Nga Boldenws.al
Një dokument i Ministrisë së Shëndetësisë provon se Qeveria Shqiptare nënshkroi një kontratë 3.5 milionë euro për furnizim me pajisje mbrojtëse nga COVID-19 me kompaninë “Farma Net Albania”, e cila prezantoi çmimet më të larta në treg.
Dokumenti, i siguruar ekskluzivisht nga “Boldnews.al”, konfirmon njëkohësisht se qeveria shqiptare ishte e papërgatitur për përballimin e pandemisë, pavarësisht deklaratave optimiste dhe propagandistike të kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deri në fillim të muajit Mars 2020.
Dokumenti, çmimet e larta të “Farma Net”
Në 14 Mars 2020, pak ditë pasi Shqipëria ishte përfshirë në “izolimin kombëtar” për shkak të korona-virusit, Ministria e Shëndetësisë zhvilloi një testim urgjent tregu, për të identifikuar çmimet e maskave, dorezave dhe veshjeve mbrojtëse, të cilat do të përdoreshin nga mjekët e angazhuar për kurimin e pacientëve të prekur nga COVID-19.
Qëllimi i testimit të tregut ishte nxjerrja e një çmimi mesatar, i cili më pas do të shërbente si fond limit për hartimin e një tenderi urgjent për blerjen e këtyre produkteve.
Sipas dokumentit të hartuar nga znj. Prodani, me qëllim testimin e tregut, në datë 11 Mars 2020 është dërguar ftesë për ofertë 5 kompanive farmaceutike, konkretisht;
1. “OES Distrimed”
2. “Biometric Albania”
3. “Montal”
4. “Euromed”
5. “Farma Net Albania”
Pas ftesës së Ministrisë së Shëndetësisë, vetëm 3 kompani paraqitën ofertat e tyre; “Euromed”, “Farma Net Albania” dhe “Biometric Albania”.
Në bazë të të dhënave zyrtare, kompania “Farma Net Albania” paraqiti ofertat me çmim më të lartë për të gjithë serinë e produkteve të renditura nga Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë që dy kompanitë e tjera paraqitën oferta më të ulta.
Pasi u njoh me vlerat e tregut, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave hartoi proces-verbalin e datës 14 Mars 2020, në bazë të të cilit u përcaktua edhe fondi limit për tenderin që u zhvillua vetëm disa ditë më pas.
Në bazë të përllogaritjeve, referuar çmimeve të paraqitura nga 3 ofertuesit, Ministria e Shëndetësisë përcaktoi fondin limit për tenderin, në vlerën e mesatares së tre ofertave të paraqitura-307.864.333 lekë të reja pa TVSH (rreth 3.5 milionë euro).
Natyrisht, mesatarja e çmimeve të tregut, u rrit ndjeshëm nga çmimet e larta që kishte ofruar “Farma Net Albania”.
Tenderi për “Farma Net Albania”
Pasi u përcaktua fondi limit, Ministria e Shëndetësisë njoftoi zyrtarisht në datën 17 Mars 2020 për hapjen e procedurës për blerjen e materialeve mbrojtëse për COVID-19.
Sipas njoftimit, tenderi do të mbyllej pas 24 orësh, për shkak të emergjencës që u krijua për furnizimin me këto pajisje të domosdoshme për stafin mjekësor.
Tenderi u zhvillua me procedurë të drejtëpërdrejtë dhe në mungesë totale transparence. Ministria e Shëndetësisë nuk informoi publikun për pjesëmarrësit në këtë prokurim publik dhe ofertat e paraqitura prej tyre.
Në datë 21 Mars 2020, tre ditë pasi ishte mbyllur tenderi, në Fletoren Zyrtare u publikua Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 241, “Për miratimin e kontratës me objekt blerje materiale për mbrojtjen personale, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe e bashkimin e operatorëve, “Farma Net Albania”, sh.p.k. dhe shoqëria “Euromed”, sh.p.k., me vlerë 346 105 800 lekë me TVSH”.
Edhe në Fletoren Zyrtare nuk kishte asnjë të dhënë për detajet e procedurës, pavarësisht se qeveria po shpenzonte rreth 3.5 milionë euro nga paratë e taksapaguesve.
5 pikëpyetjet për tenderin 3.5 mln euro
Tenderi për blerjen e pajisjeve mbrojtëse, i pari në serinë e disa procedurave urgjente për produktet që lidhen me përballimin e COVID-19, krijoi disa pikëpyetje të forta.
1. Tenderi dëshmoi se Qeveria Shqiptare nuk ishte aspak e përgatitur për përballimin e situatës me korona-virusin. Institucionet shëndetësore nuk kishin as pajisjet më elementarë, përfshirë doreza dhe maska mbrojtëse.
2. Ministria e Shëndetësisë u dërgoi ftesë për ofertë vetëm 5 kompanive, ndërkohë që në treg operojnë një numër më i lartë subjektesh tregtare. Mjafton të përmendim që, për një tender tjetër emergjence, atë për blerjen e respiratorëve, Ministria e Financave u dërgoi ftesë për ofertë 12 kompanive, pavarësisht pikëpyetjeve të tjera që ekzistojnë për atë tender.
Kufizimi i ftesave solli, rrjedhimisht, edhe mungesën e ulët të konkurencës dhe çmime më të larta që duhet të paguante shteti shqiptar.
3. Ministria e Shëndetësisë, në ftesat e saj të limituara, i dërgoi kërkesë edhe kompanisë “Farma Net Albania”.
Kjo e fundit, sipas ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, nuk ushtron aktivitetin e “depos farmaceutike”. “Farma Net Albania” përfshin vetëm një rrjet farmacish, të cilat furnizohen nga ana e tyre nga depo të ndryshme farmaceutike.
4. Qeveria zgjodhi të nënshkruajë kontratën “sekrete” 3.5 milionë euro me bashkimin e operatorëve ‘Farma Net Albania” dhe “Euromed”, pavarësisht se ato kishin prezantuar ofertën më të lartë gjatë testimit të tregut.
5. Qeveria, nën argumentin e “urgjencës”, zhvilloi procedura tërësisht jo-transparente. Opinioni publik shqiptar nuk ka asnjë informacion zyrtar nga qeveria për mënyrën se si u përdorën 3.5 milionë euro të taksave të tij në tenderin “urgjent” për blerjen e maskave dhe dorezave mbrojtëse për stafin mjekësor.