Ndeshja e javës së 11-të, të kategorisë superiore midis Teutës dhe Tiranës, e zhvilluar në “Niko Dovana” të durrësit u mbyll me rezultatin 1-1.
Ekipi bardheblu dominoi gjatë 90 minutave, por në fund u tradhtua nga një gabim i portierit Ilion Lika që i kushtoi 3 pikët e plota të skuadrës.
Bardheblutë kaluan në avantazh që në minutën e 19′ me një gol nga Ngoo, duke e mbyllur pjesën e parë me 0-1. Por Teuta shënoi përmes Hoxhës në minutën e 91’ duke mbyllur ndeshjen me barazim.
Ndeshja që pritej të mbyllej me 3 pikë për Tiranën, në fakt u mbyll me barazim dhe me vetëm 9 lojtarë për bardheblutë, pas dy kartonëve të verdhë për Hoxhallarin dhe një kartoni të kuq për Torasën. Në fund, ekipet ndanë nga një pikë, ndërkohë që Tirana ka 18 pikë dhe ndodhet në vendin e parë. Në kuotën e 17 pikëve Teuta mban vendin e katërt.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër që u zhvillua ditën e djeshme, Laçi shkatërroi Skënderbeun në Korçë, me rezultatin 1-4, duke e vendosur ekipin korçar në vendin e tetë, në zonën e rënies nga kategoria.
Java e 11-të e superiores do të vazhdojë dhe ditën e sotme, me Kukësin që do të presë Flamurtarin, i cili ndodhet në vendin e fundit me vetëm 3 pikë, ku Kukësi do të kërkojë ta fitojë këtë ndeshje të lehtë në letër, për të mos u larguar nga rivalët për titull. Ndërsa ekipi i Partizanit që ndodhet në kuotën e 18 pikëve do të kërkojë të marrë kreun e tabelës ndaj Luftëtarit të Gjirokastrës duke spostuar Tiranën në vendin e dytë.
Ndeshjet do të zhvillohen sot, respektivisht në ora 14:00 dhe 17:00, ndërsa java e 11-të mbyllet ditën e nesërme me ndeshjen Vllaznia-Bylis.