Nga Boldnews.al
Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea nuk është një emër i panjohur qoftë për klasën politik por edhe për qytetarët që kanë kërkuar drejtësi.
Në duart e saj kanë qënë dosjet më të bujshme të viteve të fundit, duke nisur nga “Gërdeci”, gjyqi për korrupsion i Ilir Metës e deri tek gjyqi i Tom Doshit dhe Mark Frokut të akuzuar për ngritjen e një skenari vrasjeje.
Për dosjen “Gërdeci”, gjyqtarja Andrea është pjesë e atij kontributi që çoi në lirimin e 28 të akuzuarve të cilët me veprimin ose mosveprimin e tyre shkaktuan vdekjen e 26 personave. Zvarritjet në seancat gjyqësore morrën fund pas 5 vitesh nga ngjarja e rëndë e 14 marsit 2008.
Një tjetër proces tepër i përfolur është edhe gjyqi ndaj ish zv. Kryeministrit Ilir Meta, aktualisht kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Bashkëshorti i gjyqëtares së Gjykatës së Lartë, Odhise Andrea ka një njohje të vjetër me kryeparlamentarin Ilir Meta. Kohët e fundit ai ka mbajtur një pozicion si Këshilltar në Komisionin e Sigurisë që drejtohet nga Spartak Braho. Kjo miqësi mes Metës dhe Odhise Andreas ka bërë që bashkëshortja e këtij të fundit të kundërshtojë dënimin e Ilir Metës për video-korrupsionin e vitit 2011.
Sëfundmi, gjyqtarja Andrea kishte në dorë edhe dosjen për Tom Doshin dhe Mark Frrokun. Të dy këta u akuzuan për krijimin e një komploti vrasjeje të mbetur në tentativë. Fillimisht ajo kërkoi dorëheqjen nga kjo çështje për shkak të njohjes personale me deputetët, por kjo nuk u pranua nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. Në fakt, rezultoi më pas se gjyqtarja Andrea ishte e vetmja nga trupi gjykues prej 5 anëtarësh që kërkoi burg për deputetin Tom Doshin. Dyshimet ngrihen edhe mbi ndikimin e Ilir Metës mbi këtë vendim të gjyqtares, që Tom Doshi të mos dënohej me “arrest shtëpie” por me burg.
Majlinda Andrea ka lindur më 30 Korrik 1969 në Durrës. Është e martuar me Odhise Andrean dhe ka dy fëmijë. Ajo ka përfunduar studimet për Drejtësi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, më 1991. Ndërkohë Andrea ka punuar si Gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës nga viti 1992 deri më 2008. Gjatë kësaj periudhe Andrea ka marrë pjesë në një sërë trainimesh brenda vendit në fusha të ndryshme të së drejtës.
Me dekretin nr.5795, datë 8 Korrik 2008, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë u emërua anëtare e Gjykatës së Lartë.
50 mijë euro për një vendim, në kërkim gjyqtarja e Gjykates se Lartë dhe bashkëshorti