan në azilet e të moshuarve.
Dëshmitë nga Ëuhan dhe nga Italia sugjerojnë se epidemia mori forcë në mjediset e kujdesit shëndetësor, kryesisht mes të moshuarve dhe personave vulnerabël. Por autoritetet kineze ishin të kujdeshëm duke karantinuar në ambiente speciale ata që testoheshin pozitivë, duke i mbajtur larg nga spitalet. Duket se kjo ka qenë vendimtare. Në Britani, të dhënat sugjerojnë se shumë prej pacientëve erdhën në spital me diçka tjetër dhe më pas morën virusin. Ka të ngjarë që të moshuarit dhe të dobëtit- të cilët i ka shënjestruar më shumë virusi për ndëshkim- kanë shkuar në spitale apo klinika për sëmundje të tjera dhe shumë prej tyre janë infektuar aty gjatë muajve shkurt dhe mars.
Në Belgjikë, vendi me epideminë më të rëndë për numër banorësh (edhe pse numrat janë fryrë nga mënyra se si një vend i përcakton vdekjet Covid), të gjithë 210 mijë banorët e azileve për të moshuar u testuan gjatë gjysmës së dytë të prillit. Rreth 10 përqind rezultuan pozitivë për virusin. Pra një në dhjetë e kishin atë gjatë kohës së testimit, jo që e kanë pasur më parë.
Nëse Covid-19 është të paktën pjesërisht një sëmundje e fituar nga spitali, atëherë pandemia mund të zhduket më shpejt nga sa pritet. Shkalla e vdekjeve arriti pikun këtu më 8 prill, vetëm dy javë pasi nisi izolimi, gjë që është e çuditshme nisur nga fakti se zakonisht pritet të paktën katër javë për të parë nëse njerëzit do vdesin nga infeksioni. Nëse sheh të dhënat për frymë në Europë, të gjitha tregojnë një zvogëlim të rritjes shumë më herët nga sa pritej prej bllokimeve.
Kjo ide mund të jetë e gabuar, natyrisht: siç them vazhdimisht, ne thjesht nuk dimë sa duhet. Por nëse është e drejtë, ajo sugjeron se e famshmja R (R0) ose shkalla e riprodhimit të virusit mund të ketë qenë shumë më e lartë në spitale dhe azile dhe shumë më e ulët në komunitet. Nuk ka kuptim të flasim për një numër të vetëm për tërë shoqërinë. Modeli i thjeshtë i Kolegjit Imperial, i cili po përhapet në botë si një virus, duhet varrosur. Tani na duhen të dhëna, jo modelime.
Një studim i 391 rasteve me Covid-19 dhe 1286 kontakteve të tyre në rajonin Shenzhen të Kinës zbuloi se 80 përqind e rasteve janë transmetuar nga vetëm 9 përqind e bartësve të virusit, dhe se vetëm 11 përqind e atyre që ndajnë një shtëpi me bartësin, u prekën nga virusi. Në kontrast, një studim në një azil të moshuarish në shtetin e Uashingtonit zbuloi se 23 ditë pas zbulimit të rastit të parë, 64 përqind e banorëve ishin pozitivë dhe gjysma e tyre nuk shfaqnin simptoma. Një analizë nga dr. Muge Cevik mbi 14 studime të ngjashme zbuloi se kontakti i zgjatur dhe i ngushtë ishte i nevojshëm për transmetimin e virusit dhe se rreziku është më i lartë në mjedise të mbyllura: familje, objektet e kujdesit afatgjatë dhe transporti publik. Ajo shton: “Ndërveprimet e rastësishme nuk janë shtytësi kryesor… intensiteti epidemik formohet fuqishëm nga grumbullimi”.
Nëse të moshuarit, obezët dhe të dobëtit janë më në rrezik jo vetëm për të vdekur, por edhe për t’u infektuar, atëherë me përkufizim, të gjithë të tjerët janë më pak të tillë.
Nëse kjo është e drejtë, atëherë ky është një lajm i mirë. Pasi epidemia të vihet nën kontroll në spitale dhe shtëpitë e përkujdesjes, sëmundja mund të vdesë gjithsesi, edhe pa bllokim. Në kontrast të mprehtë me modelin mes të moshuarve, fëmijët nuk e transmetojnë virusin thuajse fare. Një studim i fundit i pediatërve nuk zbuloi një rast të vetëm që fëmijët e kalojnë sëmundjen dhe theksoi se provat tregojnë për ‘infeksion dhe infektivitet të zvogëluar të fëmijëve në zinxhirin e transmetimit’. Një djalë që u prek nga virusi gjatë skive, nuk ia transmetoi asnjërit nga 170 kontaktet e tij, por ai kishte edhe ftohje dhe grip, të cilat ia transmetoi dy motrave të tij. Fëmijët duket se kanë receptorë ACE2- çelësi qelizor që përzgjedh koronavirusi- në hundë, por jo në mushkëri.
Kjo i bën modelet e bazuara te gripi- një sëmundje që godet më fort të rinjtë, një mashtrim. Sa më shumë të përdorë të rinjtë koronavirusi për të qarkulluar, aq më të pakëta i ka shanset për të mbijetuar. Rrezet e diellit të verës do e ngadalësojnë edhe më tej virusin, duke e vrarë direkt dhe duke rritur nivelin e vitaminës D. Vitamina D na mbron nga ftohja dhe gripi, dhe veçanërisht në dimër mungon te njerëzit obezë, me lëkurë të errët ose të moshuar, që janë treguar më të ndjeshëm ndaj Covid-19. Një studim në Indonezi tregoi se personat me mungesë të vitaminës D kishin deri 19 herë më shumë mundësi të vdisnin nga virusi se të tjerët me nivele të pranueshme të vitaminës.
Nuk do jetë e thjeshtë dhe do ketë pengesa, por testimi, pasuar nga gjurmimi, është rruga për të dalë nga kjo situatë.