Për herë të dytë brenda pak muajsh Shqipëria është duke u përfshirë në një rast flagrant të shkeljes së të drejtave të njeriut, dhe që lidhet pikërisht me deportimin e dy shtetasve turq, që akuzohen për grusht shteti nga qeveria e Rexhep Taip Erdogan, mikut apo vëllait të Edi Ramës.
Pavarësisht se Gjykata e Apelit në Tiranë i dha të drejtë shtetasit Selami Simsek, duke e liruar, atij duket se nuk i është pranuar kërkesa për azil që ka bërë në vendin tonë. Mbrëmjen e djeshme Simsek është dërguar në mënyrë të paprecedentë në ambientet e ministrisë së brendshme, ku dhe është marrë në pyetje nga ana e policisë.
Ajo që e bën edhe më flagrante të gjithë këtë ngjarje është fakti se policia ka ndaluar dhe gazetarin e Fax News, Bekim Bici, i cili ishte duke ndjekur nga afër ngjarjen. Ai kërkoi që të intervistonte Simsek por nuk u lejua nga ana e policisë, dhe u shoqërua për në komisariat me urdhër nga ”eprorët”.
Ardi Veliu duket se ka zgjedhur te trimërohet me gazetarë në krye të detyrës, ndërsa krimi lulëzon dhe ngjarje të rënda të ndodhura në dy muajt e parë të 2020 vijojnë të mbeten pa autorë. Por kjo duket se nuk e shqetëson Veliun, që herë shfaqet si taksist i të ashtëquajturit “Eskobar” i Ballkanit dhe herë shfaqet në “shërbim” për shpëtimin e Geronit. Aq më keq kur sipas denoncuesit është vetë kryepolici që urdhëron shoqërimin e një gazetari, ndoshta duke i dhënë vetes mundësinë që sot edhe të shfaqet në konferencë njëlloj si pak ditë më parë, kur deklaronte kapjen e “kokës së krimit të organizuar” Henri Cili, që më pas u lirua me vendim gjykate. Ky kryepolic siç duket ka një zakon, të trimërohet me gazetarët.
Videoja e mëposhtme e postuar nga vetë gazetari në rrjetet sociale tregon dhe momentet e shoqërimit të gazetarit, që sipas policisë duhet ti bëheshin verifikimet në komisariat, edhe pse ai kishte mjet identifikimi si gazetar.
Ndërkohë që nuk dihet ende fati i Simsek, pasi ai është larguar rreth orës 01:30 të mëngjesit nga ambientet e Ministrisë së Brendshme, dhe ende nuk dihet nëse ai është deportuar drejt Turqisë, pasi ka pasur një fluturim nga Rinasi në orëmn 02:20 të mëngjesit të sotëm.
Postimi i Gazetarit në Facebook:
Është hera e dytë në harkun kohor të 6 muajve që Policia e Shtetit tim, me urdhër nga lart më shoqëron për disa orë në Komisariat, ndonëse gazetar në krye të misionit të shenjtë të informimit të publikut. Bëhet shoqërimi dhe ofendimi i personit dhe profesionit tim.
Arsyeja:
Sepse shefat lart nuk duan që të dalë shkelja flagrante e ligjit dhe të Drejtave të Njeriut.
Këtë herë arsyeja e shoqërimit në fletën e shoqërimit ishte: POROSI NGA 390.
Si gazetar shpreh indinjatën e thellë ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj Drejtorit Ardi Veliu, i cili përballë meje duke e ditur që jam gazetar dha urdhër për shoqërimin tim. Poashtu shpreh keqardhje ndaj ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj, në sy të të cilit u urdhërua dhe u bë shoqërimi im.
Pas shoqërimit tim në radio u dha urdhër për shoqërimin për tek “Eklipsi” edhe të personave të tjerë të cilët ishin në pritje të vendimit për shtetasin turk Selami Simsek, mes tyre edhe gazetari Ariglon Pali, i cili fiksoi momentin e shoqërimit tim. Vendimi për Simsek po merrej në ambientet e Ministrisë së Brendshme ndërsa ai ndodhej në një furgon që u tha se është i drejtorisë së emigracionit e nuk lejohej të dilte jashtë tij. Kujtojmë Apeli liroi më 9 mars shtetasin Selami Simsek, por policia e mbajti të mbyllur në furgonin e Drejtorisë së Emigracionit.
Me përbuzje refuzoj këtë sjellje arrogante e banditeske të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme. Kërkoj që organet kompetente të tregojnë arsyen e shoqërimit të personit tim dhe çfarë fshihet pas “POROSI NGA 390” e kush është “390” që porosit shoqërimin e gazetarëve dhe dhunimin e fjalës së lirë.