Policia e Tiranës ka arrestuar një 35-vjeçar, në kuadër të operacinit të koduar OAZ, që nisi ndaj grupit kriminal Bajri.
35-vjeçari Nelson Hysa u arrestua në një banesë të marrë me qera në zonën e Komunës së Parisit, Tiranë, ndërsa ishte shpallur në kërkim në shtator 2018. Gjatë veprimeve proceduriale u sekuestrua nje automjet “BMW Seria 3”. Në operacionin OAZ u arrestuan 11 persona, ndërkohë që në kërkim u shpallën dy të tjerë, mes të cilëve edhe i arrestuari i ditës së sotme.
Në momentin e arrestimit të 11 personave, u tha se veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, deri në goditjen e plotë të gjithë grupit kriminal “Bajri” kanë zgjatur mbi 6 muaj. Burime zyrtare thanë se hetimet u bazuan tek dhjetëra orë përgjime, mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, u analizuan mijëra faqe të dhëna, si edhe u kryen veprime pro-aktve në terren, përmes kontrollit nga ajri (dron) dhe vëzhgimit intensiv.
Oficerë të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerë të kontaktit të vendeve të përfshira në operacion, kanë kryer veprime në terren për evidentimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve anëtarë të grupit, që vepronin jashtë Shqipërisë, e kryesisht në Holandë. Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë: “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i llotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Si vepra të rënda kriminale, të dokumentuar deri tani janë 2 vrasje të ndodhura në Shkodër, ngjarje e ndodhur në 7 shkurt 2001, ku u vra shtetasi A.T., dhe ngjarje e datës 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja F.H., 15 vjeçe. Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar edhe është provuar në javët e fundit, se anëtarë të këtij grupi kriminal kanë kanosur dhe shtrënguar disa shtetas për dhënie shumash të konsiderueshme parash.
Ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër. Grupi “Bajri”, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në shtete europiane dhe më pas paratë e përfituara nga ky aktivitet investoheshin brenda vendit. Operacioni policor për arrestimin e personave të mësipërm është zhvilluar njëkohësisht në Tiranë, Shkodër dhe në Roterdam, Holandë dhe zgjati nga mesdita e së premtes dhe deri në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme. Ndërhyrja operacionale është koordinuar mes grupeve të posaçme hetimore, në të dy shtetet duke shkëmbyer informacion intensiv.
Gjithashtu u ngritën dhe operuan në 2 vendet, grupe të përbashkëta operacionale, të mbështetura nga forcat speciale të Policisë së Shtetit dhe atyre holandeze. Gjatë ditëve të operacionit për identifikimin dhe arrestimin e disa prej personave të mësipërm janë shkëmbyer me dhjetëra informacione, jo vetëm mes Policisë së këtyre 2 shteteve, por edhe autoriteteve ligj zbatuese që asistojnë Prokurorinë dhe Policinë, në Gjermani, Kroaci etj. Gjatë ndërhyrjes së Policisë, tre prej anëtarëve të këtij grupi iu gjetën në trup 3 armë zjarri pistoletë, ndërsa në banesë lëndë narkotike kanabis sativa. Policia në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka sekuestruar 1 resort-hotel në Velipojë dhe 1 lokal në Shkodër në pronësi të tyre, pasi dyshohen se janë produkt i ardhur nga aktivitet kriminal.
Njoftimi i policisë
Vijon operacioni “OAZ” .
Në vijin të operacionit “OAZ”, në funksion të procedimit penal nisur gjatë vitit 2018, në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”, si pjesë e grupit kriminal “Bajri” me aktivitet të shtuar kriminal në Shkodër , mëngjesin e sotëm u bë ekzekutimi i Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Renda Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurise “Arrest ne Burg” për shtetasin:
- N. H., 35 vjeç , lindur dhe banues në Shkodër, ishte person i shpallur në kërkim në shtator 2018, gjatë operacionit “OAZ”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Organizata kriminale, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive, e kryer në bashkëpunim”, për qëllime të fitimit pasuror.
Ai u kap në një banesë të marrë me qera në zonën e Komunës së Parisit Tiranë, gjatë operacionit të zhvilluar mëngjesin e sotëm nga Njësia Hetimore Qendrore në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Njësia Hetimore Qendrore për të lokalizuar vendndodhjen e personit të shpallur në kërkim ka bashkëpunuar me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Shkodër.
Gjatë veprimeve proceduriale u sekuestrua nje automjet “BMW Seria 3”.
Materialet proceduriale shtesë iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.