“Fiks Fare” ka sjellë sonte fakte të reja për korrupsionin në marrjen e provimeve në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Sekseri, i denoncuar në emision një natë më parë, përveçse merr para’ në këmbim të një note kaluese, kërkon dhe favore seksuale.Gjatë bisedave me sekserin, që zhvillohen në zyrën e tij, “Fiks Fare” ka transmetuar blerjen e disa provimeve të tjera. Por, sekseri nuk mjaftohet vetëm me paratë, pasi ai kërkon dhe favore seksuale në këmbim të notës kaluese dhe gjetjes së një pune.
Pas disa takimesh me gazetarët e Fiksit, Besim Nasufi kërkon që njëra nga bashkëpunëtoret e emisionit investigativ të bëhet e dashura e tij. Ai i çon gazetarët në atë që e prezanton si zyrën e tij në katin e parë të Fakultetit dhe u tregon se ka frikë nga ‘Fiks Fare’, pasi është vënë në dijeni që studentët e Zooteknikës dhe Pyjores janë ankuar për dhënie parash në provime dhe ata kanë shkuar për verifikim. “Para dy ditësh ka ardhur Fiksi se i kanë lajmëruar që ne marrim lekë e duhet patur kujdes”, u thotë Besim Nasufi gazetareve të ‘Fiks Fare’. Ndërkohë, pas bisedave me sekserin, në emisionin e dytë të këtij sezoni të ri, Fiks Fare transmetoi blerjen e disa provimeve të tjera.
Fillimisht, gazetarët e Fiksit paguan lëndën “Prodhim bimor”, me profesor Bardh Sallakun dhe gjatë bisedës ata pyetën sekserin nëse e ka takuar profesorin, por refuzon te përgjigjet dhe u kërkon gazetarëve që të mos përmendin emra. Pas realizmit të pagesës, Fiksi tregon sesi studenti hyn në provim dhe merr notën kaluese 5. Po ashtu, Fiks Fare paguan 24 mijë lekë për dy provime të tjera, pikërisht “Marketing Agrar” dhe “Administrim publik”. Në bisedat kur bëhet pagesa, sekseri Nasufi garanton që nëse studenti mbetet vetëm në një provim, ai do ia marrë pa hyrë fare. Në një nga provimet, ”Administrim publik” studenti nuk kaloi, kështu që sekseri pagesën që gazetarët bënë për këtë lëndë i kaloi për provimin tjetër si parapagim, pra për lëndën “Drejtim i fermave”, me pedagog Maksim Meço. Edhe për këtë provim, sekretarja konfirmon që është marrë nota kaluese 5. Por, sekseri nuk u mjaftua vetëm me paratë, pasi ai kërkonte dhe favore seksuale në këmbim të notës kaluese dhe gjetjes së një pune.
BISEDAT NGACMUESE
Pas disa takimesh me gazetarët e Fiksit, Nasufi kërkon që njëra nga bashkëpunëtoret e emisionit investigativ të bëhet e dashura e tij.
“Pse të thashë nga ora 9 unë? Që të rri pak qetë. Të rri pak qetë me ty. Se tashi unë ty të kam shoqe. Me vete nuk do ta marr ty unë plaçkën. Aty e ke. Edhe burri për shembull, s’ka për ta marrë vesh burri, në punë është ai. Se mos ka për ta marrë vesh burri, aty e ke”, i drejtohet ai bashkëpunëtores së ‘Fiks Fare’, duke shtuar se nuk ka rëndësi nderi pasi me të do të shëtisë botën.
“Unë kam qenë në Francë. Njësoj është gjithandej. Burri është në punë, burri është atje, ti këtu. Kush do ta marrë vesh? Pastaj është një orë e caktuar. Për shembull nuk është një orë që ka shumë, nuk ka njerëz. Ne s’kemi për të ndenjur 4 orë, 5 orë”, vijon ngacmimin përgjegjësi i fakultetit.
Më tej, ai thotë se një të dashur që ka patur në fakultetin ku është përgjegjës, e ka futur në punë te Zooteknika dhe një tjetër e ka çuar në Gjermani nëpërmjet universitetit, pasi është i vetmi që njihet në disa vende të botës.