Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi Fatmir Xhafaj ka braktisur mbledhjen e nivelit të lartë në Kryesinë e Kuvendit ku marrin pjesë kryeministri Edi Rama, kryeparlamentari Ilir Meta dhe Kryetari i Opozitës Lulzim Basha.
Burime konfidenciale bëjnë me dije për Boldnews.al se në takim është disktuar për një devijim nga platforma hibride që propozoi Ndihmës/Sekretarja Amerikane e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland.
Por deputeti socialist, njëherësh një nga hartuesit e Reformës në Drejtësi Fatmir Xhafaj nuk e ka pranuar këtë devijim dhe për këtë arsye është çuar nga tryeza e diskutimeve.
Nuk dihet nëse kjo revoltë e Xhafajt do të sjellë edhe dështimin e takimit 3-palësh, pasi Partia Socialiste tashmë është pa asnjë ekspert në tryezë.
Njësoj si për zgjedhjen e Papa Franceskut në Vatikan, edhe në Shqipëri për reformën në drejtësi të gjithë janë në pritje të tymit, që me shumë mundësi do të jetë i zi.