Nga BoldNews.al
Sondazhet në Shqipëri tregojnë se media është një ndër aktorët më të besueshëm për luftën kundër korrupsionit në administratën publike.
Por zyra e OSBE-së në Tiranë e konsideron median si një faktor që është bërë shkak për mungesën e denoncimeve të rasteve korruptive.
Zyra e OSBE-së në Tiranë rendit raportimet “e medias joprofesionale” si shkakun kryesor për mos-funksionimin e ligjit për “bilbilfryrësit”, një mekanizëm që synon të përthithë denoncime për raste korruptive nga të punësuarit në institucionet shtetërore dhe kompanitë e mëdha private.
Qëndrimi absurd i zyrës, së drejtuar nga Bernd Borchard, gjendet në raportin për vitin 2019 të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
Në dokumentin që ILDKPKI ka vendosur në dispozicion të deputetëve, ka një seksion të veçantë për problematikat e zbatimit në praktikë të ligjit “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”. (bilbilfryrësit)
ILDKPKI citon në raport një vlerësim nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë, mbi zbatimin e legjislacionit për “bilbilfryrësit”, duke renditur disa aspekte problematike të theksuara nga zyra e Boschard, ndër të cilat mungesën e besimit të publikut tek institucionet.
Por, në krye të gjetjeve problematikave të OSBE-së, qëndron mënyra se si e ka trajtuar media ligjin për “bilbilfryrësit”.
Fajin e ka media?!
Sipas asaj që citon raporti vjetor i ILDKPKI-së, zyra e OSBE-së në Tiranë mendon se ka një perceptim të garuar nga një grup i madh aktorësh, përfshirë avokatë, media e profesionistë, të cilët prisnin rezultate të shpejta nga ky ligj, ndërkohë që nuk kanë marrë në konsideratë mungesën e besimit të qytetarëve tek institucionet.
Dhe, ky perceptim ose “këto pritshmëri u transmetuan në mënyrë të gabuar për publikun përmes një media joprofesionale dhe jo të informuar, e cila në vend që të promovonte këtë mekanizëm, negativisht solli stigmatizim në dispozitat e ligjit dhe praktikën e sinjalizimit”.
Kritikat dhe fjalori i përdorur nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë ka një ngjashmëri të lartë me frymën linçuese që përdor shpesh ndaj gazetarëve kryeministri Edi Rama, i cili, për koincidencë, drejton edhe presidencën e radhës të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian.
Organizata “Reporterët pa kufij”, në raportin e publikuar vetëm pak javë më parë, konstatuan regres në lirinë e medias në Shqipëri.
Ligjet kundër medias online, kufizimi i qasjes së gazetarëve në informacion, arrestimi i gazetarëve dhe aktivistëve dhe mbyllja e mediave kritike ndaj qeverisë, janë vetëm disa nga problemet që sipas organizatës Reporterët pa Kufij kanë çuar në përkeqësimin e lirisë së medias në Shqipëri. Për vitin 2019 ajo renditet e 84-ta nga 180 vende.
Përballë një kryeministri me prirje autoritare, media në Shqipëri merr një kritikë të ashpër dhe, me shumë gjasë, edhe të pavend, edhe nga zyra e OSBE-së në Tiranë.
Në një sondazh të zhvilluar nga Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim (IDM) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD, media renditej e treta, pas institucioneve fetare dhe forcave të armatosura, si institucioni më i besuar nga qytetarët shqiptarë.
Media në Shqipëri, përfshirë “Boldnews.al”, raportojnë thuajse çdo ditë mbi raste të dyshuara korruptive në administratën publike, në procedura të prokurimit publik, si edhe për vendimmarrje në kushtet e konfliktit të interesave.
Institucionet ligjzbatuese kanë informuar shpesh për nisjen e hetimeve për korrupsion, bazuar në indicjet mediatike. Vetëm pak ditë më parë, Prokuroria Speciale-SPAK, njoftoi se, falë indicjeve mediatike, ka nisur procedimet penale për ato që konsiderohen “tendera sekretë”, të zhvilluar gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.
Ligj i ri, fonde të reja
Ligji për “Sinjalizuesit” (bilbilfryrësit) është miratuar në vitin 2016, me asistencën e ekspertëve dhe financimin e Delegacionit të Bashkimit Europian, të drejtuar në atë kohë nga ambasadorja Romana Vlahutin.
Ligji hyri në fuqi një vit më vonë. Parlamenti ia ngarkoi përgjegjësinë e zbatimit të tij Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave.
Në 3 vitet e zbatimit të tij, ligji për “Sinjalizuesit” është shumë larg rezultateve të pritshme, me raste minimale të denoncimit të korrupsionit nga brenda radhëve të institucioneve.
OSBE-ja në Tiranë, referuar asaj që citohet në raportin vjetor të ILDKPKI, ka identifikuar 9 gjetje për mos-zbatimin e ligjit për “bilbilfryrësit”.
Përveç problematikës që sheh tek media, OSBE-ja ka renditur edhe një seri faktorësh të tjerë, përfshirë mungesën efektive të denoncuesve, ndërgjegjësimin e qytetarëve, mos-funksionimi si duhet i strukturave përgjegjëse në institucionet publike.
Praktikisht, zyra e OSBE-së në Tiranë ka “rrëzuar” pjesën më të madhe të ligjit, duke nxitur nevojën për modifikime thelbësore në nenet e tij.
Zyra e Borchard nxit, ndër të tjera, një debat publik, për “t’i paraprirë çdo nisme për ndryshime të shpejta në ligjin aktual”.
Për Prezencën e OSBE-së në Tiranë, ligji duhet ndryshuar, megjithëse ka vetëm tre vjet në fuqi dhe për hartimin e tij u shpenzuan para nga fondet e Bashkimit Europian.
Në atë kohë, OSBE-ja nuk kishte ekspertët e saj në hartimin e dispozitave të ligjit “Për Sinjalizuesit”. Por, shpreson që ndryshimet e mundshme ligjore të përfshijnë edhe ekspertët e saj në fondet që pritet të lëvrohen sërish nga Bashkimi Europian për të njëjtin ligj.