“Kapoja qeros dha urdhër të na ndalojnë, këtë radhë që të dy, dhe policët me të në krye na u vunë pas, derisa na shtrinë përtokë, dhunuan, gjakosën trotuarit dhe na shtrënguan prangat si kriminelë. Pastaj ndezën si nëpër filma policorë sirenat, i rranë kundravajtje një cope të unazës dhe me shpejtësi skëterrë, pa pyetur për semaforë, na degdisën në komisariat, drejt e në birucë”.
Ky është rrëfimi i Altin Bamllarit, pronarit të dy picerive “Era” në Tiranë, që të kthen pas në kohë, ndoshta 30 vite më parë, ku partia bënte ligjin dhe në emër të saj bëheshin qindra masakra. Fatmirësisht pasojat fizike kanë qenë jo të mëdha por kjo ngjarje e shëmtuar dhe e frikshme tregon se kush është policia, e krijuar për të na mbrojtur.
NGJARJA
Altin Bamllari ka rrëfyer në faqen e tij të facebook-ut se si policia ka ndaluar një natë djalin e tij duke u kthyer nga dita e parë e punës dhe pavarësisht se nuk ka rezultuar aspak i pirë, pavarësisht se nuk kishte thyer asnjë rregull, i është kërkuar të shkojë në komisariat për një gjobë të papaguar.
Jashtë çdo rregulli, megjithë lutjet dhe komunikimin e të atit ata janë ndaluar dhe janë dërguar të dy në komisariat, me dhunë.
RRËFIMI I BAMLLARIT
Kjo nuk është policia e shtetit, por banda e Arturo Uisë.
Sa herë që lexoj lajme për qytetarë të ndaluar me motivacionin e kundërshtimit të policisë së shtetit, unë prirem t’u jap të drejtë uniformave blu sepse e di që ne jemi popull gjaknxehtë dhe jo aq korrekt me respektimin e ligjit.
Por duke e provuar arrogancën policore mbi kurrizin tim, sot dhe në disa raste të tjera, pohoj me hidhërim se nuk është tamam kështu. Fatkeqësisht, ne kemi në anën e mbrojtësve të rendit njerëz që e shkelin ligjin me të dyja këmbët dhe, më e keqja, në emër të tij.
Ne kemi ende një polici të dhunshme dhe manipuluese, që shpesh herë më ngjan me bandën e Arturo Uisë.
Ndjesë për të gjithë policët e thjeshtë dhe drejtuesit e ndershëm, që me pafuqinë dhe mungesën e kurajës identifikohen pa të drejtë me ata që po përdhosin sot uniformën e tyre.
Rasti im mund të mos jetë aq i rëndë në dukje, por trishtimi im është i madh.
Unë e di që shumë prej jush nuk do të zgjidhnit të lexoni një histori me dhunë policore para spektaklit të pritjes së ekipit kombëtar nga vetë ai, Arturo Ui.
Por rasti im është edhe rasti juaj, ndaj kërkoj mbështetje, të paktën morale.
………………
Ora 00:30. Një telefonatë më zgjon nga gjumi. Është im bir që kthehet nga dita e parë e punës në biznesin tonë familjar. E ka ndaluar patrulla e policisë për t’i bërë test alkooli. Sapo është mbyllur e shtuna, ai është 22 vjeç dhe në tubin e policit nuk ka asnjë shenjë sepse im bir, ndryshe nga shumë të tjerë, është mësuar të respektojë rregullat dhe ligjet. Megjithatë, patrulla e natës i kërkon dokumentet. Sërish gjithçka e rregullt. Pastaj polici shikon targat dhe merr qendrën. Pasi i konfirmojnë se mjeti ka një gjobë të papaguar, i shkëlqejnë sytë që qytetari gjendet në faj. “Makina do të bllokohet dhe ti do të vish me ne në qendrën e bllokimit.” (Për ata që s’e dinë, burgu i makinave ndodhet në firifistun dhe të detyrosh me dhunë verbale e gjoja ligjore qytetarët, për më tepër mbas mesnate, të dorëzojnë makinën si ballistët e një filmi të njohur armët nën kërcënimin e partizanëve, është një fyerje cinike dhe e padrejtë.)
Im bir që sapo është kthyer nga studimet, që nuk përdor fjalor rruge, habitet fillimisht për gjobën, pastaj për masën ekstreme dhe më merr në telefon. I them t’u lutet policive që të tregohen të arsyeshëm dhe, nëse makina vërtet paska një gjobë, u thuaj që do ta paguajmë me të zbardhur, ndërkohë që nisem drejt tij. Por këtyre qenieve që ne i paguajmë me taksa dhe gjoba, u mungon arsyeja dhe as që ua ndien për qytetarët e mirë. Ata sikur lumturohen, njëlloj si tatimorët apo ata qindra kontrollorët e tjerë të Arturos, kur të zënë në gabim dhe si mazokistë u shkëlqejnë sytë teksa ta nxijnë jetën me aq sa kanë në dorë.
Sa keq që im bir nuk është djalë deputeti, ministri, sekseri apo gangsteri qe t’ua përplaste në surrat ngërdheshjen, madje edhe t’i tallte me ndonjë barcaletë policësh. E sigurt që do të qeshnin e do t’i thoshin: “të fala babit!” Do t’ia toknin dorën garipçe dhe do ta nderonin si ushtar.
Por im bir, që sapo ka mbaruar një nga universitetet më të mirë të botës, u tregua i sjellshëm dhe priti në makinë. Priti i dyzuar dhe i pasigurt në mirëkuptimin e policisë rrugore.
“Djalosh, nëse s’e lëviz b…. do të thërrasim ndërhyrjen e shpejtë.” Dhe ashtu bëjnë. U flasin lodrave me valë radio dhe në “vendngjarjen e krimit” zbarkojnë rrugorë dhe rendorë të tjerë. Një tufë policësh që ngjajnë si çakejtë para një kërme. Të gjithë me sy inatçorë, gati për t’iu hedhur presë që rri e hutuar në makinë.
Kështu e gjej situatën dhe u prezantohem. Përpara më del një polic pa kapele e pa flokë (që me c’kuptova ishte kapoja e turmës) dhe më reciton me zë të lartë ca nene nga kodi rrugor. Makina jo vetëm do të shkojë në bllokim, jo vetëm që do ta çojë yt bir, por do ta marrim me vete edhe atë në komisariat. Arsyeja.., sepse nuk bëri atë që i thanë dhe kjo quhet mosbindje ndaj policisë së shtetit.
Fytyra e tij më ngjan me fytyrën e një fashisti në ekstazë dhe ligjërata e tij sikur ua ndez nga hiçi inatin ca policëve servilë. Nuk durova dot stërkalat e pështymës teksa më hakërrehej mbi fytyrë dhe i thashë me neveri se po sillej si një fashist ndaj dy qytetarëve të paqtë. I thashë tim biri të dalë nga makina dhe të dy qëndruam para një lukunie policësh që ishin gati të na zhdëpnin në dru, po qe se këtë donte qerosi.
Në rregull, u them. Nëse doni makinën, merreni! Por tim bir, nuk keni asnjë të drejtë.”
Dhe kështu u kthejmë kurrizin për t’u larguar. Por kapoja qeros dha urdhër të na ndalojnë, këtë radhë që të dy, dhe policët me të në krye na u vunë pas, derisa na shtrinë përtokë, dhunuan, gjakosën trotuarit dhe na shtrënguan prangat si kriminelë. Pastaj ndezën si nëpër filma policorë sirenat, i rranë kundravajtje një cope të unazës dhe me shpejtësi skëterrë, pa pyetur për semaforë, na degdisën në komisariat, drejt e në birucë.
…………
Ora 01:15. Polici që na shtrëngoi prangat hapi qitapin dhe filloi të shkruajë në një gjysmë tavolinë në korridorin e komisariatit Nr.2. Emri, mbiemri, atësia, datëlindja, ngjyra e syve, gjatësia… Kur e pyeta nëse mbaruam, më thotë që s’të kam shënuar tatuazhet. E ka ligji, thoshte duke qeshur, ndërkohë që shenjat tona të dhunës ngjanin fiks me ca tatuazhe të freskëta me gjak. Ndërsa ai shkruan si në klasën e parë fillore, ne jemi të detyruar të futemi sërish në birucë, në pritje të interesimit të miqve tanë. Largqoftë të mos kesh miq sepse mund të rrish aty edhe tre ditë e tre netë të mira.
Sidoqoftë, trajtimi në komisariat, përveç policit dallkauk të prangave, ishte korrekt.
…………..
Ora 05:00. Më në fund, dy “kriminelët” at e bir lihen të lirë. Dikush që na priste jashtë na tregoi imponimin që kapoja qeros e pa kapelë u bënte vartësve të vet për të bërë denoncime ndaj nesh, ndërkohë që ata ngurronin. Motivacioni: për kundërshtim të policisë së shtetit.
Më thanë që na kanë denoncuar në prokurori me arsyen që të jenë një hap para nesh.
…………..
Ora 12:00. Sot në familjen time nuk kishte gjumë. Atë na e prishi policia. Dhe bashkë me gjumin kam frikë se na ka tronditur edhe arsyen. Nuk e fsheh, sado që duhet ta mbaj përbrenda: “Nëse kapoja qeros Gerald Baka, ai që dhunoi djalin tim, nuk përgjigjet deri më një para ligjit, mos t’ju vijë çudi që një biznesmen, një qytetar i paqtë e kontribuues i rëndësishëm i buxhetit të shtetit, të bëjë një ditë vetëgjyqësi. Unë s’mund të pranoj t’i paguaj taksa një shteti që inkurajon modele qerosësh fashistë.
Le të shërbejë ky shkrim edhe si kallëzimi im për prokurorinë e Tiranës dhe shpresoj që ajo të veprojë sa më parë.
Nga ju…? Do të lëndohesha shumë sikur të thoshit: “Hë mo se edhe ti nuk je pa gjë.”