Nga Ilir Kalemaj
Shkencëtari politik Arjen Boin nga Universiteti hollandez Leiden që ka shkruar së fundmi një libër të quajtur Politikat e Menaxhimit të Krizave na ndihmon të kuptojmë sjelljen e liderëve politikë përgjatë krizave dhe aftësinë e tyre për t’i menaxhuar ato. Liderët duhet të kenë aftësinë për t’i identifikuar krizat shpejt dhe për të ngritur mekanizmar institucionalë dhe procedurat e duhura për t’iu përgjigjur atyre.
Kur është fjala për të ndërmarrë veprime, udhëheqësi duhet të gjykojë saktësisht se sa mund të mbështeten në bashkëpunimin individual përmes bindjes, dhe kur ata duhet të kalojnë në “komandë dhe kontroll” më të ngurtë (një zgjedhje që mund të zmbrapset shpejt nëse nuk merret me kujdes të përshtatshëm). E gjithë kjo do të përcaktojë se si të kufizohen dëmet e ardhura nga urgjenca e marrjes së masave.
Por vetëm veprimet e liderëve politikë nuk mjaftojnë. Aftësë e tyre e komunikimit dhe e përcjelljes së mesazhit është po aq e rëndësishme. Një problem jo i vogël në transmetimin e mesazhit është kur i mungon konsistenca. Për shembull merren një seri masash një ditë, dhe ndryshojnë ato ditën tjetër, sikundër kanë ndryshuar me shpejtësi fashat e orarëve apo mënyra e marrjes së lejes nga Rama. Ndonjëherë, kabineti i tij ministror edhe është lajmëruar për këto kapriçio kryeministrore. Shpeshherë edhe jo, sikundër Ministri i emergjencës Ahmetaj mori vesh se ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme të emisioni i Fevzos.
Liderët shpesh inkurajohen të jenë të hapur dhe sa më tepër transparent me njerëzit përgjatë menaxhimit të krizave, ndryshe publiku mund t’i shohë si hipokritë dhe humbasin shpejt besimin ose duken si fajtorë që po përpiqen të fshehin dicka. Një shembull që merr Boin në analizën e tij është i kryeministres neo-zelandeze Jacinda Adern që pas vrasjeve në masë nga një ekstremist i kundërpërgjigj duke dënuar aktet dhe gjuhën e urrejtjes që kishte shërbyer si frymëzim për krimin, njëkohësisht duke ndarë dhimbjen dhe pikëllimin e thellë me familjet e viktimave. Por edhe duke theksuar vlerat tolerante të shoqërisë neo-zelandeze, duke shtuar masat e sigurisë por edhe duke refuzuar masa sigurie ekstreme që do të kufizonin liritë dhe të drejtat themelore të njerëzve,
Në rastin e përballimit të krizës pandemike të koronavirusit kemi parë shumë reagime nga mbyllja brutale dhe e menjëhershme që adoptoi Kina deri te situata e dalë jashtë kontrollit në Italinë fqinje. Por ajo që spikati si shembulli ndoshta më pozitiv i menaxhimit të krizës dhe që kishte numrin e tretë më të madh të të prekurve (tani të katërtin pasi SHBA doli në vend të parë duke spostuar Kinën dhe Italinë), ishte Koreja e Jugut.
Marrja e masave duke siguruar furnizimin e mjaftueshëm me kite mjekësore përpara se Covid-19 të arrinte në këtë shtet, teknologjia e avancuar që kishte por edhe përdorimi i saj me efektivitet për të gjurmuar në kohë dhe bërja e sa më tepër testeve bëri që të kufizohej në maksimum numri i fataliteteve ndërkohë që të vijonte normalisht me pak kufizime dhe aktiviteti ekonomik.
Shembull kaq i suksesshëm sa jo vetëm është jashtëzakonisht popullor me vendasit por edhe marrë si shembull suksesi ndërkombëtar. Madje së fundmi, vetë presidenti amerikan Trump i kërkoi ndihmë në mënyrë të drejtëpërdrejtë Koresë së Jugut për ndihma dhe medikamente mjekësore.
Liderët më të vlerësuar sot janë ata që dinë të tregojnë dhembshuri, ndërkohë që ofrojnë shpresë dhe rrezatojnë besim. Jo që përdorin vetëm gjuhën e gjobave, kufizimeve, represionit. Që nuk ofrojnë asnjë lloj pakete financiare, që nuk kanë shtyrë as me pak ditë pagesat e taksave dhe detyrimeve të tjera në kulmin e një krize sa mjekësore aq edhe ekonomike, që fshehin paaftësinë e një sistemi shëndetësor të pambështetur, me mijëra mjekë dhe infermierë që kanë marrë rrugët e botës vetëm gjatë viteve të fundit.
Një lider që premtoi një spital karantinë në Durrës që para 1 muaji e gjysëm dhe që sot e kësaj dite e premton te Kristali dhe ndërkohë u thonë njerëzve merrni paracetamol e pini çaj të nxehtë dhe refuzon të bëj teste masive që do të nxirrnin zbuluar shkallën e vërtetë të prekshmërisë në popullatë. Që ofron veç propagandë dhe demagogji dhe jo besim dhe siguri që nga kjo luftë do dalim më të fortë dhe më solidarë. Këmbanat bien për veshë që dëgjojnë dhe jo për përtacët mendorë që i kanë deleguar edhe veshët dhe sytë vullnetit hyjnor të liderit të plotfuqishëm, plakushit të Surrelit dhe kazanëve të tij mediatikë që po i shërbejnë më zellshëm se kurrë.