Nga Boldnews.al
Partia Demokratike pësoi në Dibër një nga humbjet e saj më të thella. Shumëkush nga demokratët e thjeshtë u habit prej kësaj disfate, pasi Dibra njihet si bastion i së djathtës, por edhe pse pas skandalit të ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili, pritej një fitore e lehtë.
Opozita ka nisur të krijojë alibinë e vjedhjes së votës, por e vërteta është ndryshe. Janë disa përgjegjës për katastrofën e PD-së në Dibër.
Boldnews ka vendosur t’i vërë pikat mbi “i” dhe të flasë me emra.
Përgjegjësit e humbjes janë: Arben Ristani, Enno Bozdo, Flamur Noka, Ridvan Bode, Fatbardh Kadilli, Jorida Tabaku, Etion Kapedani, Gazmend Dibra, Arben Qiriako, Belind Këlliçi e kompani.
Le ti marrim me radhë, duke nisur që nga fushata e PD-së në Dibër.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se organizimi i Partisë Demokratike në Dibër ishte më e pakta katastrofik.
Dërgimi i gjithë “elitës” humbëse në zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2015 për të organizuar zgjedhje ishte një tallje dhe përbuzje për dibranët.
Sepse elektorati këta personazhe i largoi me votë, ndërsa lidershipi i PD-së i ricikloi ish-ministrat dhe ish-drejtorët e PD-së duke i vënë në krye të zgjedhjeve në Dibër.
Kështu, klanit Ristani-Bozdo-Kadilli, iu bashkëngjitën në fushatë edhe ish-ministrat Ridvan Bode, Genc Pollo e kompani.
Ndërsa shef shtabi u emërua Flamur Noka. Nga ana e mazhorancës shef shtabi ishte Aqif Rakipi i PDIU-së. Por lidhjet e Nokës me Rakipin lënë shumë vend për dyshime se kandidati Sherefedin Shehu mund të jetë shitur.
Aq më e turpshme ishte situata kur deputetja Jorida Tabaku e kishte mendjen më shumë të bënte foto bezdisëse me fshatarët e zonës Dibrës në foto, ndërsa gëzonte për selfiet e saj të shumta. Sikur kishte vajtur për paradë mode, dhe jo për fushatë.
Le të kalojmë te njeriu që do të ruante votat e Partisë Demokratike në Dibër. Ai ishte kreu i FRPD, Belind Këlliçi, i cili rrinte në tavolina duke pirë birra me disa kalamaj, ndërsa siguronte që do të ruante votat.
Aq më tepër që Belliçi tashmë dihet se është i afërm në stafin e ngushtë të kryeministrit Edi Rama. Ai është i fejuar me vajzën e Artan Shkrelit (këshilltar i Ramës) dhe Ledi Shamkut (deputete e PS-së), pra ky personazh do të ruante votat e demokratëve!
Rezultati i zgjedhjeve tregoi mjaft mirë se sa i mbrojti.
Basha deklaroi sot se humbi “para kartelit të drogës, të krimit dhe korrupsioni”. Sipas tij, ky kartel shfrytëzoi varfërinë dhe humbjen e shpresës për t’iu rrëmbyer votën.
Por jo, kryetari i PD-së, duhet të kuptojë se nëse nuk distancohet nga humbësit e zgjedhjeve të 2013-ës, 2015-ës, pra nga ish-ministrat dhe ish-drejtorët e konsumuar dhe të përfolur për korrupsion, atëherë edhe në zgjedhjet e ardhshme, selia blu jo vetëm që do të humbasë, por rrezikon të dalë edhe parti katërt.