Duhet parë një analizë më e thelluar, pasi kur bëhen tre raste brenda një kohe të shkurtër, nuk është më rastësi. Mund të bëhej gjëmë më e madhe, grabitësit mund të futeshin edhe në avion….
Vjedhja e një shume të madhe parash, që po transferohej nga një bankë në Aeroportin e Rinasit ka shqetësuar ndjeshëm bankierët. Kjo është hera e tretë brenda 18 muajsh që vidhen paratë, që transportohen nga bankat dhe po cënon mënyrën e të bërit biznes të një prej sektorëve më të rëndësishëm në vend.
I kontaktuar nga Monitor, Spiro Brumbulli, kryetar i Shoqatës së Bankave tha se ky është një shqetësim i madh për sistemin, pasi krijon pasiguri lartë dhe rrit kostot, pasi këto janë humbje të drejtëpërdrejta.
“Me të dhënat e deritanishme nuk mund të paragjykojmë lidhur me këtë ngjarje të rëndë, që policia e ka nën hetim”, thotë ai. Gjithsesi ai shton se mirë kur ndodhi në të dalë të bankës, e pastaj në rrugë, por kjo brenda në aeroport të lë pa fjalë.
“Duhet parë një analizë më e thelluar, pasi kur bëhen tre raste brenda një kohe të shkurtër, nuk është më rastësi”, thotë ai. “Mund të bëhej gjëmë më e madhe, grabitësit mund të futeshin edhe në avion.
Brumbulli shton se bankat nuk kërkojnë gjëra të mëdha, por elementët bazë të sigurisë.
Ai thotë se duhet bashkëpunim për të diskutuar nëse ka dobësi ligjore apo dhe arsye të tjera. “Ka diçka që nuk shkon. Për një vit e gjysmë është vjedhja e tretë, edhe pse bankat mundohen të respektojnë kushtet e ruajnë konfidencialitin”.
Kjo rrit pasigurinë e bërjes së biznesit dhe e shoqëron atë me kosto shtesë.
Ditën e djeshme, tre persona me armë hynë në pistën e avionëve të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, rrëmbyen disa thasë me para që do të transferoheshin jashtë me avionë, dhe u larguan pa arritur të kapeshin nga policia.
Transferimi i parave jashtë vendit është një procedurë normale e bankave, të cilat një pjesë të parave të lira nga depozituesit, i vendosin në institucionet financiare jashtë vendit. /Monitor