Universitetet kanë afat deri më 15 maj që të sjellin planet e tyre të detajuara për mbylljen me sukses të këtij viti akademik. Ministrja Shahini, sot në komunikimin online me rektorët e universiteteve publike mbi marrjen e masave për mbylljen e vitit akademik 2019-2020, kërkon nga universitetet që të fillojnë një planifikim urgjent dhe serioz për mbylljen e vitit akademik në kushte të jashtëzakonshme.
“Situata me përhapjen e koronavirusit të ri në Shqipëri po shkon drejt përmirësimit nga dita në ditë, por nuk jemi ende plotësisht jashtë rrezikut”, shprehet ajo teksa nënvizon se çfarëdo hapje e pjesshme e universiteteve duhet gjithsesi të përcillet me protokolle strikte të ruajtjes së shëndetit të studentëve dhe pedagogëve.
Për këtë arsye, Ministrja Shahini thekson se ka kërkuar nga universitetet që të planifikojnë se cilat janë ato lëndë që do të mbyllen plotësisht online, që nuk do të kenë nevojë të kthejnë studentë fare në auditorë apo laboratorë; sa është numri i studentëve që kanë nevojë të kthehen në auditorë e laboratorë për punë të ndryshme para provimeve; dhe sa është numri i saktë i studentëve që do të bëjnë provime gjatë korrikut dhe fillim-gushtit të këtij viti, gjithmonë duke prioritizuar studentët që do të diplomohen.
Në këtë kuadër, Ministrja Shahini në video-mesazhin e saj shprehet se universitetet do të sjellin këto plane deri më datë 15 maj.
“Pastaj ne, në koordinim me MSHMS bëjmë edhe verifikimet e fundit për të parë nëse po plotësohen kushtet dhe kriteret për ruajtjen e shëndetit të studentëve dhe pedagogëve gjatë kësaj kohe kur duhet të punojnë në objektet e universiteteve”, ka thënë ajo.