Spanja dhe Republika e Çekisë kanë hapur ditën e katërt të Euro 2016-të. Ndeshja e zhvilluar në Tuluzë ka qenë emocionuese, pavarësisht se në fund takimi është vendosur nga një gol. Lojtarët e Del Bosque kanë dominuar nga minuta e para deri tek ajo e fundit, por Rosicky me shokë janë mbrojtur shumë mirë. Të paktën deri në minutën e 87-të kur Pique ka shënuar me kokë golin e fitores. Grupi D, pas këtij rezultati, kryesohet nga Kroacia dhe Spanja me pikë të barabarta. Morata ka shkuar afër golit në pjesën e parë Pjesa e parë është kontrolluar nga kampionët e Europës në fuqi për sa i takon zotërimit të topit dhe rasteve të krijuara.
Megjithatë, lojtarët e Del Bosque nuk kanë arritur të transformojnë në gol mundësitë që kanë pasur. Lojtari më i rrezikshëm për “La Roja” ka qenë sulmuesi i Juventus-it Alvaro Morata, i cili ka vënë disa herë në vështirësi mbrojtjen ceke dhe portierin Cech. Pjesa e dytë ka filluar me një tjetër rast për spanjollët ndërsa këtë herë ka qenë Nolito që ka kërkuar golin, por gjuajtja e tij është ndalur nga mbrojtja ceke. Reagimi i skuadrës së Vrba ka ardhur në minutën e 57-të me një goditje të bukur të Hubnik teksa De Gea ka shmangur pësimin e golit më një pritje të jashtëzakonshme.
Tomas Rosicky i dëshpëruar gjatë ndeshjes së sotme Në të 65-ën kanë qenë përsëri çekët që kanë pasur një rast për të zhbllokuar takimin me Gebre Selassie dhe këtë herë ka qenë mesfushori Cesc Fabregas që ka larguar topin para se topi të kalonte vijën fatale. Spanjollët janë kundërpërgjigjur në minutën e 73-të kur David Silva ka shkuar afër golit me një goditje me hark me të majtën, por topi ka përfunduar jashtë. Tri minuta më vonë Aduriz ka kërkuar golin me një rafishatë spektakolare, por edhe këtë herë topi ka përfunduar jashtë.
11 minuta para fundit ka qenë ndërhyrja e jashtëzakonshme e Limbersky-it ndaj Nolito-s që ka shpëtuar Çekinë nga një gol i sigurt. Momenti që ka vendosur sfidën ka ardhur kur kishin mbetur tri minuta para fundit të ndeshjes. Andres Iniesta, heroi i Botërorit të 2010-ës, ka dhënë një krosim në zonë dhe Pique ka fluturuar më lart se mbrojtësit çek, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke i dhuruar fitoren spanjollëve. Në minutën e 92-të Darida ka pasur mundësinë për të barazuar, por De Gea ka qenë i vëmendshëm.
Spanjë-Republika e Çekisë 1-0 Shënues: Pique 87’
Spanja: De Gea, Juanfran, Ramos, Pique, Alba, Busquets, Iniesta, Cesc (Akcantara 70’), Silva, Nolito (Pedro 82’), Morata (Aduriz 62’). Trajner: Del Bosque.
Republika Çeke: Cech, Kaderabek, Sivok, Hubnik, Limbersky, Darida, Plasil, Gebre Selassie (Sural 86’), Rosicky (Pavelka 88’), Krejci, Necid (Lafata 75’). Trajner: Vrba.
Gjyqtar: Marciniak
Kartonë të verdhë: Limbersky