Presidenti i Republikës, Bujar Nishani padit kryebashkiakun e Tiranës për shpifje. Pas akuzave të shumta nga Veliaj, mes tyre edhe akuza për vjedhje pronash, të kishës në Elbasan, Kreu i Shtetit ka vendosur të flasë, madje dhe fortë, duke akuzuar kreun e Bashkisë Tiranë për shpifje. Nishani tha se tashmë çështja është në dorë të drejtësisë.
Veliaj cilësoi Presidentin ‘hajdut’ në emisionin “Opinion” dy ditë më parë në lidhje me pronën e kishës në Elbasan.
“Shteti nuk mund të ketë në krye një hajdut, ndaj çështja nga sot shkon në Drejtësi”, tha Nishani. Presidenti foli edhe për protestën e Bashkisë ndaj Apelit Administrativ, për çështjen e pallatit 17-katësh te Diga e Liqenit. Ai e cilësoi protestën si sulm të dhunshëm ndaj gjykatave dhe ftoi Prokurorinë të hetonte çështjen.
“Ju kam ftuar që të përcjell përmes jush tek opinioni publik dy çështje të rëndësishme shtetërore, për të cilat do sjell shqetësimin dhe për të dhënë kontributin e institucionit të Presidencës. Madje dhe për të vijuar më tej, procesin e zgjedhjes së këtyre problemeve. Çështja e parë ka të bëjë me disa deklarata publike, akuza publike në gjykimin tim të rënda adresuar nga një autoritet lokal ndaj Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Dëshiroj t’ju kërkoj të ndiqni edhe njëherë këto deklarata e më pas do përcjell tek ju këto çështje”, tha Nishani, duke transmetuar para gazetarëve akuzat e Veliajt.
“Natyrisht që një njeri kushdo qoftë, ai që vjedh ka vetëm një emër, hajdut. Shqiptarët nuk mund të kenë në zyrën e institucionit të Republikës së Shtetit shqiptar një hajdut, shqiptarët nuk mund të kenë një hajdut për President. Hajduti e ka vendin në qeli, dënohet sipas ligjit. Kjo çështje i kalon për shqyrtim drejtësisë. Drejtësia duhet dhe ka përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore ose të verifikojë akuzat për të dënuar presidentin si hajdut ose përdhosësin e shtetit shqiptar përmes shpifjes ta dërgojë të përballet me ligjin. Kjo është një rrugë pa kthim, rrugë pa ndalesë. Unë ftoj edhe median të ndjekë gjykimin dhe sjelljen e drejtësisë”.
Nishani tha se i mbetet qëndrimit të tij se drejtësia ka nevojë për një reformë për të larguar prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar dhe të lidhur me politikën. Nishani përmendi edhe një pajisje përgjimi për të cilën kanë shkruar mediat ditët e fundit.
“Nuk kam ndryshuar mendim dhe qasje për asnjë arsye dhe asnjë çështje. Çështja të cilës ju i referoheni është serioze. Kam parë ditët e fundit në media që është denoncuar ekzistenca e një pajisje ilegale që kryen përgjime, mbetet për t’u vërtetuar nëse është e vërtetë, por në kontekstin e dhunës së djeshme, shqetësimet për të pasur një sistem drejtësie të pavarur, të painfluencuar dhe profesional besoj se janë sot në themelin e orientimit evropian dhe çdo aktori përparimtar të shoqërisë sonë. Mbetem në atë deklaratë që sistemi ynë i drejtësisë ka nevojë për një reformë e cila të plotësojë kushtet për të larguar të gjithë ata prokurorë e gjyqtarë të korruptuar, të kapur politikisht dhe të shantazhuar për të pasur një mekanizëm të drejtësisë jashtë çdo influence”, theksoi Kreu i Shtetit.
Nishani i bëri thirrje institucioneve, mediave, akademikëve dhe shoqërisë civile të mos kenë frikë por t’i thonë gjërat ashtu siç i mendojnë pasi situata e të drejtave të njeriut sipas tij është jo e mirë.
“Të gjithë së bashku, institucionet, mediat, shoqëria civile, çdo qytetar, akademikët, profesorët, të cilëve iu bëj thirrje që në një situatë jo të mirë të çështjes së respektimit të të drejtave themelore të njeriut në Shqipëri, të mos kenë frikë, të kenë kurajë dhe t’i thonë gjërat ashtu siç i mendojnë”, deklaroi ai.
Përsa i përket akuzave të Veliajt, për lidhjen e presidentit me trupën e gjyqtarëve të çështjes për pallatet tek Diga, Presidenti tha se kjo është një tjetër shpifje.
“Kjo është një akuzë tjetër e pavërtetë që do të ketë radhën e saj në adresimin në institucionet përkatëse. E ndiej veten të obliguar për të bërë një sqarim. Presidenti nuk ka asnjë kompetencë për të përcaktuar trupa gjyqësore. Procesi ndodh në gjykatë është kompetencë e kryetarit të gjykatës dhe kancelarit që nuk ka asnjë lidhje me presidentin”, tha ai.