Edhe njëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë opinionin e tyre mbi drejtësinë në Shqipëri. Zv.shefi i misionit të SHBA-ve, DaviD Muniz ka denoncuar hapur korrupsionin në gjykata që frikëson dhe largon investitorët.
Kreu i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri ka deklaruar se nevojitet qartësi dhe sundim ligji në vendin tonë.
Duke konstatuar 3 problemet kryesore, ato të informalitetit, korrupsionit dhe joefikasiteti i ligjit, kreu i FIAA bëri thirrje për nevojën e reformës në drejtësi për zgjidhjen e situatës…
Në konferencën e organizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Ambasadorja e BE në Shqipëri Romana Vllahutin ka dhënë “nota alarmi” për situatën në vendin tonë, duke sinjalizuar se Shqipëria kërkon shumë punë për rritjen ekonomike. Sipas saj, “nuk ka më kohë të luhet kukafshehti”, por vendi ynë ka nevojë për institucione të qëndrueshme dhe të besueshme.
“Ju keni humbur shumë kohë. Duhen përpjekje për të sjellë investime të huaja në vend. Reforma në drejtësi është kyçe në këtë drejtim, pa kompromise, është jetësorë”- ka deklaruar Vlahutin.
Në konferencën me titull “Reforma në Drejtësi, një parakusht për nxitjen dhe tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri”, ishte i pranishëm edhe Zëvendësshefi i Misionit të SHBA, i cili deklaroi se investitorët e huaj janë larguar nga Shqipëria.
“ Investitorët që kanë dashur të investojnë në Shqipëri janë frikësuar dhe kanë ikur.”- deklaroi David Muniz.
“Shqipëria humbet miliona dollarë çdo vit nga mundësitë e investimit për shkak të kësaj tradite të dështuar drejtësie. Kompanitë janë të gatshme të investojnë diku tjetër pasi nuk kanë besim se do të marrin një gjykim të drejtë me gjyqet shqiptare. Shumë prej investitorëve shmangin gjyqet e shpesh herë vetëm pranojnë humbjen dhe largohen. Opsioni i parë është shumë i kushtueshëm po e dyta largimi mund të jetë më keq për Shqipërinë në kohë afatgjatë, pasi dëmton reputacionin e vendit si një destinacion për investim. Kompanitë blejnë gjyqtarët dhe prokurorët për të shmangur pagat pavarësisht kontratave. Shumë prej investitorëve kanë tërhequr investimet bazuar në trajtimet e pabarabarta në gjykatë. Ky sistem drejtësie i dekurajon investitorët, por duket se qeveria po përpiqet të zgjidhë shumë prej këtyre çështjeve, por vendime duhet të merren shpejt dhe bazuar te ligji”, deklaroi Muniz.
“Procedurat gjyqësore janë të thjeshta, detyrimet e borxheve janë një problem. Kompanitë amerikane ka bllokuar planet për investime për shkak të zvarritjeve gjyqësore. Drejtësia nuk po bëhet. S’bëjnë investime sepse nuk kanë siguri, ka edhe investitorë me përvoja të këqija. Edhe pronat janë probleme, me mbivendosjen e titujve të pronësisë”- ka deklaruar Muniz.
Ministrja e MZHETTS Milva Ekonomi ka treguar gatishmërinë që ligji i investimeve të bëhet më funksional.
“Qeveria ka marrë përsipër reforma të rëndësishme. Por, kemi nevojë për sistem drejtësie efikas. Është kyç për progresin. Ne jemi të bindur se s’duhet të ndërpresim ëndrrën europiane”- ka thënë znj. Ekonomi.