Mesnatën e 11 Prillit, në Fermë të Cërrikut, 3 persona të maskuar grabisin familjen Sherifi, në një banesë private 2-katëshe.
Flokrida Sherifi, vajza e familjes, tregon se sapo kishte kaluar mesnata, kur 3 persona me maska, armë zjarri e leva, thyejnë xhamin e dritares së sallonit dhe futen në dhomën e gjumit duke kërcënuar me armë.
Mamanë e lidhën e po ashtu keqtrajtuan fizikisht vetë Flokridën. Pasi marrin 2 milionë lekë, largohen të frikësuar nga britmat e grave të shtëpisë. Vajza tregon se dy kamerat e sigurisë kanë marrë pamje të qarta dhe ajo ka njohur agresorët: Xhuljo Çela, Erand Bajrami dhe Aurel Braçe, dy komshinj dhe një kushëri.
Flokrida Sherifi: Grabitësit kanë qenë të mirinformuar se vetëm në këtë pjesën e shtëpisë nuk ka pasur kamera. Në të gjithë shtëpinë ka 4 kamera, vetëm tek ky pozicioni nuk ka. Më pas kanë dalë në pjesën ballore. Me të ardhur në pjesën e përparme të shtëpisë, thyejnë xhamin dhe hynë brenda. Erdhën drejt e tek dhoma e gjumit. Ne po flinim. Ne momentin që erdhën mamin e lidhën sipër krevatit, ndërsa mua më kap njëri dhe më fut mes këmbëve dhe më vendos pistoletën tek koka. Nuk mund të bëja dot asgjë. Të maskuar në maksimum, nuk arrihej të dallohej asgjë. Kishin vetëm pjesën e syve të nxjerrë jashtë. Njëri mbante mamin, njëri mua dhe tjetri kontrollonte të gjithë shtëpinë. Ai person që më mbante mua më vendosi pistoletën dhe i thoshte mamit se ose do japësh lekët, ose do ta vrasim gocën. Normalisht u detyruam të japim lekët, 200 mijë lekë të reja. Ata vazhdonin të kërkonin akoma, i gjuajnë mamit, unë tentoj t’i shpëtoj personit që më mbante dhe të shkoj tek mami, ai më kap prej fyti dhe më gjuan. Në atë moment unë bërtita dhe ndoshta menduan kanë dëgjuar fqinjët. Ikin marrin modemin e internetit dhe pajisjen e kabllorit, duke menduar se ishte DVR-ja e kamerave dhe në momentin që dalin, dalin përsëri nga xhami ku e thyen dhe vazhduan rrugën e tyre jashtë shtëpisë sime. Në momentin që largohen nga shtëpia ime, kjo është kamera që ka regjistruar gjithçka.
Gazetarja: A arrite t’i dalloje se kush ishin këta persona?
Flokrida Sherifi: Po, personat i njoha vetëm nga mënyra se si ecnin, dhe ishin Xhuljo Çela, Erand Bajrami dhe Aurel Braçe.
Gazetarja: Banojnë këtu afër, i ke fqinj?
Flokrida Sherifi: Erand Bajrami është kushëriri im nga ana e babit, ndërsa Xhuljo Çela është komshi këtu afër, ndërsa Aurel Braçe është pak në distancë, por që prapë se prapë është banor i Fermës së Cërrikut. Të tre janë banorë të zonës.
Në të njëjtën natë, Flokrida dhe mamaja e saj, iu drejtuan Komisariatit të Policisë Cërrik, për të bërë denoncimin. 3 grabitësit u shoqëruan për disa orë në polici dhe më pas u lanë të lirë. Çështja shkoi në Prokurorinë e Elbasanit dhe iu besua prokurores Zena Lila. Prej 6 muajsh prokurorja nuk ka bërë asgjë dhe 2 prej agresorëve janë larguar nga Shqipëria.
“Nga muaji Prill deri më sot, unë skam marrë absolutisht asnjë lloj informacioni, për çështjen time. Një vendim të saktë, një vendim përfundimtar nuk e di, prandaj u drejtova tek emisioni “Stop”, se nuk kam marrë asnjë lloj zgjidhjeje nga institucionet shtetërore, dhe kam informacione se dy prej personave që janë të dyshuar, ose më saktë, Xhuljo Çela dhe Aurel Braçe janë të larguar nga Shqipëria. Çela ndodhet në Angli dhe Braçe më duket se është në Greqi. U grabitëm, patëm dëmtime të mëdha, u kërcënuam dhe përsëri personat përgjegjës janë të lirë.”
Për këtë rast, gazetarja iu drejtua komisariatit të policisë së Cërrikut.
Gazetarja: Përshëndetje Zoti Musai, si jeni?
OPGJ Bujar Musai-Mirë, faleminderit!
Gazetarja: Unë jam Odeta, jam gazetare nga emisioni “Stop”.
OPGJ Bujar Musai– Po! Më thuaj!
Gazetarja: Në emisionin “Stop” ka ardhur një denoncim për sa i përket një rastit që ju e keni ndjekur si OPGJ.
OPGJ Bujar Musai-Po!
Gazetarja: Bëhet fjalë për ngjarjen e 11 Prillit të vitit 2019, në lagjen Fermë të Cërrikut, që ka ndodhur tek familja Sherifi, grabitja me 3 persona, të cilët janë identifikuar nga familjarët, madje ka edhe një video për këtë pjesë.
OPGJ Bujar Musai-Ëhë…
Gazetarja: Çfarë keni bërë ju si OPGJ i këtij rasti.
OPGJ Bujar Musai- Çështja është në hetim dhe nuk mund të flas për hetimet!
Gazetarja: Ti si OPGJ çfarë veprimesh ke bërë zotëri?
OPGJ Bujar Musai- Kur çështja është në hetim, nuk mund të nxjerr unë sekretet e hetimit!
Më pas, gazetarja e “Stop” iu drejtua me një shkresë zyrtare prokurorisë Elbasan, por pati edhe një komunikim me prokuroren e çështjes, Zena Lila.
Gazetarja: Përshëndetje Prokurore, si jeni?
Prokurorja Zena Lila- Përshëndetje!
Gazetarja: Unë jam Odeta, gazetare nga emisioni “Stop”. Më 11 Prill të 2019 ka ndodhur një grabitje në Fermë të Cërrikut, nuk e di të kujtohet apo jo, është edhe një video…
Prokurorja Zena Lila- Po, është në hetim. Është në hetim akoma.
Gazetarja: Pse ka zgjatur aq shumë ky rast?
Prokurorja Zena Lila- Por, se ka patur veprime herë pas here.
Gazetarja: Ti ke kameran moj zonjë. E ke personin me figurë aty se kush është. Ke familjarët që t’i gjejnë me emra dhe me mbiemra.
Prokurorja Zena Lila– Po s’kam asnjë provë me.
Gazetarja: Si nuk ke asnjë provë, po janë kamerat moj zonjë.
Prokurorja Zena Lila– Vazhdojnë hetimet, s’kemi përfunduar akoma!
Gazetarja: Keni informacion, se nga 3 grabitës, 2 prej tyre janë jashtë vendi ndërkohë që ju kryeni hetimin zonjë?
Prokurorja Zena Lila- Jo, nuk e di këtë! Jo, nuk e di këtë, se e ka oficeri i policisë gjyqësore. Unë kam 100 dosje, dhe s’mund t’i ndjek të gjitha! Është në hetim akoma.
Gazetarja: Po mirë, vazhdoni hetimet ju, e ndërkohë 2 prej tyre kanë ikur në Angli e Greqi. Nuk do të ishte mirë që gjatë kohës së hetimeve, ata të shpalleshin persona nën hetim, që të paktën të mos largoheshin nga vendi, se kur të mbaroni ju hetimet, nuk do të ketë më njeri këtu… /Marrë nga tvklan.al/