Një kompani me lidhje të forta me mazhorancën ka fituar megatenderin e furnizimit me karburant të institucioneve shtetërore.
Shoqëria “Kastrati”, ku ka qenë aksioner deputeti i PS-së Vexhi Muçmata, do të përfitojë pjesën e “luanit” të 10 milionë eurove që ka akorduar qeveria. Bold News ka siguruar dokumentet e këtij tenderi, i cili është bërë në javën e parë të muajit maj.
Mësohet se “Kastrati” ka fituar 3 nga katër lotet që ishin akorduar nga qeveria. Në lotin e parë, marzhi i fitimit do të jetë 16.4 përqind, i dyti 17.4 dhe i treti 14.7 përqind. Më konkretisht, “Kastrati” ka fituar në lotin I 934 374 700 lekë pa tvsh, që ishte edhe më i madhi. Në lotin III është akorduar një fond prej 276 772 068 lekë pa tvsh, ndërsa në lotin IV, fondi 90 262 106 lekë. Mësohet se Kastrati ka humbur vetëm lotin II, me fond limit 75 804 930 lekë pa tvsh.
Nga të dhënat e siguruara nga Bold News rezulton se deputeti Vexhi Muçmata ka qenë aksioner te kjo shoqëri, ndërsa aktualisht, punon vajza e tij. Në deklarimet e pasurisë së zotit Muçmata, kur ka qenë prokuror, por edhe si deputet, janë të pasqyruara më saktësisht këto aksione, ku ai ka deklaruar qindra milionë lekë fitime.
Aktualisht, vajza e tij M. Kastrati punon në këtë shoqëri, çka rezulton edhe nga dokumentet e deklarimeve të pasurisë të deputetit të qarkut të Kukësit.
Pak javë më parë, qeveria akordoi një fond prej 10 milionë eurosh për blerje karburanti, të cilin do e shpërndajë në institucionet e varësisë. Ministria e Brendshme, si organi prokurues, i ka kërkuar Agjencisë së Prokurimit Publik që të zhvillonte këtë tender.
Ministria e Brendshme ka depozituar në APP një formular të njoftimit të kontratës ku dhe është autoritet kontraktor. Lloji i procedurës së prokurimit është “procedurë e hapur mbi kufirin e lartë monetar”. Objekti i prokurorimit të kontratës është “furnizim me karburante në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë”. Fondi limit 1 377 213 804 lekë pa TVSH, vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit.
Mësohet se afati për ekzekutimin e kontratës, që nga lidhja e saj, është 31 dhjetori i këtij viti. Mësohet se data e zhvillimit të tenderit është 18 prilli, në orën 11.00, në Ministrinë e Brendshme, në Drejtorinë e Prokurorimeve të Përqendruara.
Më parë, tenderët e blerjes së karburanteve janë shndërruar në përplasje mes institucionesh, apo edhe për çmimin për litër. Në disa raste, çmimi ka qenë më tepër nga sa shitej në treg. Ndërkohë, që “luksi” i pushtetarëve është denoncuar shpeshherë edhe nga opozita, qoftë e djeshmja apo e sotmja. PS-ja, gjatë kohës që ishte në opozitë akuzoi Ministrinë e Brendshme se kishte blerë pa tender mijëra litra karburant, me një çmim të lartë. Ndërkohë, para pak muajsh, PD-ja iu kundërvu qeverisë për marrjen me qira të automjeteve “Jaguar”.
Megjithatë, duke u bazuar te dokumentet e tenderit, mësohet se ministritë kanë marrë nga 20 – 83 milionë lekë (të vjetra) karburant për vitin 2016. Aparati i Kryeministrisë do të përfitojë 136 milionë lekë të vjetra, ndërsa Bujqësia 83. Ministria e Energjetikës do të përfitojë 47 milionë, Ministria e Ekonomisë, 30 milionë, Drejtësia 20 milionë. Aparati i Ministrisë së Financave 28 milionë, ndërsa Ministria e Jashtme 75 milionë. Ministria e Transporteve 42 milionë, ndërsa Mjedisi 50 milionë. Ministria e Mirëqenies Sociale 54, ndërsa Kultura 12 milionë.