Deputeti Lefter Maliqi artikuloi akuza të forta gjatë seancës plenare ndaj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, të cilin e kishte thirrur në një interpelancë urgjente, lidhur me çështjet e rendit dhe sigurisë.
Maliqi tha se nëse shteti do të kishte vullnet dhe nuk do të dëgjonte njerëzit e krimit për të emëruar drejtues policie, deputetë, kryebashkiakë, atëherë brenda 1 muaji do të vendosej rendi dhe siguria në vend.
Deputeti theksoi se shqiptarët s’kanë siguri dhe sot po rrojnë me paratë e vëllezërve emigrantë.
Në këtë kuadër, Maliqi nuk kurseu në akuza edhe ambasadorin e BE-së, ndërsa tha “Kryeministri na tregon përralla, na erdhi një i huaj tha, një zyrtar i lartë rrinte i mbyllur aty, që ta dëgjonte ambasadorja amerikane, ta dëgjonte ai Soreca që qeshte, se ai është i kapur nga KCK, ai i BE”.
Ndërsa shprehu besimin te ambasadorja e re amerikane, Maliqi kërkoi nga Yuri Kim të thotë realitetin siç është e të bëjë të pamundurën për Shqipërinë.
“E kujt ia mban të matet dhe t’i bëjë karshillëk shtetit? E mbani mend 2005-ën, ministrin e ndjerë Sokol Olldashi se sa banda dhe grupe kriminale arrestoi?
Po ju hani e pini, ju i dëgjoni bandat dhe grupet kriminale. Ku i ke policët sot zoti Lleshaj? Ose i ke duke vendosur gjoba nëpër rrugica, ose i ke te KÇK dhe kapin makinat.
Nuk e di, po ato që thua ti edhe nëpër librat e Ismail Kadares nuk i lexon. Tu vra një njeri me snajper në qytetin tënd, në Mallakastër vrasje barbare, vrasje në rrugët e Peqinit dhe të Elbasanit, krime në Shkodër dhe kudo, dhe ky po na tregon situatën e mirë të rendit.
Po të burgosurit kush po i liron, se ju thoni se s’po i lironi ju?
Oficeri i policisë Emiljano Nuhu kërkon azil. Ai akuzoi djalin e deputetit, pastaj nipi i deputetit shkon vret shoferin e prokurorit. Dritan Zagani kërkoi azil se denoncoi shumë lidhjet e drogës me policinë.
Ish-Ministri i Brendshëm është i zhgënjyer tani nga Rama dhe do të iki në Amerikë se ai di shumë.
Po Shkëlqim Pepkola që ka ikur ka kërkuar azil, dhe thotë se ka video me hashash të mbjellë. E keni zbardhur vrasjen e Santos në mes të Tiranës?
Kush i favorizoi këta bosët e krimit që do t’i godisni ju? A po e kuptoni që po shthurni rininë shqiptare?
Po shesin trupin vajzat shqiptare.
Ku e ke policinë kriminale? Krime të pazbuluara, e dini ju çpo ndodh nëpër fshatra, që iu vidhet bagëtia.
Mos më trego mua shifra si në kohën e koperativës. I janë rritur rrogat që në kohën e PD-së policave. E keni katandisur këtë vend që ç’tu them… Si mund të përdorësh gaz tek nënat dhe fëmijët. Ça mashtruesish ordinerë jeni bërë.
Po ti s’ke faj, se fajin e ka njëri që u bë kryetar e tani Ali Pasha me mjekrën njëpëllëmbë.
Kryemininistri del tek 100-vjetori e bën batuta. Ai Soreca thotë që “po ndjekim paranë”. Po po ndiq paranë.
Ju jeni bërë si zjarrfikësja, ju shkoni në vendin e ngjarjes kur është djegur çdo gjë. Unë s’jam i fortë, nuk hahem me shtetin. Kush hahet me shtetin?
Edhe SPAK-un e mbytën, s’do të vejë njeri tek SPAK. Të gjithë kalojnë tek OFL, se s’do të vejë njeri në SPAK”, tha Maliqi.
Në vijim ai shprehu keqardhjen për BE dhe SHBA që kanë financuar reformën në drejtësi, por që institucionet e reja janë kapur.
“Më vjen keq për BE dhe SHBA që kanë mbështetur dhe financuar reformën, por këta kanë kapur çdo institucion KED, KLP, KLGJ e të tjerat. Ku është SPAK sot, edhe atë e kanë kapur”, tha Maliqi.