Pas deklaratës së Partisë Socialiste për rrëzimin e masës së sigurimit të padisë nga Gjykata Administrative kundër dekretit të Presidentit Nishani dhe akuzave ndaj gjykimit, të cilin e cilësoi të mjerë profesionalisht dhe alarm për pushtetin gjyqësor ka reaguar Partia Demokratike.
PD akuzon Ramën se kërcënon gjyqtarët në mënyrë kriminale, ndërsa i bën thirrje prokurorisë që të nisë hetimet.
Selia blu thotë se Rama ka hequr dorë me kohë nga përgjegjësia për t’iu shërbyer qytetarëve, ndërsa sipas tyre ai e do drejtësinë me cdo kusht, sepse i dhemb ndëshkimi qe e pret nga vota e qytetarëve dhe nga ligji nesër.
Referuar vendimit të Gjykatës Administrative për rrëzimin e kërkesës për çështjen e zgjedhjeve në Dibër, Partia Socialiste deklaroi se vetëm Vetingu është zgjidhja për të tillë gjyqtarë. “Vetingu për gjykatës të tillë që shqelmojnë ligjin, interesin publik dhe profesionin e tyre pa pikën e turpit, është e vetmja zgjidhje”.
Deklarata e plotë
Edi Rama jo vetëm kërcënon gjyqtarët në mënyrë kriminale kur marrin vendime që nuk i pëlqejnë atij, por i del edhe në mbrojtje këtyre kërcënimeve.
Deklarata e tij e pasdites konfirmon veprën penale të kërcënimit të gjyqtarëve për të shtyrë zgjedhjet në Dibër. Ndaj ajo duhet ti shërbejë prokurorisë të shkundet e të nisë menjëherë hetimin penal për këtë kërcënim.
Por edhe më e rëndë se sa vetë sulmi e kërcënimi mafioz ndaj gjyqtarëve është mbrojtja e këtij sulmi dhe vendosja e Edi Ramës në pozitën e supergjyqtarit që interpreton ligjin dhe sulmon vendimin e gjykatës.
Kryeministri në detyrë bën mirë ta harrojë këtë ëndërr sulltanësh për të pasur të gjitha pushtetet nën sqetull.
Ai nuk po ushtron prej kohësh as detyrën e tij. Ka hequr dorë me kohë nga përgjegjësia për tiu shërbyer qytetarëve. Puna e tij sot nis e mbaron duke mbrojtur oligarkët dhe bandat e drogës. Ndaj e do drejtësinë me cdo kusht, sepse i dhemb ndeshkimi qe e pret nga vota e qytetarëve dhe nga ligji nesër.
Shqiptarët duan drejtësi e ligj. Shqiptarët nuk duan drogë e sundim bande. Shqiptarët mbarë e dinë se Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën.