Si gjysma e detyrimit që do falet i përket vetëm një grushti kompanish….
Të paktë ishin ata që ndiejnë keqardhje nga lajmi i bujshëm i ministrit të Financave se do të falen një pjesë e mirë e detyrimeve tatimore dhe doganore. Në projektligjin që u hartua, u vendos të përfshihej edhe fshirja e taksave të automjeteve, të cilat e kishin çuar borxhin në Drejtorinë e Transportit Rrugor 53 milionë dollarë. Së bashku me këtë “amnisti”, është vendosur të futen edhe rivlerësimet e pasurisë së patundshme për qytetarët dhe biznesin. Një politikë e re po ndihet në ajër, në një kohë që jo më larg se një vit më parë bizneset arrestoheshin, ata që vidhnin energjinë burgoseshin e përfshirë dhe shumëkënd që ndërtonte pa leje, nga halli apo nga qejfi, nga dhënia e lejes apo vonesa e saj…. Kjo që po ndodh, në fakt, tingëllon si “shumë e bukur për të qenë e vërtetë” dhe ka prej disa muajsh që me ardhjen e ministrit të ri të Financave që sipërmarrësit po dëgjojnë vetëm lajme të mira. Ministri ka premtuar që ka ende dy nisma ligjore të tjera që pritet t’i shpallë në javët në vijim, ku ajo që lakohet më shumë nga deputetët socialistë në korridoret e Kuvendit është rritja e pagave dhe pensioneve…
Amnistia e “kopjuar”
Një nismë të njëjtë mori në vitin 2011 edhe kabineti “Berisha”. Drafti që u votua propozonte faljen e të gjitha detyrimeve tatimore dhe doganore kundrejt pagesës 3% të të gjithë borxhit. Përveç kësaj, falja përfshinte dhe taksat e makinave bashkë me gjobat, si dhe një pjesë të faturave të ujit dhe energjisë elektrike. Brenda kësaj amnistie, e cila pasi nuk gjeti konsensusin e opozitës së asaj kohe, shkoi në Parlament përmes një ligji për faljen e detyrimeve, u përfshi edhe rivlerësimi i pasurive. Ndryshe nga drafti që është propozuar sot, pagesa e tatimit mbi fitimin për pronën që rivlerësohej ishte 1% e diferencës mes vlerës së tregut dhe asaj kur pasuria ishte regjistruar.
Çfarë përfshiu amnistia e kaluar:
– Falje të të gjitha taksave nacionale dhe vendore
– Falje të taksave të makinës, gjobave dhe 50% të detyrimit doganor për mjetet
– Falja e borxheve të sigurimeve shoqërore
– Falje e borxhit tatimor dhe doganor përmes pagesës 3% të të gjithë detyrimit
– Falje e faturave të energjisë elektrike për periudhën 1990-2006
– Falje e gjithë faturave të papaguara të ujit deri në datën e marrjes së administrimit nga bashkitë e komunat
Partia Socialiste nuk pranoi të votonte këtë falje. Në argumentet e saj favorizohej biznesi, i cili bënte evazion fiskal dhe po ashtu akuzat ishin të panumërta për përdorimin elektoral në favor të zgjedhjeve lokale që do të zhvilloheshin atë vit. Por edhe biznesi ishte skeptik në këtë amnisti. Vite të ndryshme, qeveritë kishin bërë falje të detyrimeve në tatime e dogana, por vetëm për të pastruar bilancet e administratës dhe jo të sipërmarrësve. Edhe pse në vitin 2008 ishte votuar në Kuvend në nismë e tillë, borxhi tatimor sërish ishte 530 milionë dollarë.
Por koha ka treguar se faljet në Shqipëri nuk kanë arritur të shfryjnë dot bilancet e borxheve në tatime e dogana. Nga 530 milionë dollarë, në përfundim të saj u realizua falja e vetëm 73 milionë dollarëve. Më i suksesshëm rezultoi të ishte rivlerësimi, i cili shqyrtoi kërkesat e 34 mijë individëve, ku totali i aseteve që përfituan kapi vlerën e 1.65 miliardë dollarëve.
Në propozimin e ri, Ministria e Financave ka vendosur të ndryshojë formulën dhe të fshijë çdo lloj detyrimi për vitet 2008, 2009, 2010 e deri në fund të dhjetorit 2011. Në total, borxhi në administratën tatimore ka kërcyer në 1.78 miliardë dollarë, nga ku 400 milionë do të falen pa kusht e 820 milionë do të jenë pjesë e skemës që është propozuar. Pretendohet se nëse të gjithë bizneset pranojnë të përfitojnë nga falja, buxheti do të arkëtojë 550 milionë dollarë.
Si do të funksionojë amnistia?
Financat mendojnë që brenda një afati 8–mujor të pastrojnë të gjitha detyrimet e biznesit në tatime e dogana. Nuk do të bëhet dallim nëse ka një biznes me status aktiv apo pasiv, por çdo detyrim, gjobë apo kamatëvonesë nga viti 2008 e deri në fund të 2011-s do të fshihet. Po kështu, edhe 53 milionë dollarë detyrime që rezultojnë në regjistrat e Drejtorisë së Transportit Rrugor do të fshihen për çdo automjet që nuk ka paguar taksat përgjatë 10 viteve të fundit kundrejt asnjë pagese. Të vetmit që do të paguajnë këto detyrime janë personat që kërkojnë të riaktivizojnë targën. Edhe për këtë kategori do të ketë sërish falje. “Personat të cilët paraqiten dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së çregjistrimit të mjetit dhe mbajtjen aktiv të tij, u falen detyrimet tatimore për periudhat përpara dhjetorit 2011 dhe duhet të kryejnë pagesat e të gjitha detyrimeve që u përkasin periudhave pas janarit 2012 dhe u falen gjobat për këtë periudhë”, thuhet në projektligj.
Pesha e parave për të paguar është pak më e lartë për ata të cilët kanë një detyrim në tatime e dogana pas vitit 2011. Bizneset duhet të paguajnë 70% të shumës që kanë borxh dhe do t’i falet 30% e detyrimit. Për borxhin tatimor, ligji shprehet qartë se llogaritet edhe kamatëvonesa. “Detyrimet tatimore të papaguara sipas pikës 1 të nenit 2 të këtij ligji, që u përkasin periudhave tatimore duke filluar nga janari 2012, të evidentuara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, falen nëse tatimpaguesi brenda datës 31.03.2017 paguan 70% të tatimit/taksës dhe kamatëvonesës përkatëse”, shprehet në projektligj. Ndërsa për borxhin në dogana falet edhe kamatëvonesa. “Detyrimet e pagueshme në doganë, që u përkasin periudhave pas datës 31.12.2011 të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, falen, nëse brenda datës 31.03.2017, paguhet 70% e shumës së detyrimeve të pagueshme në doganë pa gjobat”.
Ministria e Financave nuk do falë asnjë kontribut që punëmarrësi nuk ka derdhur për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Me qëllim lehtësimin e bilanceve në tatime, ajo do të falë gjobat, por jo detyrimet që shkojnë për pensionin e punonjësit. “Dënimet administrative (gjobat) për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të personave fizikë dhe juridikë, që janë të evidentuara deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe i përkasin periudhës pas dhjetorit 2011, falen me kushtin që kontributi i papaguar dhe kamatëvonesat përkatëse pavarësisht periudhës që i përket, të paguhet brenda datës 31.03.2017” – nënvizohet në ligj.
Falja e të mëdhenjve
Nga 400 milionë dollarë që Ministria e Financave ka vendosur të fshijë nga regjistrat e tatimeve dhe doganave pa asnjë kusht për biznesin që ka detyrime dhe gjoba deri në fund të vitit 2011, 50% të kësaj falje e përfitojnë një grup i vogël biznesesh. Fjala është për detyrimin që kanë në tatime Bankers Petrolium, ARMO, “Belle Air” etj. Në total, vetëm këto kompani kanë afro 200 milionë dollarë detyrime ndaj administratës tatimore, ku vetëm 110 milionë dollarë janë të ARMO.
Prej kohësh, kompania koncesionare e prodhimit të naftës në Shqipëri, Bankers Petroleum, është në luftë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për një detyrim që pretendohet të ketë lindur në vitin 2011. Sipas auditit që ka bërë Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka rezultuar se në atë kohë, kanadezët e Bankers kishin deklaruar miliona dollarë shpenzime të pajustifikuara dhe rrjedhimisht shteti shqiptar pretendoi 60 milionë dollarë taksë të pambledhur për efekt tatim mbi fitimin dhe 15 milionë të tjera gjobë për mosdeklarim. Çështja është ende në diskutim dhe një ekspert i pavarur Priceëater House do të bëjë vlerësimin se kush ka pasur të drejtë në këtë mes. Por, për sa kohë që ligji për faljen përjashton vetëm palët që kanë një vendim të formës së prerë të gjykatës për fshehje të ardhurash apo evazion, bën automatikisht që kompania të përfitojë nga kjo falje. “Nga falja e parashikuar sipas këtij ligji, nuk përfitojnë tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore/doganore, të cilët janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për fshehje të ardhurash dhe evazion tatimor dhe doganor, ose kontrabandë, në kuptim të legjislacionit të fushës”, thotë drafti i hartuar nga Ministria e Financave. Në këtë ligj përfitojnë falje edhe tatimpaguesit që është në proces ankimimi në gjykatë të gjobës apo detyrimit të pretenduar nga tatimet. Por edhe nëse ky nen nuk funksion për çështjen e Bankers, sërish kompania mund të aktivizojë animimin në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar të cilën e pezulloi disa muaj më parë dhe të përfitojë nga falja.
ARMO është kompania, e cila deri në fund të vitit 2011 kishte 50 milionë euro detyrime doganore dhe tatimore të papaguara, së bashku me gjobat. Ky borxh u rrit në vite duke tejkaluar edhe vlerën e 100 milionë euro, së bashku me gjobat. Me amnistinë, ARMO do të fshijë të gjitha detyrimet që ka në tatime e dogana, duke lehtësuar dhe vlerën e aseteve, të cilat sot rezultojnë negative dhe me koeficient të lartë të indeksit të falimentit.
Por edhe një prej kompanive ajrore të falimentuara, Belle Air, ka një detyrim në tatime prej 6.3 milionë dollarësh, i cili edhe nëse shiten asetet e saj, pas vendosjes së administratorit shtetëror nuk do të vilen. Në të njëjtën situatë është edhe firma e çelikut KURUM International me 1.3 milionë dollarë taksa të papaguara dhe dy prej kompanive të naftës që morën me qira uzinën e Ballshit dhe të Fierit të kompanisë ARMO. Deveron Oil dhe Trading Petrol Drilling kanë miliona dollarë detyrime në tatime, por te zëri i bilanceve të tyre, detyrimet janë të shënuara bashkë me borxhin që kanë ndaj të tretëve përfshirë administratën fiskale. Deveron Oil rezulton me 9.2 milionë dollarë detyrime, ndërsa TPD me 46.4 milionë dollarë, përfshirë edhe llogaritë e papaguara ndaj furnitorëve.
Amnistia e kapitalit, vetëm me konsensusin e opozitës
Nuk dihet vlera e vërtetë që biznesi nuk ka të padeklaruar, por mendohet që ajo të jetë në miliarda dollarë. Ekspertët kërkojnë që nëse merret kjo nismë për të falur sipërmarrësin dhe për të filluar një marrëdhënie të re me të, duhet të bëhen të dyja, edhe fshirja e borxhit edhe deklarimi i aseteve që kanë në të vërtetë ndërmarrjet, por që nuk i kanë deklaruar për qëllim shmangien e taksave. Agim Binaj, profesor në kontabilitet, thotë se kjo do të shfrynte të gjithë barrën që ka biznesi dhe do ta lehtësonte më shumë atë. “Që të nisë një marrëdhënie e re, që biznesi të lehtësohet në të vërtetë, atëherë duhet bërë një amnisti e kapitalit të saj. Nuk mund të bëhet dot formalizimi i ekonomisë nëse vazhdojmë të kemi situata ku sipërmarrja ka frikë të deklarojë asetet e vërteta, sepse normal penalizohet për evazion fiskal, dhe sado që të falësh borxhin tatimor, ai prapë do të rritet në vite. Nëse një biznes nuk deklaron kapitalin, ai do të vijojë të fshehë të ardhurat e vërteta dhe kontrollet tatimore do ta gjejnë në shkelje, është një falje pa kuptim, nëse nuk ka falje të kapitalit”, thotë Binaj. Modeli i kësaj amnistie është bërë në shumë vende dhe ka arritur që të ndihmojë ekonomitë. Asetet e biznesit rritin kredibilitetin e tij te kreditorët dhe marrin hua në banka më thjesht se sa sot, por po ashtu, kjo ndihmon edhe në ekzekutimin e kolateralit nga ana e bankave në momentin që ato kërkojnë pasuritë e kreditorit. Po nuk i pati të regjistruara asetet, bankat nuk kanë çfarë të kërkojnë të ekzekutojnë. Kjo do të ndihmonte edhe në uljen e kredive të këqija. “Italia e ka bërë deri tani 7 herë amnistinë e kapitalit”,- argumenton Agim Binaj.
Kjo mbështetet edhe nga Dhomat e Tregtisë. Zenel Hoxha, kryetar i Dhomës Britanike të Tregtisë, e lidh këtë edhe me nisjen e reformimit të sistemit të drejtësisë, i cili do të fillojë të hetojë çdokënd. “Amnistia e kapitalit duhet të bërë për të nisur një fillim të ri për të gjithë. Jam i mendimit se, nëse merret kjo nismë, të bëhet njëherë e mirë për të gjitha vitet, për të gjithë llojet e detyrimeve dhe duke përfshirë dhe asetet apo pasuritë e padeklaruara. Por kjo duhet të bëhet me konsensus politik. Pse e them këtë? Kemi parë që janë bërë amnisti në shumë vite të ndryshme por që janë përdorur thjesht për nisma elektorale, në fakt nuk duhet të jetë kështu. Ta bëjnë me konsensus njëherë e mirë”, shpjegon Hoxha.
Vetë kreu i financave ka pranuar se do të çojë në Kuvend një amnisti kapitalesh, e cila kërkon 84 vota. “Kjo është amnistia e fundit e këtij dimensioni. Po të kisha mundësi dhe po të ishte edhe konsensusi i opozitës, unë do ta propozoja dhe do ta mbyllja njëherë e përgjithmonë këtë histori. Do ta bëj këtë propozim në komision për amnisti të plotë kapitalesh. Në qoftë se do të më mbështetet, të jeni të bindur se do ta bëjmë”, ka deklaruar Arben Ahmetaj, i cili 4 vite më parë nuk e votoi një propozim të tillë të qeverisë “Berisha”.
Në thelb, falja që po bën Ministria e Financave pranohet si nga biznesi, edhe nga një pjesë e ekspertëve. Por kësaj duhet t’i shohim të dyja anët thonë ata. “Lehtësimi që i bëhet borxhit tatimor është një nismë e mirë. Por kjo është njëra anë, ana tjetër është se si është lejuar që ky detyrim të shkojë në përmasa të tilla dhe kush është përgjegjës për këtë”, thotë Binaj.
Për investitorët e huaj, amnistitë dhe faljet që ka bërë shpesh në historinë e saj Shqipëria tingëllojnë të çuditshme. Zenel Hoxha thotë se anëtarët e Dhomës Britanike të Tregtisë e shohin si një praktikë të gabuar këtë nismë, e cila fal ata që shkelin ligjin ndërsa të rregulltit nuk kanë asnjë incentivë. “Kjo është e çuditshme. Kemi parë shkelje vit pas viti dhe falje një herë në disa vite. Nuk ka pasur asnjë incentivë për të ndershmit dhe duhet të ketë”.