Nga Boldnews.al
Ministri i ri i Transporteve, Sokol Dervishaj është një personazh jo pak i njohur për shkak të posteve publike që ka mbajtur më herët. Ai rezulton të jetë nënhetim nga organi i akuzës për aferën e shitjes së Albpetrol tek biznesmeni kontrovers Rezart Taçi.
E gjithë historia nis në fund të vitit 2012, ku nga 6 kompani ofertuese, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ku në atë kohë kryetar ishte Sokol Dervishaj, zgjedh fituese “Vetro Energy”. Kjo e fundit kishte ofruar 850 milion euro për privatizimin e Albpetrol, një shifër kjo me diferencë të madhe krahasuar me 5 kompanitë e tjera.
“Vetro Energjy” u prezantua si një konsorcium mes 3 kompanive, por kjo flluskë u shfry ku një ditë më pas, biznesmeni Rezart Taçi u shfaq papritur në një konferencë shtypi duke njoftuar se ai ishte blerësi i 3 kompanive përbërëse të konsorciumit.
Tenderi për privatizimin e Albpetrol hasi kontestime të mëdha që na hapjen e ofertave, ku sekretarja e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave vuri në dijeni kryetarin Sokol Dervishaj se oferta e prezantuar nga “Vetro Energy” e Rezart Taçit ishte e parregullt pasi mungonte garancia prej 10% që duhej të bëhej në bankë, pra 85 milion euro. Por sipas hetimeve të KLSH, Dervishaj e fshehu këtë fakt duke e hedhur në garë me kompanitë e tjera “Vetro Energy”, ndërsa garancia sot e kësaj dite nuk është paguar në arkën e shtetit. Sipas hetimeve të prokurorisë, kompania ka paraqitur një fletë garancie të falsifikuar ndërsa shuma nuk ishte derdhur në bankë.
Pavarësisht kësaj shkeljeje, më datë 3 tetor, qeveria miratoi vlerësimin e ofertave të bëra nga Sokol Dervishaj. Sipas renditjes, në vend të parë u rendit “Vetro Energy” me 97.79 pikë; “Win Business” me 44.39 pikë dhe “Bankers Petroleum” me 30.83 pikë.
Sipas rregullores për privatizimin, brenda 30 (tridhjetë) ditëve pas shpalljes së fituesit të parë, pra “Vetro Energy”, duhet të nënshkruante kontratën me Ministrinë dhe të dorëzonte garancinë e kontratës. Në të kundërt, negocimet do të fillonin me kandidatin e klasifikuar i dyti dhe pastaj me kandidatët e tjerë, të klasifikuar pas tij, në përputhje me të njëjtën procedurë.
Por Dervishaj bashkë me Komisionin e tij të Vlerësimit të Ofertave e mbajti peng privatizimin e Albpetrol deri sa të kryhej kjo gjë nga biznesmeni Rezart Taçi. Ky i fundit nuk ka paguar asnjëherë garancinë prej 10 %, ndërkohë që iu mohua kompanive të tjera e drejta për tu klasifikuar si fituese.
Pikërisht për këto shkelje të kryera nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, prokuroria ka nisur hetimet ndaj Sokol Dervishaj, anëtarët e tjerë si dhe kompania “Vetro Energy” që paraqiti garancinë e falsifikuar. Në një intervistë për Zërin e Amerikës pak muaj më parë, kryeprokurori Adriatik Llalla pohoi se hetimet janë në një ngërç dhe se ka pengesë nga institucionet e tjera.
“Në këtë rast (për Albetrol) është një çështje, kur ndërthuret natyra penale me atë civile, një çështje që vijon të jetë temë e diskutimeve në Shqipëri, ku po merren të gjitha institucione ligjzbatuese dhe kontrolluese në rastin konkret. Ekziston pengesë tek mosbashkëpunimi i institucineve shqiptarem, në mbledhjen e informacioneve.”- shprehet Llalla.
Garancia nuk është arkëtuar as sot, madje Ministria e Ekonomisë nuk figuron në listën e gjatë të institucioneve dhe individëve për të cilët është vendosur sekuestro konservative mbi pasuritë e Rezart Tacit.
Sot Lëvizja Socialiste për Integrim u kujdes që të dërgonte një CV për kualifikimet e Ministrit nën hetim të Transporteve, Sokol Dervishaj. Por ajo që binte në sy në këtë CV ishte se nuk pasqyroheshin arritjet në pozicionet publike që ai ka mbajtur në të kaluarën.
Kjo tregon se Dervishaj përveç dështimit absolut të privatizimit të Albpetrol, ai ka edhe gjëra të tjera për të fshehur nga karriera e tij politike. Mbetet për tu parë në vijim, nëse Ministria e Transporteve do të drejtohet në të njëjtën mënyrë siç udhëhoqi Komisionin e Vlerësimit të Ofertave në pritavizimin e Albpetrol, një proces ky i veshur nga hije të forta skandali.