Nicolas Cole, drejtor kreativ i agjencisë “Idea Booth”, jep disa shtylla ku bazohet strategjia e një artisti të hip-hop-it, e cila, sipas tij, fare mirë mund të adoptohet edhe nga sipërmarrjet, veçanërisht ato të reja që duan të shfrytëzojnë avantazhet e internetit.
Tregu
Tregu i sotëm kërkon që të kesh një qëllim dhe të jesh i mprehtë. Nëse i kombinon të dyja, mund të jesh fitues.
Krijo fokus–grupin
Unë kam një filozofi për marketingun: Nëse e bën si duhet, nuk është ë nevojshme të shpenzosh më para të tjera shtesë. Por, më parë duhet të zgjedhësh kanalin e komunikimit. Pasi ta kesh bërë, krijo strategjinë e reklamimit.
Blog-et
Jashtë, ka miliona blogë. Zgjidh cilët janë më të lexuarit. Ofroni intervista ekskluzive. Mos mendo se je duke u dhënë përparësi, kjo është një situatë ku të dyja palët fitojnë.
Krijo portalin tënd
Duhet të jetë i qartë dhe i thjeshtë. Duhet të ketë të gjitha lidhjet me rrjetet sociale dhe mundësisht një blog që ju duhet ta rifreskoni sa më shpesh, me arritjet tuaja.
Bashkëpuno
Mendo sesa të tjerë janë duke u përpjekur që të bëjnë të njëjtën gjë. Mendo sesa do të duan të bashkëpunojnë, sepse në fund të fundit, ti ke një audiencë.
Audienca është diçka që krijon avantazh, i bën njerëzit të duan të punojnë me ty. Dëgjoji dhe bashkëpuno, merr informacion dhe përshtat produktin.
Rita Ora, suksesi i një dive
Këngëtarja e re me origjinë nga Kosova e ka siguruar tashmë një vend në industrinë gjigante të muzikës ndërkombëtare. Përveç suksesit në karrierën muzikore, Rita Ora po shijon edhe atë të investimeve që ka ndërmarrë, siç është linja e modës, ajo e bukurisë, madje edhe një skuadër futbolli, por si arriti ajo deri këtu?
E lindur në Kosovë dhe e rritur në Londër, u zbulua si talent nga i famshmi Jay Z dhe nënshkroi me të një kontratë brenda 48 orëve. Fama e saj do të rritej me pjesëmarrjen në filmin e dytë “50 hijet e Greit”, ku luan rolin e motrës së aktorit kryesor. Rita Ora ishte pjesë edhe e jurisë së “The Voice”. Ruan miqësi të ngushtë me Kate Moss, Cara Delevingne dhe Madonna.
Rita dhe familja e saj u zhvendosën në Londër kur ajo ishte një vjeç dhe më pas ndoqi shkollën prestigjioze të teatrit “Sylvia Young”. Performancat e para të saj si këngëtare u realizuan në pub-in e të atit ku këndonte këngë të Craig David, Tinchy Stryder dhe James Morrison.
Rita, ende një adoleshente, arriti t’i prezantohej Jay-Z përmes menaxherit të saj Sarah Stennett, i cili kishte ndjekur edhe këngëtare të tjera si: Ellie Goulding, Jessie J dhe Conor Maynard. Ajo u bë pjesë e label-it Roc Nation në dhjetor 2009 brenda 48 orëve.
Në vitin 2012, për Ritën filloi rruga drejt suksesit, që u pasua me hite si: “How We Do”, “Shine Ya Light” dhe “Radioactive”.
Talenti i saj u promovua më tej kur në vitin 2013 u kandidua për tre çmime “Brit Awards”.
Por, Rita nuk do të ndalej këtu. Ajo krijoi një linjë të sajën mode pop-art. Stilistët e modës janë duke e vëzhguar me kujdes.
Kate Moss-it iu desh të priste një dekadë për të qenë imazhi i Rimmel, por jo Ritës. Ajo ka produktet e saj, të kuq buzësh dhe setin për thonjtë. Ky koleksion u frymëzua nga pasioni i Ritës për muzikën.
Por, ajo që pritet të jetë ‘qershi mbi tortë’ do të jetë padyshim debutimi në filmin e radhës të frymëzuar nga novela e E.L. James “50 hijet e Greit” ku do të jetë një grua në biznes dhe motra e Christian Grey, Mia.
Dua Lipa, “turbullon” ujërat e muzikës dhe modës
Një tjetër shqiptare me origjinë nga Kosova, por e lindur në Londër. Kantautorja 21-vjeçare Dua Lipa është duke bërë shumë “zhurmë” si në industrinë e muzikës, edhe atë të modës.
Ashtu, si edhe Rita Ora, në moshën 13-vjeçare ajo ndoqi shkollën e teatrit “Sylvia Young”.
Filloi të ishte e pavarur që në moshën 16-vjeçare kur nisi të punonte si pritëse klientësh në një klub nate e më pas në një restorant.
Revista prestigjioze “Forbes” nuk i ka kursyer emërtimet mikluese, si: zë fantastik, prezencë skenike dhe stil.
Dua këndon në stilin pop, por në këngët e saj ndihet edhe ndikimi i stilit hip-hop dhe tribal. Kënga më e famshme e saj “Be The One” arriti të ishte pjesë e 10-shes më të mirë në Europë.
Në këtë rrugëtim, atë e ka ndihmuar shumë edhe pamja prej modeleje, stili “cool” i të veshurit. Ajo u cilësua edhe në listën e këngëtareve të veshura më mirë në “Aëards”.
Ajo ka të njëjtën strategji menaxhimi si Lana Del Rey dhe numri i fansave të saj në Instagram rritet me orë. Padyshim një figurë që duhet mbajtur në “radar”.
Bebe Rexha, një artiste e kompletuar
Nëse nuk ju duket familjar emri Bebe Rexha, atëherë s’mund të thoni të njëjtën gjë për punën e saj.
Me origjinë shqiptare (nga Dibra), por e lindur në Nju Jork, Bebe Rexha, emri i vërtetë i së cilës është Bleta, u bë e famshme në bashkëpunimet me: EDM group Cash Cash’s “Take Me Home” dhe David Guetta “Hey Mama”.
Por, tani këngëtarja është gati të bëhet një yll dhe po punon për albumin e saj. Edhe pse në moshë të re, ajo ka njohur mjaft sukses në industrinë e muzikës.
Ajo është bashkautore e këngës së Eminem “The Monster”. Ajo ka shkruar tekste për shumë këngëtarë të famshëm, si Selena Gomez, Iggy Azalea dhe Tinashe, ndërsa bashkëpunimi i saj me Rihanna do të jetë pjesë e albumit të parë si debutuese.
“Në shqip, emri im është Bleta. Unë jam mbretëreshë dhe kjo është domethënia e emrit të artit Bebe”, ka sqaruar ajo për mediat amerikane.
Karriera e saj si këngëtare ka nisur herët. Që në moshën 4-vjeçare ajo ka performuar në “musical”. Ajo është vlerësuar me çmimin tekstshkruesja më e mirë në “National Academy of Recording Arts and Sciences”.
Falë këtij talenti, ajo arriti të takonte shumë producentë të famshëm. Në vitin 2010, ajo u bë pjesë e një bande muzikore “Black Cards” dhe u largua prej saj në vitin 2012.
Në vitin 2013, ajo nënshkroi kontratën me Warner Bros.
Bashkëpunimet me Eminem, Gomez, Nikki Williams etj., bënë që Rexha të niste përgatitjet për daljet e saj solo.
Hiti me reperin G-Eazy “Me, Myself & I” e vendosi në majat e klasifikimeve në 2016-n.
Era Istrefi, një yll në ngjitje
Shumë pak do ta besonin se beniaminia e familjes Istrefi, motra e vogël e Norës, do të kthehej në një artiste ndërkombëtare. Që në debutimin e parë si këngëtare solo ajo spikati. Sot, hiti i saj “Bon Bon” ka arritur të depërtojë në tregjet e huaja. Era po punon intensivisht për projekte të reja ndërkombëtare.
Ajo u bë e njohur për publikun në vitin 2013 me këngën “Mani për Money” për të cilën mori kritika pozitive. Më pas vijuan të tjera hite, si: “A po don” dhe “E Dehun”.
Në vitin 2014 u vlerësua në Videofest me çmimin si artistja e re më e mirë.
Në janar të 2016-s, Era Istrefi fitoi vëmendje ndërkombëtare me hitin “Bon Bon”, ku shumë artistë të famshëm e krahasuan me Sia-n apo Rihanna-n. Për shkak të këtij suksesi, ajo fitoi një kontratë në shkurt 2016 me kompaninë “American Sony Music Entertainment” dhe “Ultra Music”.
E lindur dhe e rritur në Kosovë, Era Istrefi premton shumë dhe këtë e konfirmon edhe suksesi i arritur si në Europë, ashtu edhe në Lindjen e Mesme. Ajo tashmë po synon të prekë suksesin edhe në tregun amerikan.
Era Istrefi ka pozuar edhe për revistën e njohur të modës “V Magazine”, gjë të cilën e kanë bërë edhe divat si: Beyonce, Madonna, Lady Gaga, Selena Gomez, Sam.