Qofte me mish derri dhe pastë pule që shiten si qofte me mish vici.
Emisioni investigativ “Fiks Fare” ka trajtuar në takimin e sotëm tregtimin e mishit në rrugët dhe tregjet e Tiranës. Përmes kamerave të fshehta, gazetarët e emisionit kanë treguar se si tregtarët mashtrojnë me etiketat ku reklamojnë se qoftet kanë përmbajtje me mish viçi.
Në të vërtetë, nga investigimi rezulton se vendin e mishit të viçit e kanë zënë stomakët e pulave dhe dhjami i derrit.
Në një prej subjekteve private ku kamera e fshehtë e “Fiksit” arriti të depërtonte, pronari i saj tha: “Kam shok Kreshnikun”, që i bie të jetë nëndrejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Nisur nga fakti që në çdo rrugë kryesore të kryeqytetit, zgarat kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, Fiks Fare realizoi një investigim mbi mënyrën e prodhimit të qofteve, me çfarë mishi përgatiten, përbërësit që i hidhen brenda gjatë përpunimit dhe kushtet higjienosanitare. Vëzhgimi u krye në disa rrugë kryesore, si ajo e Kavajës, e Durrësit, qendra e Tiranës, etj, ku çmimi i një qofteje varion nga 2025 lekë. Çmimi i lirë lidhet edhe me konsumimin e saj në masë.
Në të gjithë vendin janë 52 punishte të përpunimit të mishit. Numri më i madh i tyre është përqëndruar në qarkun e Tiranës. Plot 34. Në këto kushte, gazetarët e Fiksit shkuan në një nga pikat e prodhimit të qofteve, që ndodhet pikërisht në Laprakë, e cila nxjerr qofte në treg me etiketën “Xhois”. Në këtë punishte u bisedua me prodhuesin, i cili pretendon që shet qofte me mish gjedhi. Të tillë edhe e reklamon.
“Nuk janë qofte derri, janë gjedhi, janë importi. Kam edhe qofte për hamburgerë, por ato i marrin shkollat. Ato nuk janë për zgarë, janë për fastfood”, thotë pronari i punishtes gjatë bisedës me gazetarë e “Fiks Fare”. Por për të verifikuar fjalët e pronarit të kësaj pike, Fiks Fare shkoi në një pikë frigoriferike, ngjitur me punishten. Punëtori i frigoriferit tregon sesi prodhohen qoftet. Ai na jep formulën e prodhimit të qofteve. Në këtë formulë vetëm mish gjedhi nuk ka.
Kjo nuk ka kockë, as ajo nuk ka kockë. I hidhet 70 % pastë pule nga ata që duan të fitojnë, pasi kjo është më e lirë. I hedhin pak mish, i përziejnë dhe hanë mileti”, thotë punëtori i pikës frigoriferike. Të gjitha këto u verifikuan edhe nga inspektorët e AKU, të cilët ushtruan kontroll në punishten e zbuluar nga Fiks Fare, ku vërtetohet se mish gjedhi nuk ka fare.
Gjatë inspektimit, as teknologu dhe as drejtuesi teknik, nuk ndodhen në punishte. Pronari i saj, gjatë bisedës me inspektoren, kur ajo e pyet nëse ka përdorur mish gjedhi, ai e mohon një gjë të tillë. Ai pranon se ka përdorur mish derri, stomak pule, etj, por jo mish gjedhi. Madje, atij i gjendet sasi mishi me datë të kaluar skadence, ngjyrues, e shumë produkte të tjera, që nuk lejohen.
Në këto kushte, gjatë kontrollit të AKU-së, pronari i punishtes i drejtohet bashkëpuntorit të Fiks Fare, për të cilin mendon se është inspektor i AKU-së, se a do të marrin ndonjë lekë. Ai këkron të hyjë në Pazar me bashkëpuntorin e Fiks fare, duke menduar se është inspector i AKU-së.
Gjatë bisedës që bën me të lë të kuptohet se grupin e mëparshëm të inspektimit që i kishte shkuar për kontroll e kishte paguar. “Me thuaj pazarin. Sa do? Ik e bëj muhabet. Grupi që ka qenë përpara ka marrë nga një 50 –she. Sa doni ju? 150? A do merrni ndonjë lek ju, apo çfare do bëni?”, i thotë pronari bashkëpuntorit të Fiks fare, duke menduar se ishte inspektor i AKU-së.
Madje, me qëllim për të shpëtuar nga penalizimi, prezantohet si miku i Kreshnikut. Madje disa here gjatë bisedës me bashkëpuntorin e Fiks Fare përmend emrin e Kreshnikut, i cili mban postin e zv/drejtorit të përgjithshëm të AKU-së. “Jam shoku i ngushtë i Kreshnikut, s’jam duke e marrë fare në telefon. Kreshniku m’i ka bërë. E kam shok të ngushtë. Thuaj tani që është shoku i Kreshnikut”, i drejtohet pronari i punishtes bashkëpunëtorëve të Fiks Fare, i cili do të vijojë investigimin gjatë ditëve të tjera. Në fund të këtij kontrolli inspektorët e drejtorisë së AKUsë, Tiranë vendosën të bllokojnë punishten ku prodhoheshin qoftet deri në përfundim të analizave. /TCH/