Pavarësia e prokurorit është shumë e rëndësishme, raportet mes drejtuesve dhe vartësve, shpeshherë kanë çuar në tensione dhe deformime të interpretimit të ligjit apo cilësisë së hetimit.
Kështu tha Olsian Çela, kandidati për Kryeprokur gjatë seancës dëgjimore në KLP.
Ai shtoi se garantimi dhe ruajtja e kësaj pavarësie është shumë e rëndësishme.
“Prokurorë të caktuar lirinë që i jep ligji nuk menaxhojnë siç duhet këtë pavarësi. Prokurori i Përgjithshëm duhet të mbajë një sy hapur për çdo gjë që ndodh në shkallët e para dhe të apelit dhe do të ndërtohen këto mekanizma, përmes aksesit që do t’i krijohet publikut, dhomës së avokatisë, KLP-së dhe institucioneve të tjera, duke bërë që të ketë një bum informacionesh në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm”, tha Çela.
Ai tha se prokurorët duhet të jenë të përgjegjshëm, pasi liria dhe pavarësia shkojnë bashkë.
Çela tha se do të ketë përcaktim të qartë të përgjegjësive për oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorëve.
“Përgjatë viteve problemet janë kronike dhe të reja. Ka pasur dobësi në hetim, mungesë impakti të hetimite dhe premtoj një ristrukturim të prokurorisë përmes etikës profesionale”, tha Çela.
Ai tha se prokurori i Përgjithshëm duhet të punojë në ekip, që do të thotë se njerëzit e ngarkuar për burimet financiare, duhet të bashkëpunojnë, duhet të ndajnë të njëjtin vizion.
“Kemi përherë probleme buxhetore, kjo është kronike, por kurrë më parë nuk është bërë asnjë studim serioz, nëse paratë që i alokohen Prokurorisë së Përgjithshme nga buxheti i shtetit, si administrohen, a shpenzohen në mënyrën e duhur”, tha ai.
Në vijim Çela shtoi se Prokurori i Përgjithshëm ka një kontribut për interesin publik, hetimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale.
“Përdorimi i kapaciteteve njerëzore me efikasitet, zhvillim të policisë gjyqësore, rritja e përgjegjshmërisë së prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore, transparenca në media, zhdukja e korrupsionit në Prokurori.
Brenda 6 vitesh, objektiv për dixhitalizimin e të gjitha dosjet, për aksesim ne kohë reale.
Brenda 6 muajsh do krijojmë një databaze elektronike të punës së Prokurorisë. Çdo 4 muaj mbledhje me të gjithë drejtuesit e prokurorive, për diskutimin e problemeve. Po ashtu, një herë në vit edhe mbledhja e asamblesë së përgjithshme të prokurorëve”, tha ai.