Transparency International Albania, pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, risjell në qendër të opinionit publik akuzat e ngritura ndaj disa figurave kryesore politike. Në raportin e publikuar ditën e mërkurë, TIA ripërmend proceset penale kundër Ilir Metës, Fatmir Mediut dhe Lulëzim Bashës, në hapësirën e titulluar “Pandëshkueshmëria”. Sipas raportit, këto tre raste janë dëshmi se në Shqipëri figurat e larta politike nuk preken nga ligji.
Në mënyrë të përciptas, raporti i TIA-s përmend edhe një raport “konfidencial” të zyrës së OSBE-së në Tiranë, në të cilën gjenden të dhëna kompromentuese për shumë zyrtarë shqiptarë. Por, ndryshe nga rastet e Metës, Bashës dhe Mediut, në raportin e TIA-s nuk përmendet emri i kryeministrit Edi Rama, i cili gjendej në krye të raportit “të brendshëm” të OSBE-së. Sipas atij raportit, i cili “rodhi” në median shqiptare, kryeministri Edi Rama kishte një pasuri që llogaritej në rreth 200 milionë euro.
Por, ky fakt nuk përbën një akuzë zyrtare dhe kjo duket se është arsyeja që emri i Ramës nuk gjendet në raportin më të fundit të Transparency International. Nëse raporti i OSBE-së nuk do të ishte zyrtar dhe me fakte, atëherë, me të njëjtën logjikë, edhe TIA nuk mund t’i referohej për burim të besueshëm. Gjithësesi, TIA është kujdesur të theksojë se “…Një raport konfidencial i OSBE-së i zbuluar dhe i nxjerrë në media kohët e fundit bënte një përmbledhje të një numri të madh aludimesh të ngritura kryesisht nga media duke lidhur figura të ndryshme politike me korrupsionin ose krimin. Edhe pse nuk është opinioni zyrtar i kësaj organizate, OSBE u shpreh se dokumenti ishte i vërtetë dhe në përmbajtje ka informacion për shkelje ligji nga 36 deputetë shqiptarë, përfshirë kryeministra të mëparshëm e të tanishëm, si edhe Kryetarin e Kuvendit”. Pra, Transparency International Albania e ka konsideruar të vërtetë këtë raport të OSBE-së, por është kujdesur maksimalisht të shmangë në mënyrë nominative kryeministrin nga dyshimet për super-pasuri.
Por ndryshe nga sjellja me Edi Ramën, raporti i TIA-s ka qenë shumë strikt në renditjen e akuzave për politikanët e tjerë të lartë. Në raport thuhet se “…Pothuajse të gjithë udhëheqësit e tanishëm të partive të rëndësishme politike janë gjykuar për akuza korrupsioni e më vonë janë nxjerrë të pafajshëm. Fatmir Mediu, kryetari i Partisë Republikane, Ministër i Mbrojtjes në vitin 2008, u gjykua për tragjedinë e Gërdecit, por Gjykata e Lartë e pushoi çështjen në vitin 2012 me argumentin se krimi për të cilin po gjykohej Mediu ishte pjesë e një amnistie me rastin e njëqindvjetorit të themelimit të shtetit shqiptar.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Ministër Transporti në vitin 2005, u hodh në gjyq tre vjet më vonë për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së procedurave në tendera publike për atë që njihet si “Rruga e Kombit” me një dëm ndaj shtetit shqiptar të përllogaritur në shifrën 337 milionë dollarë. Çështja gjyqësore kundër Bashës u deklarua e pavlefshme për arsye procedurale”.
“Në 2011, Ilir Meta, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), u gjend në epiqendër të një skandali korrupsioni, që krijoi zemëratë të madhe të publikut e më pas çoi në protestën e 21 janarit 2011, në të cilën u vranë katër protestues. Meta u deklarua i pafajshëm nga gjykata me argumentin kryesor se videoja që tregonte Metën dhe ish-Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë tek flisnin për ryshfete në sasi të mëdha, nuk ishte e vërtetë, pavarësisht opinionit të kundërt që patën ekspertët ndërkombëtarë që ishin ftuar ta shqyrtonin videon.”
Transparency International Albania, po ashtu si edhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, SOROS, janë dy struktura shumë aktive për të publikuar raporte kundër korrupsionit në vendin tonë. Të dy këto organizma e identifikojnë sistemin e drejtësisë si të keqen më të madhe në Shqipëri. Të dy këto shoqata, që financohen nga fonde përtej oqeanit, bëjnë kujdes që kryeministri Rama të mos preket. Të dy këto organizata janë shumë të interesuara që të luftohet korrupsioni në nivele të larta në vendin tonë. Por, në çdo rast, korrupsioni, sipas tyre, është zhvilluar para se të merrte drejtimin e qeverisë kryeministri aktual.