Avokati i njohur Ledio Braho shprehet se ngërçi i krijuar me Gjykatën Kushtetuese nuk ka lidhje me interpretimin e Kushtetutës, por është pasojë e lidhjes simbiotike Kryetar i KED – maxhorancë. Sipas tij, kjo lidhje po shfrytëzohet për të kapur politikisht Gjykatën Kushtetuese, fenomen ky i paralajmëruar edhe nga Komisioni i Venecia në opinionin e dhënë në lidhje me shkarkimin e Presidentit të Republikës.
Në një intervistë për Telegraf, Braho shpjegon gjithashtu se opinionet e Komisionit të Venecias nuk janë detyruese, por ato thjesht përdoren për konsum politik brenda vendit. Në këtë kuadër ai përmend opinionin e Venecias lidhur me kërkesën që u parashtrua në rastin e Presidentit.
“Për aq kohë sa “Venecia” jep vetëm opinione, ato do të mbeten thjesht të tilla. i vetmi organ që mund të marrë vendime në lidhje me mosmarrëveshjet kushtetuese është Gjykata Kushtetuese dhe për aq kohë sa konflikti ka lindur për vetë funksionimin e saj, jemi përfshirë në një rreth vicioz nga i cili nuk ka opinion që na nxjerr”, shprehet Braho.
Avokati i njohur ka komentuar edhe hetimin parlamentar ndaj Presidentit, ndërsa pyetje që shtron është se sa i ligjshëm mund të jetë një Parlament që nuk ka 140 deputetë.
“Komisioni Hetimor në vetëvete është i ligjshëm, por pyetja që do ngritur është se sa kushtetues është një Parlament jo me 140 mandate siç e kërkon Kushtetuta?!
Gjithsesi Komisioni i Venecias ishte i qartë në lidhje me kompetencat e Presidentit për rastin e 30 qershorit që edhe nëse ka shkelje ajo nuk është e nivelit të rëndë që do të passillte shkarkimin e tij.
Për këtë arsye shkarkimi i Presidentit nuk duhet të votohet, jo se opinioni i Komisionit të Venecias është detyrues, por sepse nuk ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Megjithatë çdo vendimmarje e Parlamentit do duhet të kalojë nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese si garantuesja e vetme e zbatimit të Kushtetuës, pasi vendimmarrja e Parlamentit, aq më tepër këtij Parlamenti, në çdo rast konsiderohet politike”, thekson Braho.
Zoti Braho, Taulant Balla deklaroi se maxhoranca do ta dërgojë cështjen e Gjykatës Kushtetuese në “Venecia”. Kaq e paqartë është Kushtetuta e Shqipërisë sa ligjbërësit shqiptarë, institucionet kushtetuese në Shqipëri të mos dinë si emërohen gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese?
E vërteta është që Kushtetuta është shumë e qartë në lidhje me mënyrën e plotësimit të vakancave të Gjykatës Kushtetuese. Edhe përse askush nga ideatorët e Reformës në Drejtësi nuk e kishte parashikuar që Gjykata Kushtetuese do të shndërrohej thjesht në një godinë pa gjyqtarë, dispozitat kalimtare të amendimeve kushtetuese janë të qarta në lidhje me plotësimin e vakancave dhe që radha që duhet të ndiqet është ajo President-Kuvend-Gjykatë e Lartë. Pavarësisht se Kushtetuta është shumë e detajuar dhe procedurale në lidhje me organet e drejtësisë, qëllimi është ai i mosbllokimit të institucioneve kushtetuese, por ajo që po ndodh aktualisht nuk është aspak çështje interpretimi kushtetues. Me keqardhje më duhet të konstatoj se ky ngërç institucional ka ardhur vetëm si pasojë e lidhjes simbiotike Kryetar i KED – maxhorancë, lidhje kjo që po shfrytëzohet për të kapur politikisht Gjykatën Kushtetuese, fenomen ky i paralajmëruar edhe nga Komisioni i Venecia në opinionin e dhënë në lidhje me shkarkimin e Presidentit të Republikës.
Derisa Parlamenti ynë injoroi Opinionin e “Venecias” se Presidenti i Shqipërisë nuk mund të shkarkohet për Dekretin e 30 qershorit, atëhere çfarë vlere do ketë opinioni i “Venecias” për Gjykatën Kushtetuese?
Opinionet e Komisionit të Venecias, nëse do i referohemi edhe atij për dekretin e Presidentit të Republikës, po përdoren vetëm për konsum politik brenda vendit dhe si burim i debatit të mëtejshëm ku secila nga palët zgjedh t’i interpretojë argumentat e “Venecias” sipas qasjeve të veta duke mbajtur të njëjtin qëndrim fillestar. Për aq kohë sa “Venecia” jep vetëm opinione, ato do të mbeten thjesht të tilla. i vetmi organ që mund të marrë vendime në lidhje me mosmarrëveshjet kushtetuese është Gjykata Kushtetuese dhe për aq kohë sa konflikti ka lindur për vetë funksionimin e saj, jemi përfshirë në një rreth vicioz nga i cili nuk ka opinion që na nxjerr.
Zoti Braho, sa seriozitet Kushtetues ka përzgjedhja që bëri KED kandidatëve për anëtarë për Gjykatën Kushtetuese kur ato nuk mundën të fitonin pikët për t’u pranuar në Shkollēn e Magjistraturës?
Nuk do e kufizoja vetëm në çështje pikësh apo profesionalizmi në interpretimin e ligjit seriozitetin e vlerësimit nga KED edhe pse patjetër këto janë kushte të domosdoshme, por kurrsesi të mjaftueshme. Një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese duhet të ketë shumë më shumë se kaq. Integriteti, personaliteti, pavarësia dhe paanësia janë ato elementë që të bëjnë gjyqtar të Gjykatës që zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, aq më tepër në një kohë ku vendi është mbërthyer nga kriza kushtetuese dhe politike. Por a ka arritur KED me vlerësimin dhe pikëzimin e saj që t’i konstatojë këto elementë?! Në dy përzgjedhjet e bëra nga Kuvendi duket qartë që kemi të bëjmë me dy kandidate që në asnjë moment të karrierës së tyre nuk kanë pasur për kompetencë vendimmarrje. Është pikërisht ushtrimi i kësaj kompetence që nxjerr në pah elemente si integriteti, personaliteti, pavarësia apo paanësia. KED si në rastin e Xhaferllarit, po ashtu edhe të Muçit, të dy me kompetenca vendimmarrëse në të shkuarën e tyre, i ka renditur të fundit çka tregon që kemi një KED që vlerëson konformizmin politik të atyre që nuk kanë qenë ndonjëherë vendimmarrës.
A mund të bëhesh Gjykatës i Gjykatës Kushtetuese kur nuk ke kryer Shkollën e Magjistraturës?
Kushtetuta e parashikon që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë arsim të lartë juridik, të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, nëpunës të nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës, pra jo domosdoshmërisht që të kenë kryer Shkollën e Magjistraturës.
A është kushtetuese që Dvorani ka 5 vite që i është mbaruar Mandati i anëtarit të Gjykatës së Lartë dhe ende vazhdon? A mund të intepretohet se qënia e tij akoma në Gjykatën e Lartë është vullnet politik?
Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese me nr. 55 të datës 27.07.2016 që ka konstatuar antikushtetutshmërinë e vijimit të mandatit të gjyqtarit Dvorani tej afatit 9 vjeçar, por po njësoj si sot edhe në vitin 2016 është manovruar me botimin në Fletoren Zyrtare çka ka sjellë për pasojë edhe moszbatimin e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese për shkak se janë bërë përllogaritjet që ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 të hynin në fuqi një ditë përpara hyrjes në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në bazë të të cilit duhet të ndërptitej mandati i gjyqtarit Dvorani. Ky është një tregues i qartë që zgjatja e mandatit të tij është vetëm vullnet politik, madje ky vullnet duket edhe në faktin që pavarësisht parregullsive dhe “harresave” të konstatuara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në procedurën e vettingut, për të nuk u bë ankim si nga Komsionieri Publik, por po ashtu nuk pati as rekomandim nga ndërkombëtarët e ONM-së.
Zoti Braho, ju çfarë intepretimi/shpjegimi jepni: Përse KED kishte vetëm 3 kandidatë të njëjtë për anëtarë për Gjykatën Kushtetuese në listat që i dërgoi Presidentit të Republikës dhe Parlamentit? Nuk ka kandidatë të tjerë?
Në katër lista që përgatiti KED që duhet të ishin së paku dymbëdhjetë emra kishte gjithsej gjashtë emra që qarkullonin nga të cilët mundësia për t’u zgjedhur ishte në pesë emra dhe këto pesë emra ishin për katër vakanca. Ndërkohë që kishte më shumë se dyzetë kandidatë që shprehën interesin për të qenë pjesë e kësaj gjykate. Një pjesë e tyre u tërhoqën gjatë procesit për shkak të afateve të limituara për mbledhjen e dokumentacionit për justifikimin e pasurisë dhe një pjesë tjetër nuk u lejuan për kandidim nga KED.
E vërteta është që kandidatë ka, por për shkak të afateve, sidomos për pjesën e kriterit të pasurisë, mundësia objektive për t’u kualifikuar ishte vetëm për ata që kishin kryer deklarime më parë për shkak të angazhimeve të mëparshme. Të gjithe ata kandidatë që aplikonin nga jashtë gjyqësorit e kishin të pamundur të arrinin afatet për mbledhjen e dokumentacionit financiar ndër vite, ata që vinin nga gjyqësori (si rasti i magjistratit Besnik Muçi) nuk ishin konfirmuar në detyrë nga organet e vettingut me vendim të formës së prerë, kështu që kandidaturat mbetëm vetëm në nivel burokratësh që kishin kryer deklarime të pasurisë.
Derisa “Venecia” dha Opinionin se Presidenti i Shqipërisë nuk mund të shkarkohet për Dekretin e 30 qershorit, a ka baza Kushtetuese Komisioni Hetimor i Parlamentit shqiptar të votojë shkarkimin e Presidentit?
Komisioni Hetimor në vetëvete është i ligjshëm, por pyetja që do ngritur është se sa kushtetues është një Parlament jo me 140 mandate siç e kërkon Kushtetuta?! Gjithsesi Komisioni i Venecias ishte i qartë në lidhje me kompetencat e Presidentit për rastin e 30 qershorit që edhe nëse ka shkelje ajo nuk është e nivelit të rëndë që do të passillte shkarkimin e tij. Për këtë arsye shkarkimi i Presidentit nuk duhet të votohet, jo se opinioni i Komisionit të Venecias është detyrues, por sepse nuk ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës. Megjithatë çdo vendimmarje e Parlamentit do duhet të kalojë nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese si garantuesja e vetme e zbatimit të Kushtetuës, pasi vendimmarrja e Parlamentit, aq më tepër këtij Parlamenti, në çdo rast konsiderohet politike.
Çfarë është kriza e Gjykatës Kushtetuese? Politike apo për shkak të boshllëqeve që ka Kushtetuta?
Kriza e Gjykatës Kushtetuese është kryesisht shkak i vullnetit të maxhorancës për ta kapur politikisht në mënyrë që të garantojë shkarkimin e Presidentit të Republikës si organi i fundit kushtetues që ka mbetur jashtë influencës së saj, por edhe për të garantuar moscënimin e një sërë ligjeve të miratuara apo që dhe priten të miratohen deri në fund të këtij mandati të dytë qeverisës që cënojnë hapur Kushtetutën dhe parimet e sanksionuara në të.
Megjithatë edhe projektimi i gabuar i Reformës në Drejtësi në përgjithësi dhe vettingut në veçanti sipas parimit top-doën (nga lartë poshtë) solli një shkatërrim total të strukturave të gjyqësorit pa siguruar mekanzima për vijimin e këtyre institucioneve ndërkohë që shkarkoheshin gjyqtarë dhe prokurorë.
Janë pikërisht këto dy fenomene që kanë kolapsuar sistemin e drejtësisë dhe që kanë sjellë efekte edhe në demokracinë e vendit. /Telegraf/