Nga Boldnews.al
Alaudin Malaj i cili deri para pak ditësh mbante postin e kryetarit të Gjykatës së Apelit ka nisur një fushatë mediatike për rikandidimin e tij për një tjetër mandat.
Me një letër të dërguar Ministrit të Drejtësisë ku kërkonte përjashtimin e anëtarit të KLD-së Gjin Gjoni nga procesi i votimit. Malaj indirekt po lobon në qarqet mediatike me qëllim që të ndikojë në vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ditën e hënë.
Sipas letrës së Malajt, marrja pjesë e Gjin Gjonit në këtë proces përbën konflikt interesi. “Përjashtimi i tij nga ky proçes, duhet të bëhet për të hequr çdo dyshim për njëanshmëri në lidhje me ecurinë e procesit të vlerësimit të kandidaturës sime, me qëllim që ky proçes të jetë sa më transparent”, thuhet në kërkesë.
Me porosi të tij ose jo, shumica e mediave publikuan kërkesën e Alaudin Malajt duke treguar një lloj mbështetje për të. Ndërkohë ishin po këto media ku pak muaj më parë mbajtën të fshehur kallëzimin e ILDKPKI për Kryetarin e Gjykatës së Apelit, nën akuzën e pastrimit të 1.7 milion eurove.
“Subjekti Alaudin Malaj në vitin 2003, në deklarimin e parë të interesave private, ka deklaruar gjithsej asete në shumën 60.000 euro dhe në fund të vitit 2014 pasuria e subjektit ka arritur gjithsej në shumën rreth 1,7 milionë euro”,- njoftoi në shtator të 2015, ILDKPKI.
Në atë kohë pjesa më e madhe e mediave u censuruan duke mos transmetuar kallëzimin e ILDKPKI, madje disa media tentuan të hetonin kreun e këtij institucioni Shkëlqim Ganaj, si një shenjë hakmarrje për atë që i kishte bërë Alaudin Malajt.
Nuk kaluan shumë kohë dhe me një lëvizje të papritur Prokuroria e Durrësit pushoi çështjen e pastrimit të parave për Kryetarin e Gjykatës së Apelit. Kjo ishte edhe një fitore për mediat që mbështesnin Alaudin Malajt pasi u ndjenë më të lehtësuara për të pasqyruar pretendimet e tij.
Por sot qëndrimi i këtyre mediave është ndryshe duke pasqyruar mbështetjen e Malajt për rizgjedhje në krye të Gjykatës së Apelit të Tiranës. Kjo tregon standardin e dyfishtë mediave në vendin tonë, ku jo në pak raste janë të kapura nga një prej pushteteve: gjyqësor, legjislativ apo ekzekutiv.
Mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të zhvillohet ditën e hënë dhe zgjedhja e kryetarit të Apelit është një nga pikat e rëndësishme e rendit të ditës. Për këtë post kandidojnë Alaudin Malaj, Hysni Demiraj dhe Gramoz Levanaj.