Nga Boldnews.al
Policia e Shtetit bashkë me Policinë Bashkiake të Tiranë janë bërë bashkë për të fshehur dhunën e ushtruar ndaj një biznesi, mesditën e së shtunës në Rrugën “Ferit Xhajko”, pranë ish restaurant “Durrësi”.
Burime konfidenciale nga Policia e Shtetit konfirmojnë për Boldnews.al për një ngjarje tjetër nga ajo e raportuar në media. Sipas njoftimit të uniformave blu katër persona janë arrestuar në flagrancë nga policia, për shkak se kanë ushtruar dhunë ndaj inspektorëve Policisë Bashkiake. Në pranga përfunduan:
-Jetmir Deda, 41 vjeç, lindur ne Dibër dhe banues në Tiranë
-Naim Sula, 29 vjeç, lindur në Kukës dhe banues Tiranë
-Admir Strazimiri, 40 vjeç, lindur në Dibër dhe banues Tiranë
-Erald Deda, 17 vjeç ,lindur ne Diber dhe banues në Tiranë.
“Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi policia bashkiake ka qënë duke kryer detyrën për lirimin e hapësirave publike në rrugën “Ferit Xhajko” afër ish restaurant “Durresi” dhe kanë hasur në kundërshtimin e njërit prej pronareve të bizneseve shtetasit Naim Sula, i cili kishte zëne hapësiren publike”, sqaron policia.
“Ky i fundit së bashku me shtetasit e tjerë të përmendur më sipër kanë goditur me grushta, karrige dhe sende të tjera elektroshtepiake punonjësit e policisë bashkiake duke i shkaktuar dëmtime te ndryshme ne trup”, thuhet më tej.
Por Boldnews.al ka kontaktuar familjarët e të arrestuarëve teksa ka mësuar të vërtetën e ngjarjes. Ndryshe nga deklarata e policisë, Naim Sula nuk ishte pronar i biznesit dhe dhuna është ushtruar fillimisht nga Policia Bashkiake.
Boldnews.al disponon fotot e 17-vjeçarit Erald Deda i cili është i shtruar në Spitalin Ushtarak dhe ku po merr ndihmë mjekësore për shkak të dhunës së ushtruar. Sipas burimeve konfidenciale, Eraldi bashkë me babain e tij Jetmir Deda janë pronarët e biznesit ndërsa Naim Sula është punonjës i tyre dhe Admir Strazimiri një mik i afërt.
E gjithë ngjarja nis kur Policia Bashkiake shkon për t’i sekuestruar mallin e biznesit që ishte me letra të rregullta. Boldnews.al disponon dokumentat kur familja Deda ka paguar çdo muaj detyrimet për hapësirën publike të cilën e përdor për të tregtuar material elektroshtëpiake.
Por policët bashkiak nuk kanë marrë fare parasysh dokumentat dhe taksat e paguara në Bashkinë e Tiranës dhe kanë vepruar në sekuestrim të mallit. Në këtë moment kanë hasur në rezistencë me djalin 17-vjeçar Erald Deda, i cili është përpjekur të pengojë sekuestrimin e elektroshtëpiakeve, një biznes i ngritur me mund dhe gjak.
Por policët bashkiak me arrogancën e tyre kanë shtyrë me forcë të riu duke e rrëzuar. Pas kësaj, 17-vjeçari ka reaguar duke u përplasur fizikisht me Policinë Bashkiake. Në këtë konflikt hyn edhe babai i Eraldit, Jetmiri për të qetësuar situatën. Por ai qëllohet me një radio nga njëri prej policëve.
Edhe punonjësi Naim Sula bashkë me mikun e familjes Deda, Admir Strazimiri kanë hyrë për të qetësuar situatën por kanë hasur në dhunë dhe rezistencë nga Policia Bashkiake por edhe Policia e Shtetit e cila ka mbërritur në vendngjarje.
Si përfundim nga dhuna e ushtruar përfundon në spital 17-vjeçari Erald Deda, ndërsa nuk ka asnjë inspektor të Policisë Bashkiake të plagosur, siç thuhej në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Nga e gjithë kjo situatë e shkaktuar nga Policia Bashkiake është dëmtuar një biznes ndërsa janë arrestuar 4 persona mes tyre dy anëtarë të një familjeje për të fshehur gabimin dhe dhunën e ushtruar ndaj tyre.