Deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-ministri i Inovacionit në një intervistë për gazetën “Panorama”, flet për procesin e vështirë të Reformës në Drejtësi.
Ai sqaron për publikun, negociatat intensive në Tiranë, por veçanërisht në kancelaritë jashtë vendit të kreut të opozitës Lulëzim Basha, për zgjidhjen e ngërçit të krijuar dhe shkuarjen drejt votimit me konsensus të plotë. Sipas Genc Pollos, keqkuptimet dhe shpesh dezinformimet që kishin diplomatët Lu dhe Vlahutin në Tiranë, Basha arriti t’i zgjidhte në nivele më të larta me Brukselin dhe Washingtonin.
“Keqkuptimet e sajuara në Tiranë, Lulëzim Basha i zgjidhi me sukses në kontakt direkt me Brukselin dhe Washingtonin. Të gjitha kërkesat e PD u pranuan, përfshi vendet e rezervuara (edhe pse nuk u quajtën kështu në substancë janë pikërisht kështu) në organet e vettingut dhe dy këshillat e prokurorisë/gjyqësorit, si dhe roli vetëm konsultativ i vëzhguesve ndërkombëtarë. Edhe pse dëgjuam pak ditë para 21 korrikut, se këto propozime qenkëshin të papranueshme për aksh qeveri, 24 orë pas miratimit të tyre në Kuvend, aksh qeveri, e plotë qeveri të tjera e përshëndetën votimin unanim”, thotë deputeti i PD-së për lojën që u bë me vijën e kuqe për vettingun.
Në po këtë intervistë Pollo ndan edhe opinionin e tij, për sms-të e amabasadës amerikane në Tiranë ndaj deputetëve të caktuar një ditë përpara votimit, nëpërmjet të cilave shtrëngoheshin të votonin pavarësisht konsensusit, përndryshe do të kishin pasoja të rënda personale.
“Të kërcënosh me masa që rezervohen për terroristët e kriminelët, është e papranueshme. Por edhe e padobishme e kontraproduktive. Nuk ishte mjet që realizon qëllimin, siç edhe e tregoi akordi i të enjtes pasdite e votimi i të premtes pa gdhirë”, thotë Pollo, i cili ishte në ato ditë edhe nga të paktët deputet që reagoi hapur kundër këtyre metodave që po përdorte ambasada amerikane.
Pollo në këtë intervistë flet edhe për votat e disa deputetëve të PD që u deklaruan pro votimit, edhe pa konsensus të reformës. “Deklarimi publik pro reformës pikërisht në momente kritike të vendimmarrjes, mendoj se i dobësoi pozitat e negociatorëve të PD-së e deputetëve të opozitës në komision. Z. Xhafaj në anën tjetër të tryezës, e kishte kollaj tu thoshte mos na kërkoni kaq shumë. Se dy-tre vota i morëm e tri-katër do t’i marrim dhe do ta miratojmë edhe pa ju”, thotë deputeti i PD-së.