Andon Marko është emëruar zyrtarisht në krye të Drejtorisë së Policsë së Fierit. Marko ishte komanduar në këtë pozicion pas transferimit të Albert Nushit nga Fieri në Elbasan, ku mban pozicionin e nëndrejtorit të policisë.
Por së fundmi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, ka zyrtarizuar emërimin e Markos si drejtor i Policisë së Fierit, detyrë që e kryente prej pak javës si i komanduar.
Nushi u largua nga funksioni i Drejtorit të Policisë së Fierit pas protestës së zhvilluar nga opozita në këtë qytet, ku disa qytetarë i bllokuan rrugën Kryeministrit, Edi Rama.
Pas transferimit të Nushit, në krye të policisë kaloi zëvendësi i tij, Andon Marko, që tashmë ka marrë edhe emërimin zyrtar.
Emrat e Nushit dhe Markos kanë dalë në përgjimet e Alfred Alizotit në çështjen Babalja.
Alizoti kishte marrë rolin e Agron Xhafajt, në përgjimin e realizuar mes tij dhe Albert Veliut, i njohur ndryshe si “Babalja”.
Mes Alizotit, Nushit dhe Markos ka dhjetra komunikime telefonike, ku dy drejtuesit e policisë së Fierit në verën e 2018, flisnin herë pas here në telefonin me të.
Duket se më në fund Marko ka marrë nga drejtuesit më të lartë të policisë “shpërblimin” për misionin e kryer në raport me Alizotin.
Duket se skema e ngritur në kohën kur ministër i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj, që nisi me emërimin e Ardi Veliut në krye të Policisë së Shtetit vijon.
Janë të njëjtët njerëz, të kapur në përgjime, që promovohen, ku në rastin më të mirë duhej të ishin pezulluar nga funksionet, të paktën se kanë gënjyer para prokurorëve apo oficerëve të policisë gjyqësore mbi komunikimet apo takimet që kanë pasur me Alfred Alizotin.
Nëse i referohemi përgjimeve të publikuara, mes Alizotit dhe drejtuesve të Policisë së Fierit, i dënuari për trafik që kishte marrë përsipër të shpëtonte Agron (Geron) Xhefajn duke bërë rolin e dubluesit, kërkonte me insistim të takonte shefat e Nushit dhe Markos. Në atë kohë shefa të tyre ishin ose Fatmir Xhafaj ose Ardi Veliu, i pari ministër dhe tjetri Drejtor i Përgjithshëm i Policisë.
Sot nga skema ka dalë Xhafaj, që u largua nga ministër, Alizoti që është në burg, ndërsa kanë mbetur Veliu, që ruan të njëjtin pozicion, dhe Albert Nushi dhe Andon Marko.
Nushi mban një tjetër post kyç, nëndrejtorin e Policisë së Fierit, dhe nuk është çudi që në kuadrin e ndryshimeve që ndodhin ai të emërohet Drejtor në këtë qark, jo pak problematik. Marko u gradua nga nëndrejtor në drejtor, megjithëse nuk kishte gradat.
Ndoshta nesër mund të dalin që përgjimet nuk kanë asnjë vlerë, por të paktën moralisht Veliu do të mbahet mend se vendosi një standard që kurrë më parë nuk ka qenë kaq hapur, atë të promovimit dhe përfitimit të emërimit në një post drejtimi po të flasësh me trafikantë, si në rastin e Alizotit, ose mundësisht t’i lësh përshtypje të mira këtij të fundit, dhe ti përunjesh.
Përgjimi me nëndrejtorin e policisë (Andon Marko)
Nëndrejtori i Policisë: Fredi çfarë po bën mo? Si je?
Fredi Alizoti: Mirë jam mirë.
Nëndrejtori i Policisë: Mirë je mo?
Fredi Alizoti: Mirë jam në banjo, po bëj i çik shurrë, më merr për një minutë.
Përgjimet
Në materialin audio-video më poshtë, publikohen përgjimet të 4 episodeve, të zhvilluara në datën 29 Gusht 2018, ku drejtori Nushi e “dëshmitari” Alizoti flasin me njëri-tjetrin.
Komunikimi mes tyre ka nisur mëngjesin e asaj dite, e konkretisht në orën 8.46. Drejtori Nushi telefonon Fred Alizotin. Ky i fundit përgjigjet në telefon, duke i thënë drejtorit që “më merr pas një minute, se jam duke bërë shurrën”. Drejtori Nushi bindet.
Një minutë më vonë, në 8.47, Fredi Alizoti, pasi mbaron nevojat fiziologjike, i kthen telefonatën drejtorit të Policisë së Fierit.
Në këtë bisedë të dytë, drejtori Nushi interesohet se kur e ka “axhendën” e lirë Alizoti, pasi dëshiron ta takojë. Gjatë kësaj bisede, Fredi Alizoti i thotë që është i gatshëm të takojë drejtorin rreth orës 12-13, në Tiranë. Zyrtari i lartë i Policisë i garanton se do të mbërrijë nga Fieri në Tiranë, në orarin që caktoi Fred Alizoti.
Në orën 11.59 të po asaj dite, saktësisht në orën që kishin paracaktuar me Alizotin, drejtori Nushi telefonon Alizotin. Zyrtari i lartë i policisë, duke i shprehur se nuk mund të mbërrinte në Tiranë, i thotë Alizotit se do ta marrë në telefon zëvendësi i tij, Andon Marko.
Një minutë më pas, në orën 12.00 të datës 29 Gusht, zëvendësdrejtori i Policisë së Qarkut Fier telefonon Fred Alizotin, në të cilën shpreh dëshirën që t’i japë një birrë “dëshmitarit”.
Në këtë bisedë, del qartë se zv.drejtori Marko e ka shoqëruar edhe herë tjetër “dëshmitarin” Alizoti për në Tiranë, pasi flasim me njëri-tjetrin për vendin e takimit.
Përgjimet që shoqërojnë këtë shkrim janë vetëm një pjesë e vogël e materialeve audio, të regjistruar me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda. Në këtë pjesë, por edhe në të tjera përgjime, duket qartë se si është trajtuar nga vartësit e Fatmir Xhafajt, “dëshmitari” Fredi Alizoti, i cili mori përsipër që të deklaronte para prokurorëve se ka luajtur ai rolin e Agron (Geron) Xhafaj në audio-regjistrimin me Albert Veliun (Babale).
Përgjimet ekskluzive/ Alizoti, drejtorit të Policisë: Më telefono pasi të bëj shurrën