Nga Boldnews.al
Qeveria e ka marrë seriozisht importin e plehrave nga e gjithë Europa. Shqipëria do të kthehet shumë shpejt në një vend mbeturinash, të cilat do të vijnë nga e gjithë bota.
Pas nismës së tre deputetëve Eduard Shalsi, Ervin Bushati dhe Bujar Derveni, që kërkojnë lejimin e industrisë ricikluese të importojë mbetje si plastikë dhe karton me argumentin se prodhimi vendës i mbetjeve nuk është i mjaftueshëm, ministria e Mjedisit ka bërë me shpejtësi procedurat për dhënien e një koncesioni.
Boldnews.al ka siguruar ekskluzivisht dokumentet e procedurës për dhënien me koncesion, ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhim energjie. Mësohet se burimi i financimit është buxheti i shtetit dhe kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 72 muaj ose 2070 ditë (6 vite), duke filluar nga hyrja në fuqi e kontratës. Mësohet se Zona ku do të kryhet ndërtimi përfaqëson fundin e shpatit të fshatit Portëz, ajo është me reliev të rrafshët me diferencë të vogël kuotash. Lartësia e vendit është variabël, nga 55 m në 75m mbi nivelin e detit.
Boldnews.al ka siguruar informacione se në këtë landfill do të riciklohen edhe mbetjet që pritet të importohen nga shtete të tjera. Shpejtësia e bërjes së këtij koncesioni lidhet edhe me nismën e tre ligjvënësve dhe, duke i paraprirë miratimit në Parlament, ministria e Mjedisit përshpejtoi procedurat. Dhe, në këtë mënyrë, qyteti i Fierit do të shndërrohet si “hambari” i plehrave nga e gjithë Europa.
Studimi i fizibilitetit
Boldnews.al ka siguruar edhe dokumente të tjera, siç është edhe studimi i fizibilitetit. Në të thuhet se “iniciativa për një impiant për trajtimin e mbetjeve me rikuperim të energjisë ka qenë prej vitesh një alternativë potenciale dhe mjaft e diskutueshme në vend, por ende asnjë eksperiencë nuk është bërë realitet. Gjithsesi, falë zhvillimeve më të fundit teknologjike, vitet e fundit kjo teknologji ka njohur një përdorim të gjerë, sidomos në vendet e BE”.
Sipas saj, rezultatet e analizës ekonomike të këtij studimi bëjnë të qartë se ky projekt është potencialisht i realizueshëm nga pikëpamja teknike, ekonomike dhe mjedisore. Supozimet në lidhje me sasinë dhe potencialin energjetik të mbetjeve urbane dhe industriale në Qarkun e Fierit nuk ndikojnë në nivelin e realizimit të projektit.
“Në fakt, perspektiva pritet të jetë pozitive në disa drejtime: Nga pikëpamja ekonomike, si psh. rritja e çmimit të energjisë elektrike në të ardhmen; Nga pikëpamja mjedisore, potenciali për të kredituar nivelin e CO2 si kontribut i mbrojtjes së klimës dhe nga pikëpamja shëndetësore duke ulur risqet dhe duke reduktuar burimet e ndryshme të infeksioneve”.
Sipas dokumenteve, projekti gjen një mbështetje institucionale në nivel qendror dhe lokal si një zgjidhje e qëndrueshme për menaxhimin e mbetjeve në përputhje me politikën kombëtare për menaxhimin e mbetjeve, kuadrin ligjor kombëtar dhe standardet ndërkombëtare. Duke shtuar këtu që projekti ofron një zgjidhje ekonomike të qëndrueshme, ky përbën një potencial dhe shembull për t’u ndjekur në vend.
Emergjenca për projektin
Në dokumente thuhet se projekti pritet të ketë aktorë kryesorë në nivel kombëtar si: Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe Ministrinë e Financave.
“Menaxhimi dhe mbledhja e centralizuar e mbetjeve urbane në Shqipëri nuk është në një stad të avancuar, shoqëruar me probleme me infrastrukturën, mungesën e kapaciteteve financiare dhe teknike, etj. Mungesa e sistemeve moderne dhe sanitare për trajtimin e mbetjeve urbane, ka sjellë një problematikë serioze në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve. Nëse i referohemi progres raporteve të Komisionit Europian për përmbushjen e kërkesave në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asoocimit, situata e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri për vitet 2013, 2014 dhe 2015 na paraqitet shumë e keqe” thuhet në këto dokumente. Sipas saj, ndarja e mbetjeve është shumë e kufizuar dhe riciklimi i tyre mbetet i rrallë. Shumica e mbeturinave vazhdon të depozitohen në mënyrë të pasigurt në vendgrumbullime legale dhe ilegale, ose duke i djegur ato.
Projekti i landfillit
Projekti i propozuar është një impiant i përpunimit të mbetjeve urbane (IPMU) me rikuperim të energjisë duke prodhuar energji elektrike. Koncepti i këtij projekti është nga të parët në vend që gërsheton menaxhimin e MNU me përfitim në prodhimin e energjisë. Duhet theksuar se ky projekt është superior, në krahasim me depozitimin e mbetjeve direkt në landfill, si në aspektin mjedisor ashtu edhe në aspektin ekonomik. Objektivi kryesor ka të bëjë me një menaxhim më të mirë të MNU-se, shfrytëzimit në një kohë shumë më të gjatë të zonave për depozitim dhe shndërrimin e tyre në energji.
Ndërtimi i këtij impianti ka avantazhe për zonën dhe për më gjerë pasi nga njëra anë bëhet mbledhja dhe grumbullimi i MNU, problem serioz në vend, trajtimi teknologjik i MNU duke shmangur çdo impakt negativ në mjedis dhe zonën përreth. Për më tepër, do të kemi përfitim në energji për banorët dhe bizneset e zonës dhe më gjerë. Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me partnerët e saj, merr përsipër një projekt të tillë duke sjellë eksperiencën ndërkombëtare dhe kombëtare, aftësi dhe profesionalizmin.
Ndërtimi dhe menaxhimi i gjithë aktivitetit propozohet të kryhet nga koncesionari i cili do të shpallet fitues pas përfundimit të procedurave konkurruese, duke përmbushur në këtë mënyrë si kërkesat teknologjike ashtu dhe ato mjedisore në një nivel bashkëkohor përgjatë punimeve dhe aktivitetit të impiantit. Për këtë arsye, përveç projektit paraprak dhe këtij studimi fizibiliteti, janë kryer edhe një sërë studimesh gjeologjike, sizmiologjike, etj. si pjesë mbështetëse e këtij propozimi.
Vendndodhja e vendit të propozuar
Zona e lokalizuar për impiantin është në Bashkinë e Fierit në ultësirën perëndimore të Shqipërisë, 71 km në drejtimin Jug-Perëndim nga Tirana. Zona ku do të kryhet ndërtimi përfaqëson fundin e shpatit të fshatit Portëz, ajo është me reliev të rrafshët me diferencë të vogël kuotash. Lartësia e vendit është variabël nga 55m në 75m mbi nivelin e detit. Zona e propozuar për realizimin e impiantit është e barabartë me rreth 6 hektarë (60000 m2), duke marrë parasysh veçoritë e vendit të zgjedhur, nevojën e hapësirave shtesë për ndonjë situatë të paparashikuar, e mbi të gjitha për plotësimin në çdo rast të kërkesave të impiantit.
Sipërfaqja e nevojshme mund të ndryshojë gjatë fazës së projektit përfundimtar. Ajo mund të zvogëlohet së tepërmi për shkak të studimit të hollësishëm të detajeve teknike të rastit konkret. Zona e përzgjedhur për impiantin ka një inklinim jo të theksuar. Zona e parashikuar ka destinacion bujqësor, por e lënë kryesisht djerinë. Toka është publike, pjesë e Njësisë Administrative Portëz, Fshati Plyk, Zona Kadastrale 3000, ngastra 8 (tetë) dhe ngastra 6 (gjashtë), në pronësi të Bashkisë Fier. Rregullohet nëpërmjet Vendimit të Këshillit Bashkiak Nr.40 dt 26/10/2015, rrjedhimisht nuk ka asnjë problem pronësie apo paqartësi mes palëve. Ky vendim është ndryshuar me qëllim saktësimi me anë të Vendimit të Këshillit të Bashkisë Fier nr. 25, datë 26.02.2016 “Për një saktësim në Vdatë 26.10.2015 të Këshillit të Bashkisë Fier “Mbi shpalljen e emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane në Qarkun e Fierit” vendimin nr. 40. Në këto kushte, duke qenë se Bashkia Fier ka vënë në dispozicion të projektit truallin ku do të ndërtohet impianti i propozuar, nuk është e nevojshme që pasuri të tjera publike apo private që do të jenë pjesë apo që do të nevojiten për ketë projekt.
Problemet në zonë
Në dokumente thuhet se gjatë periudhës së ndërtimit të impiantit, shqetësimet kryesore në lidhje me cilësinë e ajrit shkaktohen kryesisht nga shkarkimet e mjeteve të rënda, sasi të madhe pluhuri dhe grimcat pezull që krijohen nga aktivitetet e ndërtimit si gërmimi, depozitimi apo transporti të dherave dhe materialeve të ndërtimit, etj., dëmtimi apo eliminimi i bimësisë. Këto shkarkime konsiderohen efekte negative në mjedisin lokal, bimësinë dhe shëndetin e njerëzve janë të përkohshme vetëm gjatë ndërtimit si dhe varen edhe nga faktorë të tjerë si kushtet metereologjike, përbërja e tokës, dhe llojin e aktiviteteve të ndërtimit.
Gjatë fazës së ndërtimit të impiantit pritet të ketë prani të zhurmave dhe vibrimeve për shkak të punimeve të ndërtimit, gërmimit dhe nivelimit të sheshit, lëvizjes së makinave të rënda, transportuese etj. Duke marrë në konsideratë që vendi i përzgjedhur ndodhet në periferi të qytetit të Fierit, mund të parashikojmë se do të shkaktohen shqetësim (zhurma) në rrugët lokale drejt dhe pranë sheshit të ndërtimit. Ky shqetësim do të jetë i pranishëm si gjatë ndërtimit të impiantit ashtu dhe gjatë funksionimit të tij. Gjithsesi këto efekte janë minore, të lokalizuara brenda apo afër zonës së ndërtimit si dhe të përkohshme. Ato mund të minimizohen dhe adresohen nga zhvilluesi duke ndjekur masat e duhura teknike dhe shmangien e punës/lëvizjeve të mjeteve gjatë natës, etj.
Si pasojë e punimeve dhe funksionimit të impiantit pritet të ketë ndikime të mundshme negative ndaj florës dhe faunës së zonës rreth impiantit, që minimalisht do të shkaktojë dëmtimin apo zhdukjen e florës dhe zhvendosjen apo fragmentimin e faunës përreth. Në përgjithësi vendi i propozuar dhe zona përreth karakterizohet nga një mjedis me bimësi të pakët kryesisht barishtore e mbirë në mënyrë spontane. Në zonën përreth vërehen toka dhe kultura bujqësore.
Kundërshtimet e banorëve
Ministria ka parashikuar se ndërtimi i një impianti për djegien e mbetjeve urbane pritet të krijojë një kundërshtim apo tension nga komunitetet përreth vendit të propozuar, organizatat joqeveritare, përfaqësues politikë lokalë apo kombëtarë, media lokale dhe kombëtare, etj. Duke iu referuar eksperiencave të ngjashme ndërkombëtare, pavarësisht se projekti i propozuar vjen si një nevojë emergjente lokale dhe rajonale dhe siguron një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit të menaxhimit të mbetjeve urbane, plotëson kriteret ligjore mjedisore, padiskutim që do ketë kundërshtime nga banorët përreth. Impianti i propozuar do të vijë pranë banesave dhe bizneseve përreth vendit të ndërtimit, në periferi të qytetit të Fierit, dhe mund të jetë e nevojshme të kemi zhvendosjen e banorëve apo ekonomive lokale. Banorët mund të humbasin tokat apo të kenë ndikime në ekonomitë individuale, ose të humbasin punën në sektorin informal të riciklimin të mbetjeve urbane, etj. Pritet që këto efekte të jenë më shumë sensitive tek komunitet lokale në një rreze largësie më pak se 250m.
Një tjetër shqetësim lokal gjatë ndërtimit dhe operimit të impiantit, është rritja e trafikut të mjeteve të rënda, ndotja e ajrit, shkaktimi i zhurmave dhe vibrimeve që bezdisin dhe shqetësojnë banorët përreth në një rreze më të gjerë.
Kundërshtimi i banorëve pranë objektit të propozuar pritet të jetë një efekt i rëndësishëm për tu marrë në konsideratë dhe adresuar që në hapat e parë të shpalljes së propozimit. Në fakt, ky efekt pritet të jetë i përkohshëm kryesisht pas shpalljes së propozimit ashtu dhe gjatë ndërtimit dhe diçka më pak në fazën e funksionimit. Ndër masat më efikase për reduktimin e kundërshtimit nga komunitetet lokale është identifikimi i grupeve të interesit që mund të influencohen direkt apo indirekt, që kundërshtojnë projektin ose nuk përkrahin atë. E rëndësishme është që komunitetet pranë ashtu dhe banorët e qytetit të Fierit duhet të dëgjohen, të jenë apo ndjehen palë përfituese dhe jo humbëse nga projekti. Punësimi i fuqisë punëtore nga zonat përreth gjatë ndërtimit dhe funksionimit të impiantit mund të jetë një masë efikasë për sigurimin e mbështetjes së tyre. Transparenca dhe komunikimi me ta, ashtu si dhe shpërblimi apo kompensimi, zgjidhja e problemeve sociale apo ekonomike që nuk lidhen domodoshmërisht me projektin e propozuar.
Sigurimi i përkrahjes dhe besimit të komuniteteve lokale kërkon rritjen e njohurive dhe sensibilitetit të publikut dhe grupeve të caktuara të interesit, kërkon bërjen e tyre pjesë të procedurave të monitorimit të emetimeve dhe efekteve gjatë zbatimit të projektit, verifikimit të planeve dhe masave lehtësuese dhe kompesuese.
Procesi i kompensimit të tokave, nëse ekziston një çështje e tillë, duhet të adresohet para fillimit të punimeve të ndërtimit të impiantit në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe kombëtare.
Objektivat
Objektivi i shoqërisë fituese të garës do të jetë përpunimi i mbetjeve urbane të Qarkut të Fierit, gjenerimin e energjisë dhe krijimi i vend depozitimit të mbetjeve.
Objektivat gjatë viteve të ardhshme do të jenë:
1. Ndërtimi gjatë viteve 2016-2017 dhe vënia në përdorim në vitin 2018 e Impiantit të përpunimit dhe Vend depozitimit të Mbetjeve Urbane për Qarkun e Fierit.
2. Krijimi i Energjisë së rinovueshme nga përpunimi i këtyre mbetjeve;
3. Rruajtje e ambientit të kësaj zone përmes rritjes së cilësisë së ajrit, pastrimin e ambientit dhe eliminimin e ndotjeve të ujërave sipërfaqësor dhe nëntokësor për këtë zonë;
4. Krijimin e vendeve të reja të punës për banorët e kësaj zone;
Njoftimi I kontrates landfilli fier
Ja harta e zones ku do te ndertohet Landfilli Fierit: