Pavarësisht se kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, deklaroi se humbja në Dibër erdhi pasi u shitën votat, të kundërtën mendojnë deputetët demokratë.
Për të analizuar humbjen në Dibër, PD mblodhi sot grupin parlamentar, që sipas burimeve është duke u zhvilluar me polemika të forta.
Ka qenë deputeti Eduard Selami ai që ka kërkuari i pari shpjegime nga Basha se pse në fushatën për Dibrën, kryedemokrati mori disa figura të konsumuara, por që kanë qenë dhe kundër selisë blu.
“Duhet bërë një analizë e pastër e humbjes. Pse duheshin aleatë ata që kanë qenë kundër PD-së së Berishës. Zgjedhjet në Dibër u humbën për gabimet tona”, është shprehur Selami.
Për kundërshtarët e PD-së, Selami i referohej kryetarit të Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu. Ky i fundit ka qenë një nga kundërshtarët më agresivë të Berishës, ndërsa mazhoranca e asaj kohe e shkarkoi atë nga posti i nënkryetarit të KLD. Aq më tepër që Spahiu është një figurë që pas bashkëpunimit me Ramën nuk shikohet me sy pozitiv nga elektorati demokrat.
Ndërsa Basha i është përgjigjur Selamit me një deklaratë standarde, se rezultati i zgjedhjeve do të analizohet në çdo detaj.
Pika më e fortë e debatit ka ardhur kur Eduard Selami ka kërkuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të të diskutuar lidershipin e PD.
“Kërkoj mbledhjen e Këshillit Kombëtar, për të diskutuar lidershipin e PD. Janë katër humbje radhazi dhe nuk është bërë asnjë analizë. Nuk mund të shpjegohen humbjet vetëm me blerjen e votave”, ka theksuar Selami.
Nga ana tjetër, deputetja Majlinda Bregu e ka vënë kritikën e saj në një këndvështrim tjetër. Ajo ka kritikuar lidershipin e PD se degët e PD-së janë në bjerrje.
“Duhet të flasim hapur me njëri-tjetrin. Të flasim hapur se jemi në konfuzion total. A dini z.kryetar që degët tona janë në bjerrje totale?”, i është drejtuar Bregu kreut të PD-së.