Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi këtë të mërkurë vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Prokurorisë së Tiranës Adnand Xhelili.
Seanca dëgjimore
Adnand u përball të premten e 31 Janarit me probleme të pasurisë së tij në seancën dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i vetingut për Xhelilin u krye nga trupa e drejtuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Brunilda Bekteshi. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.
Ende pa filluar relatimi i çështjes, Xhelili i shpjegoi trupës se gjatë muajve të fundit kishte pasur probleme shëndetësore dhe se për këtë arsye nuk kishte mundur të dërgonte prova apo shpjegime në kohë.
Relatorja Firdes Shuli theksoi se hetimi administrativ për prokurorin Xhelili ishte përfunduar vetëm për kriterin e pasurisë. Ajo shtoi se nëse do të arrihej të kundërshtoheshin me prova gjetjet e Komisionit për pasurinë, atëherë do të mund të riçelej hetimi edhe për dy kriteret e tjera.
Problemet kryesore që dolën nga relatimi në seancë dëgjimore lidhen me dy pasuritë kryesore të familjes së prokurorit Xhelili, një apartament me sipërfaqe 117 m2 në Tiranë dhe një vilë trekatëshe në Borsh të Lukovës.
Relatorja Shuli shpjegoi se Xhelili e kishte blerë apartamentin si i pastrehë nga Enti i Banesave në vlerën 1.1 milion lekë dhe e ka shlyer për periudhën 1999-2005. Komisioni konstatoi mospërputhje të burimit të deklaruar në vitin 2003 me atë në deklaratën veting, pasi në të parën është shënuar kredia, ndërsa tek e dyta kursimet familjare.
Mospërputhje në deklarata është konstatuar edhe për vlerën e apartamentit. Shuli theksoi se prokurori Xhelili nuk ka dhënë fillimisht shpjegime për këto gjetje, por pas përfundimit të hetimit ka dorëzuar prova të reja, të cilat do të vlerësohen gjatë vendimarrjes.
Për apartamentin e blerë nga Enti i Banesave, Komisioni konstaton se prokurori Xhelili ka paguar 570 mijë lekë ose gjysmën e vlerës së deklaruar. KPK ngriti dyshime edhe për mënyrën e përfitimit të statusit të të pastrehut nga ana e prokurorit Xhelili, pasi ka rezultuar se bazuar në lëgjislacionin e kohës duhej të kishe leje banimi në qytet që prej vitit 1992, ndërsa subjekti e ka përfituar një vit më vonë, si dhe ka përfituar tokë bujqësore bazuar në Ligjin për Tokën. Shuli tha se nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative -429 mijë lekë për krijimin e kësaj pasurie.
Në fjalën e tij, prokurori Xhelili rishpjegoi para Komisionit se edhe pse kishte qenë i sëmurë prej shtatorit të vitit 2019 e në vazhdim, kishte mbledhur dhe dorëzuar prova lidhur me gjetjet e hetimit administrativ.
“Konstatimet e Komisionit janë pothuajse të sakta. Dua të them se e gjithë pasuria ime është shtëpia këtu në Tiranë dhe ajo në vendlindje, në tokën që është një pronë e hershme e familjes, por e fituar nëpërmjet Ligjit për Tokën,” tha ai.
Ai shpjegoi se për periudhën 1993-1999 kishte jetuar tek vjehrri dhe se nuk kishte pasur shpenzime këtë periudhë, duke aritur të krijonte edhe kursime. Sipas Xhelilit, banesën e kishte përfituar me vendim të qeverisë për strehimin e familjes së tij kur ishte drejtues i Prokurorisë së Tiranës.
Vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs e pyeti Xhelilin se përse kishte deklaruar vlera të ndryshme për apartamentin në Tiranë. Prokurori shpjegoi se për këtë banesë ishte akorduar kredi nga Enti i Banesave nga viti 1999 deri në 2005-ën dhe se kur vazhdohej me shlyerjen e kësteve mujore, kishte pasur përfitime ligjore, si ulje e kostos apo për shkak të statusit si i përndjekur politik.
Për shtëpinë 3-katëshe të banimit në Borsh, Xhelili ka deklaruar se vlera e ndërtimit ka qenë 9 milionë lekë. Si burim krijimi ai ka pasqyruar kursime familjare, kredi dhe një hua.
Shuli tha se ka mospërputhje në deklartat e kryera për këtë pasuri me dokumentacionin e siguruar gjatë hetimit administrativ. KPK identifikon se Xhelili ka shënuar në deklaratën “veting” se ndërtimi është kryer në periudhën 2008-2010, ndërkohë që për këtë periudhë nuk ka rezultuar të jenë kryer punime. Komisioni ka gjetur se nuk është deklaruar trualli 570 m2, as në vitin 2012 dhe as në deklaratën “veting”.
Relatorja Shuli tha se nga hetimi ka rezultuar se Xhelili ka kërkuar miratimin e lejes së ndërtimit në vitin 2010, ku ai ka qenë në cilësinë e investitorit dhe zbatues ka qenë një shoqëri ndërtuese. Ndërkohë, nga akti i kolaudimit rezulton se ndërtimi ka nisur në vitin 2010 dhe ka përfunduar në 2011-ën. Tjetër mospërputhje ka qenë edhe fakti se sipas dokumenteve, trualli 570 m2 ka kaluar në pronësi të prokurorit në vitin 2012, pasi kishte përfunduar ndërtimi i banesës.
“Duket e paqartë se përse kërkesa për leje ndërtimi, dhënia e lejes për sheshin e ndërtimit janë kryer para se subjekti të ishte pronar i truallit,” tha relatorja. “Duket se ndërtimi është bërë pa leje dhe se subjekti ka bërë ndërtim të paligjshëm, për të cilën parashikohet pagesa e një gjobe që subjekti rezulton të mos e ketë bërë,” shtoi ajo.
Xhelili shpjegoi se trualli është pjesë e pronës së babait. “Edhe pse ka kaluar me akt-shitje s’kam paguar asnjë lek. Në vitin 2008 ka filluar grumbullimi i materialeve… . Edhe në vitin 2009 ka vazhduar blerja e tyre,” shpjegoi ai. Pyetjes së relatores Shuli se kur kishin nisur punimet, ai iu përgjigj se për shtëpinë në Borsh kishin filluar pasi ishte marrë leja. “Kurse më parë ishin sjellë vetëm materiale ndërtimore,” tha ai.
Relatorja u ndal në gjetjet e Komisionit për burimin e krijimit të vlerës 9 milionë lekë. Ajo sqaroi se Xhelili ka deklaruar se bashkëshortja ka marrë një kredi për investim nga banka Credins në vlerën 3 milionë lekë me afat shlyerje 180 muaj; një hua po në të njëjtën vlerë dhe pjesa tjetër ka rrjedhur nga kursimet familjare.
Sipas relatores, nga hetimi ka rezultuar se kredia që ishte marrë për t’u shlyer për 15 vite, është shlyer për 4 vite. Shuli tha se ka rezultuar pamundësi financiare për shlyerjen e kredisë. Tjetër gjetje që u identifikua gjatë seancës dëgjimore ishte edhe moskryerja e pagesave në favor të shoqërisë ndërtuese, në emër së të cilës ishte përfituar leja ndërtimore.
Xhelili tha se e ndërtimet ishin kryer nga usatallarë individualë, pasi kostoja e firmës ndërtuese ishte e papërballueshme. “Kjo ishte edhe arsyeja përse firmës në fjalë nuk i ka kaluar asnjë lek në llogari, pasi ajo nuk ka kryer punime,” tha ai.
Jacobs e pyeti prokurorin nëse kishte evidentuar pagesat për blerjet e materialeve të ndërtimit apo punimet e kryera. Xhelili pohoi se ajo shtëpi ishte ndërtuar në mënyrë tradicionale, ashtu si ishin ndërtuar gjithë shtëpitë në zonat rurale. “Për gjithë shpenzimet kam paraqitur situacione për çdo zë pune të kryer me çmimet e kohës. Është shënuar edhe 1 kg gozhdë,” tha Xhelili. “Ndërsa trualli ka qenë historikisht prona jonë. Kur u bë kërkesa për planin urbanistik, nga familja ime bujqësore është regjistruar në hipotekë”, vijoi ai.
Komisioni konstatoi pamundësi financiare për shlyerjen e huasë dhe krijimin e kursimeve.
KPK ka kryer analizë financiare për mundësinë e ndërtimit sipas deklarimit të kryer nga Xhelili për periudhën e ndërtimit. Sipas Shulit, është përjashtuar viti 2008, pasi nuk ka rezultuar të jenë kyer punime në këtë periudhë. Komisioni identifkoon pamundësi financiare për kryerjen e vinestimit në vlerën 2.2 milionë lekë për vitin 2009, ndërsa për vitin 2010 në shumën 1.9 milionë lekë. Shuli sqaroi se në këtë analizë nuk është përfshirë vlera e marrë hua, pasi nuk është vërtetuar kthimi i kësaj shume.
Shuli evidentoi edhe një informacion të dërguar nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave për një transaksion të kryer nga shteasi A.K. në vlerën 18 594 USD për llogari të bashkëshortes së subjektit të rivlerësimit, në cilësinë e huasë.
“Kjo vlerë është përdorur për shlyerjen e kredisë, por nuk është deklaruar,” theksoi Shuli, e cila sqaroi se Xhelili kishte shpjeguar se personi në fjalë ishte vëllai i bashkëshortes dhe se kishte pasur mundësi financiare. Sipas relatores, kjo vlerë nuk është konsideruar si burim i ligjshëm pasi nuk është deklaruar asnjëherë.
I pyetur nga Bekteshi lidhur me huanë e marrë nga bashkëshortja prej vëllait të saj, Xhelili e quajti si një pakujdesi.
Nga hetimi ka rezultuar se familja Xhelili ka përfituar tokë bujqësore nga ligji 7501 në fshatin e vendlindjes. Sipas relatores, ai ka deklaruar se ka përfituar në vite një vlerë 8 milionë lekë nga shfrytëzimi i tokës bujqësore që zihet nga vreshta, ullishte dhe agrume. Gjithashtu, ai ka deklaruar përfitime edhe nga shfrytëzimi i shtëpisë trekatëshe për turizëm. Por Komisioni evidenton se nuk janë paguar detyrimet tatimore për këto të ardhura.
“Nga dokumentacioni rezulton që të jenë paguar vetëm taksat vendore”, shpjegoi relatorja Shuli. Ajo shtoi se është konstatuar mospërputhje në deklaratat periodike me atë veting për vlerën 8 milionë lekë.
Prokurori Xhelili tha se ishte i lidhur me vendlindjen, pasi kishte jetuar atje deri në moshën 30 vjeçare. “Edhe gjatë kohës që jetoja në Tiranë, i hipja autobusit dhe shkoja e punoja atje. Tatimi i fitimit nga të ardhurat e siguruara nga toka bujqësore nuk është vjelë asnjëherë,” tha ai duke shtuar se pagesa e taksave vendore i legalizonte të ardhurat.
“Kjo është një e ardhur që sigurohet në mënyrë sublime nga ana ime. Muajin gusht e kam muaj pune, ndryshe nga të tjerët,” theksoi Xhelili, duke shtuar se kishte punuar bashkë me familjarët kur mundeshin.
Në fund, prokurori Xhelili tha se ishte i ndërgjegjshëm për problemet, por çdo gjë e kishte fituar me ndershmëri. “Vazhdojmë të jetojmë në një apartament, ku vajza që është në moshë madhore detyrohet të flejë në divanin e kuzhinës pasi ikim ne, ndërkohë që e shqetësojmë në mëngjes kur përgatitemi për punë. Jetoj ende në një shtëpi të tillë,” tha ai. “Kërkoj të vlerësohem edhe për dy kriteret e tjera,” përfundoi ai.