Këshilli i Ministrave ka marrë sot ndër vendimet e tjera edhe një vendim për trajtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pas mbarimit të mandatit të tij.
Me sa duket e ‘zënë në faj’, për përfshirjen e Drejtorit Haki Cako në aferën e përgjimeve, qeveria ka vendosur që edhe në të ardhmen kur të mos jetë më në krye të Policisë së Shtetit të ketë disa favore.
Sipas vendimit të qeverisë të publikuar në faqen on-line të Kryeministrisë, ish-Drejtori i Policisë së Shtetit përfiton ruajtjen e afërt fizike, me shoqërues personal, për 2 vjet; trajtim financiar për kurim; garanci dhe mbrojtje për familjen e tij si dhe banesë nëse ka rrezik për të, etj.
Vendimi për këto privilegje është marrë me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme.
V E N D I M
PËR
TRAJTIMIN E VEÇANTË TË DREJTORIT TË POLICISË SË SHTETIT PAS PËRFUNDIMIT TË MANDATIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 15, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Drejtori i Policisë së Shtetit, pas përfundimit të mandatit, gëzon trajtim të veçantë për:
Ruajtje të afërt fizike
1.1. Ish-Drejtori i Policisë së Shtetit përfiton ruajtjen e afërt fizike, me shoqërues personal, për 2 vjet.
1.2. Shoqëruesi, që merret me ruajtjen e ish-Drejtorit të Policisë së Shtetit, është punonjës i strukturave policore për mbrojtjen dhe sigurimin e personave me cilësi të veçanta.
1.3. Policia e Shtetit merr përsipër caktimin e automjetit, të limitit të furnizimit me karburant dhe riparimin e saj.
1.4. Kur paraqiten rrethana që rrezikojnë jetën e tij dhe të familjes, i sigurohen pjesëtarët e familjes dhe banesa, për aq kohë sa ekziston ky rrezik.
Trajtim financiar për kurim
Ish-Drejtori i Policisë së Shtetit, në rast sëmundjeje, brenda 2 (dy) viteve pas lirimit nga detyra, përfiton trajtim financiar për kurim në institucionet e kujdesit shëndetësor në vend ose jashtë vendit. Shpenzimet për kurim në masën 100 për qind përballohen nga fondet e Policisë së Shtetit.
Përparësi për emërimin në funksione këshillimore apo funksione pedagogjike.
Drejtori i Policisë, pas përfundimit të afatit të qëndrimit në detyrë, në interes të shërbimit të rendit e të sigurisë publike, mund të kryejë funksione të këshilltarit të personave që kryejnë funksione kushtetuese apo funksione të tjera këshillimore ose pedagogjike.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, sipas pikave 1 dhe 2, planifikohen dhe përballohen nga programi buxhetor “Policia e Shtetit”.
III. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI