Nga Lavdosh Ferruni
Teksa qytetarët dëgjuan për projektligjin e rikthimit të importit të plehrave pakkush mund të ketë besuar se vërtet gjëndja ka ndryshuar dukshëm dhe importimi i plehrave është një “must” për vendin. Ajo që shohin qytetarët është që falë ligjit të ndalimit të importit të plehrave dhe vetështrëngimit të ricikluesve për të thithur më shumë plehra (sidomos plastike) për riciklim, falë dhe përfshirjes të mijra grumbulluesve (kryesisht romë) kudo në vend, Shqipëria është disi më e pastër.
Në këtë shkrim nuk do ti kthehemi argumentave pa mbarim të fushatës qytetare pro ndalimit të importit të plehrave të përdorura gjatë 2 viteve deri në vitin 2013. Nuk do përmendim as citimet e Ramës për krenarinë e tij që po ndalonte importin e plehrave, që entuziasmuan jo pak opinionin e gjerë publik. Gjetëm si shumë domethënëse ti referohemi e të krahasojmë vetëm të dy relacionet e dy projektligjeve, atij të 2013 për ndalimin e importit të plehrave dhe këij të 2016 për lejimin e importit të plehrave të formuluara që të dyja nga maxhoranca në fuqi.
Në 2013 relacioni përfundonte: “Me miratimin e këtij projektligji vlerësojmë se zgjidhet përfundimisht edhe çështja e referendumit, kundër importimit të mbetjeve, të parashikuar për tu zhvilluar më datë 22 dhjetor 2013”. Vini re shkruhet “perfundimisht” , pra një ligj me valencë të barabartë me një referendum të miratuar për tu kryer, zgjidhja prej të cilit do të ishte vërtet përfundimtare. Nëse ky ligj nuk bëhej, sic u bë, në mënyrë të pakthyeshme do zhvillohej referendum në Dhjetor në ditën e caktuar nga Presidenti.
Pra llogjika të thotë që inciativa e 3 deputetëve Eduard Shalsi, Bujar Derveni dhe Ervin Bushati (në vijim Treshja) nuk mund të inicioj rrëzimin e një ligji ekuivalent me referendumin për nga rëndësia. Madje deputetët iniciator për rikthimin e ligjit për importin e plehrave as marrin mundimin (në fakt do ishte kurajo shumë e madhe) ta përmendin në relacion referendumin, pas të cilit qëndrojnë mbi 60, 000 firma. Nuk kuptohet ku e gjejnë ata këtë kurajo për të përmbysur një ligj të tipit referendar. Për më tepër,
Treshja tani në relacionin e 2016-s gënjen në mes të ditës kur shkruan se gjoja edhe ne relacionin e 2013-s qenka shkruar : “..amendamentet e propozuara do te jene ne formen e dispozitave tranzitore me afat jo me teper se 2 vite nga miratimi, pasi synojmë që marrja e masave të nevojshme dhe mirorganizimi, bashkëpunimi me qeverisjen vendore, do sjelli efektet e synuara ne miratimin e ligjit.” (kerko genjeshtrën me fjalet kyc: mbetjet_relacioni_13972)
Në relacionin e 2013-s shkruhet se “’Importi i mbetjeve jo të rrezikshme’ bie në kundërshtim me qëllimin e ligjit, që, sipas parashikimit të nenit 1, është mbrojtja e mjedisit dhe shëndetit të njeriut nëpërmjet parandalimit ose pakësimit të ndikimeve negative nga gjenerimi dhe menaxhimi i mbetjeve. Gjithashtu, në nenin 6 përcaktohet se përparësi në menaxhimin e mbetjeve i jepet parandalimit të mbetjeve. Në të dyja rastet përparësi është reduktimi i mbetjeve. Ne vleresojmë se lejimi i importit të mbetjeve nuk ndihmon në parandalimin apo reduktimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë.” Shumë e saktë.
Në relacionin e 2016-s nuk kemi asnjë fjalë për parimin e parandalimit të gjenerimit të mbetjeve (e si mund te flitet për parandalim kur ti kërkon të sjellesh maunet me plehra nga importi?).
Në relacionin e 2013-s shkruhet se “Dispozitat, që lejojnë importin e mbetjeve me qëllim riciklimin e tyre në Shqipëri, bien në kundërshtim me direktivën e BE-së për zbatimin e “Parimit të vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë.” Sipas direktivës 2008/98/EC (neni 16) çdo vend duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe mbetjet duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit” Në seancë plenare te 2013-s z. Haxhinasto i LSI-se tha : “Ligji është në përputhje të plotë me direktivën europiane, e cila kërkon që çdo vend të menaxhojë mbetjet e veta sa më afër burimit”. Shumë e saktë.
Në relacionin e 2016-s as qe permendet fare parimi i afërsisë sipas direktivës së BE-së për menaxhimin e mbetjeve ( e si mund te flitet per parimin e afersise kur duhen kaluar dete që të mbërrijnë plehrat në Shqiperi ?). Ne kete relacion thuhet një fjali thjesht provokuese se ndryshimet ligjore të propozuara gjithashtu do të mundësonin plotesimin e një prej kritereve të integrimit, të nënvizuar si të paplotesuar në raport progresin e fundit të BE, pra që kriteri per integrim ne BE sipas treshes, qenka i lidhur me importin e plehrave. Përmendet gjithashtu gjoja një direktive e Parlamentit Europian, që nuk është direktive, por rregullore për ata që e zbatojnë.
Relacioni i 2016 – Fallciteti i argumentimit
Treshja shkruan: “Ndër objektivat e Strategjise dhe Planit Kombetar te Menaxhimit të Mbetjeve është riciklimi i mbetjeve” . Po është korrekt, por ka shmangur atë, që objektiv kryesor është parandalimi , pra paksimi gjenerimit të mbetjeve. Importi është shtim , madje shumëfishim i mbetjeve.
Në vijim Treshja perpiqet te argumetoj se industria është instaluar që të përpunoj dhe mbetje të vendit dhe të importit duke pretenduar se legjislacioni që ishte e lejonte importin e mbetjeve dhe se “Ndalimi I importit solli si pasoje qe industria e riciklimit te punoj me 30 % te kapaciteteve, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik, si dhe shkurtim të fuqisë punëtore”. Kjo është e gënjeshtër. INSTAT raporton se importi i mbetjeve të plastikës në vitet 2012 dhe 2013 ka qenë përkatësisht 3330 ton dhe 4580 ton, kurse i letres 0. Ndërkohë kur mbetjet urbane të vendit janë rreth 1 milion ton, nga të cilat plastikat janë rreth 14%. Riciklimet në Shqipëri janë rritur nga 21% në 2014 në 25.3% në 2015 dhe në 2018 parashikohet të rritet me 30%. Po kështu eksportet e plastikës së ricikluar të paktën nga ndërmarrja më e madhe në vend që ndodhet në Tiranë janë rritur ( Everest.com). Pra nuk ka rënie të riciklimit për efekt të mosimportimit të mbetjeve.
Me tej- shkruan Treshja-, ndyshimet ligjore do të hapnin mundësi të medha ekonomike në sektorin e riciklimit shoqëruar me krijimin e dhjetra mije vende te reja pune, rritje te rëndesishme te GDP dhe dyfishimin e eksporteve. Në fakt do të jetë e kundërta; dhjetra mijra vetë, që aktualisht janë të vetëpunësuar në sektorin e grumbullimit të materialit për riciklim do humbasin punën si rrjedhoj e importit të plehrave, të cilat vinë të paketuara dhe nuk kanë nevojë për fuqi puntore. Një pjesë e tyre do riciklohet dhe pjesa më e madhe do jetë e papërshtatshme dhe do shkoj në landfill. GDP do të shënoj rënië, pasi do të bien të ardhurat nga turizmi dhe bujqësia e do rriten shpenzimet nga shëndetsia.
Skenari i importit është djegia e plehrave në Shqipëri
Kompanitë e Italisë fqinje e kanë çfaqur qartazi ambicjen e tyre për të eksportuar plehra në Shqipëri të paktën qysh në vitin 2004, ku falë një reagimi qytetar nuk u plotësuan firmat e nevojshme të kontratës që do sillte 70 maune në ditë me plehra për ti djegur në Kashar. Krizat e plehrave në Napoli e Romë janë permanente. Shkarkimi i plehrave në Shqipëri do të ishte një mundësi e lehtësimit për disa qytete të Italisë. Italia prodhon 30 milion ton mbetje urbane dhe harxhon per depozitimin e tyre 4 miliard euro në vit, pra 135 euro per ton. Në Shqipëri shpenzohen për depozitimin jo më shumë se 30 milion euro në vit, dmth 30 euro për 1 ton. Dhe kjo vjen se në Shqipëri në shumë vende plehrat vec shkarkohen diku në periferi me preferencë buzë lumi. Ky është avantazhi i bizneseve fqinje, të gjejnë terren në Shqipëri që jo vetëm të mos harxhojnë për depozitim, por edhe të fitojnë ndonje lek nga shitja. Riciklimi gjoja në Shqipëri është kamuflimi, që politika bën sikur nuk e kupton, por për qytetarët është fare e qartë. Në një pjesë të madhe ato do kalojnë në landfille e më pas nga landfilli në djegësit e plehrave në Elbasan e Fier, të cilët nuk mund të punojnë vetëm me plehrat e qytetit, pasi djegja është process që nuk duhet të ndaloj asnjë ditë të vitit. Djegja është dhe zgjidhja më e mirë për mafien për të kaluar në të dhe mbetje të rrezikshme. Projektligji “Shalsi” i hap rrugë dhe importit të plehrave thjesht për qëllim djegie. Dhe për këtë në projektligj pas fjalës ndalon ( është fjala për importin pë djegje) djallëzisht shton fjalën “ose kufizon”. Argumenti i riciklimit mbetet thjesht kamuflazh.
Qoftë shtimi i landfilleve, qoftë djegja e sasive gjithnjë e më të mëdha në impjantet djegëse për efekt të importit prodhon një ndotje fatale për Shqipërinë , që nuk mund të riparohet për shumë dekada, pasi ndoten ajri, toka, ujrat sipërfaqsor, ujrat nëntoksore dhe deti me substanca toksike me efekt shkatërrues afatgjatë të gjallesave dhe shëndetit të njerzve. Projektligji “Shalsi” me cinizëm shkruan në fund të relacionit se importi i plehrave “..do të sjellë vetëm efekte positive..”
Projektligji “Shalsi” sipas të cilit i rihapet rruga importit të plehrave është vijë demarkacioni midis një politike kthinash thellësisht klienteliste dhe një politike vizionare e ndryshme nga politika e 25 viteve të shkuara.
Shkruar për Boldnews.al