Nga Boldnews.al
Zgjedhjet e parakohshme lokale në Dibër kanë risjell në aktivitet ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka, i cili dha dorëheqjen para se të hynte në fuqi ligji për “Dekriminalizimin”.
Ndoka rezultonte i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni, ndërkohë që në Shqipëri u zgjodh anëtar i Parlamentit. Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryeministri Edi Rama, u mundua ta mbronte sa të mundej, por më në fund u dorëzua dhe e nxiti Ndokën të jepte dorëheqjen. Ai u largua nga jeta parlamentare dhe për pak muaj, u duk se doli tërësisht nga aktiviteti politik.
Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, e ka përmendur më shumë se njëherë emrin e tij si një rast suksesi i ligjit “për dekriminalizimin”. Madje, edhe pak ditë më parë, në një intervistë për revistën “Mapo”, Lu e preku nominalisht emrin e tij: “Jam i befasuar nga disa ndryshime që kanë ndodhur brenda një viti e gjysmë. Më lejoni të rendis disa prej tyre. Shukri Xhelili, Mark Frroku, Armando Prenga dhe Elvis Roshi janë të gjithë duke u ndjekur penalisht. Arben Ndoka dha dorëheqjen nga Parlamenti….”. Pra, për ambasadorin amerikan dhe për frymën që mendohet se përfaqëson, ky emër, si edhe të tjerët në listën e tij, duhet mos jenë aspak aktivë në jetën publike.
Por, kushdo që ka ndjekur procesin parazgjedhor në Dibër këto ditë, mund të dëshmojë se Arben Ndoka është shumë aktiv në organizim fushate dhe i pranishëm në shumë pika të qytetit. Për opozitën, Ndoka është duke shpërndarë edhe shuma parash apo duke bërë presion për të detyruar qytetarët që të votojnë kandidatin e majtë, Muharrem Rama.
Këto janë pretendime, të cilat ndoshta mund të shqyrtohen nga ana e autoriteteteve policore, por fakti që ai është i pranishëm në fushatën e Dibrës, është i pakontestueshëm.
Është e qartë që Ndoka nuk është në Dibër si një qytetar i thjeshtë. Ai është përfaqësues i fuqishëm i Partisë Socialiste, pavarësisht se nga kjo e fundit u largua për shkak të të kaluarës së tij problematike.
Mesa duket, edhe përmendja e Ndokës nga ana e ambasadorit amerikan nuk ka bërë efekt tek drejtuesit e “Rilindjes” për ta shmangur përfundimisht nga jeta publike. Donald Lu e përmend dorëheqjen e Ndokës si arritje edhe të tijën, pasi ka qenë një prej mbështetësve të ligjit “Për dekriminalizimin”. Por, meqenëse Ndoka është aktiv në zgjedhjet e Dibrës, a duhet të pranojë edhe ambasadori Lu se ka dështuar me këtë ligj. Apo duhet të pranohet se kryeministri Rama është duke u tallur me partnerin e tij kryesor në fushata publike?
Duhet pritur përfundimi i zgjedhjeve në Dibër për të parë nëse ambasadorit Lu do t’i ketë bërë përshtypje apo jo ri-integrimi i Arben Ndokës në politikë. Ashtu siç mbetet për t’u parë nëse diplomati amerikan në Tiranë do të ketë ndonjë koment se përse një tjetër “viktimë” e dekriminalizimit, Elvis Roshi, vijon të jetë në krye të bashkisë së Kavajës.