Nga Elvin Meka, ekspert i ekonomisë
Në vijim të informacionit për një aplikim të Qeverisë shqiptare pranë Bankës Botërore për një projekt lidhur me programin Kombëtar të furnizimit me ujë dhe kanalizimet, duke kërkuar financim në vlerën 725 milionë dollarë, po shpreh disa opinione modeste për një alternativë tjeter, përtej rrugës që jemi mësuar gjithnjë: hua të të huajt!
Së pari projekte të tilla mund të financohen me borxh publik qendror vetëm nëse ke një ndërmarrje unitare ujësjellës-kanalizime dhe jo dhjetëra ndërmarrje që janë shoqeri aksionare për çdo bashki dhe parimisht funksionojnë me menaxhim të pavarur financiar.
Së dyti, formati i praktikave më të mira dhe normale botërore të finanicmit të ujësjellësave është ai me obligacione të pushtetit vendor para’gjeneruese (UTILITY REVENUE ImageBOND), që lidhen ekskluzivisht me projektin e investimit në ujësjellesat specifike dhe rrjetin lokal për çdo qytet.
Nëse argumenti është që nga Banka Boterore mund ta marrim me kushte të buta, kjo ha çik debat pasi Shqipëria nuk është me nivelin e vendeve që përfitojnë hua koncesionare.
Nëse qeveria ka vërtet hallin e normës së interesit, ajo shumë bukur mund të konsiderojë që interesante nga këto obligacione të jenë të përjashtuar nga taksat, kështu që kjo çon në një ulje jo të vogel të kuponit të interesit faktik që do te paguhet. Të fituar do jenë qytetarët dhe investuesit, ndërkohë që qeveria përsëri do jetë neutrale, në këtë drejtim (të të ardhurave fiskale) si dhe në rastin e huamarrjes nga Banka Botërore.
Nga ana tjetër, qeveria shume mirë mund dhe duhet të konsiderojë që të përdorë paratë e shqiptarëve për financimin e këtyre projekteve madhore. Kjo ka efekte shumë të mira në disa aspekte:
1. Aktivizohen në ekonomi paratë e shqiptarëve, direkt ose indirekt (indivdë, fonde investimesh, banka, shoqëri sigurimesh, etj), duke energjizuar këto para’ dhe rritur eficiencën e tyre, në një kohë që kreditimi i ekonomisë nuk po rritet dhe është shumë i ulët në raport me depozitat
2. Shqiptarët do jenë shumë më të ndërgjegjshëm për të paguar ujin dhe detyrimet, pasi në një farë mase kjo do të ndikojë në mbarëvajtjen e investimeve të tyre
3. Paratë mbeten brenda Shqipërisë dhe nuk ekzpozohemi as ndaj rrezikut të kursit të këmbimit dhe nuk rritet përpjestimi i borxhit në monedhë të huaj
4. Shqiptarët janë përfitues neto të interesave nga këto obligacione dhe jo Banka Botërore.
5. Fut në lojë shoqëritë e sigurimeve, që do të mund të konsiderojnë ofrimin e produkteve moderne të CDS-ve lidhur me garancitë e shlyerjes së obligacioneve, duke rritur biznesin e tyre
6. Aktivizon fort tregun e kapitaleve dhe letrave me vlerë në vend, duke i tërhequr njerëzit drejt tij; kjo zhvillon dhe thellon më tej sistemin financiare shqiptar dhe hap mundësi të reja për profesione dhe shërbime financiare me vlerë të shtuar.
7. Rrit dhe fuqizon pergjegjshmërinë e menaxhimit të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve, duke ndihmuar në rritjen cilësore të qeverisjes së korporatës.
8. Ndihmon në rritjen e autonomisë së pushtetit lokal, duke shërbyer si një shembull i mirë edhe për projekte të tjera madhore të infrastrukturës lokale.
9. Rrit thelbësisht ofertën e letrave me vlerë dhe ndihmon në diversifikimin e investimeve përtej titujve të qeverisë qendrore.
10. Ndihmon në edukimin financiar të publikut.
Në finale, shqiptarët për të paguar e kanë ujin, madje me çmime të rritura, por të paktën nëpërmjet mekanizmit të tregut të letrave me vlerë dhe obligacioneve, mund të realizohet përmbushja e shumë objektivave njëherësh, duke kontribuar në rritjen e mirëqënies, cilesisë së jetës dhe qytetarisë!
Uji është dhuratë e Zotit, ashtu siç është dhunti përdorimi i mendjes përpara parave! Para gjen kur dhe sa të duash, por halli mbetet tek mendja!